Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

NË BARKUN E NJË REJE SHTATZËNË

Brenda barkut të një reje, më ka ngjizur natyra, 
ku sillem gjatë muajve të shtatzënisë normale,
si një mendimtar i ri, që sjell mendime të mira,
për banorët që ndodhen, nën këtë qiell me male.

Në mitrën prej pambuku, të nënës sime avullore,
më përkundë era, për të më mpiksur kujtesën
dhe më mbrojnë vetëtimat e flakërimeve nervore,
si foshnjë e së ardhmes, që mund të ndryshoj jetesën.

Nuk di si do ta presin njerëzit, lindjen time qiellore!
sepse aty poshtë, ndjej vazhdimisht disa zhurmërime,
ndërmjet atyre që kanë lindur, pa dëshirën tokësore
dhe s’kanë gjetur kënaqësi, në një jetë pa pretendime.

Dëgjoj shpesh për ndarje jetike dhe diferenca të thella,
disa kanë deri në tre breza të hanë e të bredhin anembanë;
por të shumtët sillen rreth maleve, si eremitët në shpella,
duke pritur në heshtje, t’u sjellë fati copën e bukës të hanë.

Kam merak të madh, se mos ndoshta pas lindjes sime,
zërin tim buçitës, me krisma vetëtimash shoqëruar,
s’do e përkrahin mendjet e vjetruara, për ato ndryshime,
që barazojnë njerëzit, në të drejtën e tyre për të jetuar.

Dhe mund të kërkojnë të vritem, si një Ufo i padëshiruar,
ose të burgosem, si i lindur në një mënyrë, jo ligjore,
pa dokumentin përkatës nga materniteti politik aprovuar,
si foshnjë me prindër të dyshimtë, ose si kopil i reve pupëlore.

Po e pashë dhe u sigurova, se nuk gjej mjedis mikpritës,
do t’i them nënës sime bardhoshe, që më ka në bark,
të më lëshojë në formë shiu, bashkë me ujërat e mitrës,
të njom toka pa pronarë, të blerojë buka për të varfrit përqark.

 

MAÇU PIÇU I PAÇAKUTIT

Fusha pjellore, 
në qiellin kaltërosh të hapur,
qytet përrallor,
me mure shkëmbi të gdhendur,
taraca në rrëpira
majëmalesh të zbardhur,
Ujëra të shtrydhura,
nga mjegullnaja e dendur.

Inxhinierë të lashtësisë,
që sfiduan gravitetin,
gurgdhendës të mahnitshëm,
të mjeshtërisë antike,
teknika të mençura,
ku njeriu tregoi gjenialitetin,
misër dhe patate,
me rrënjë në mure ciklopike.

Parajsë qiellore ngritur në tokë
me vështrim së larti.
Maçu Piçu, viktimë e barbarive
të Pizaros spanjoll,
për të rrëmbyer floririn e inkas,
nëpër objekte arti.
shkatërroi mrekullinë e shtatë,
me Tempullin Diellor.

Perandori, Paçakuti,
synonte lartësitë diellore,
siç synon shkenca e sotme,
galaktikat e gjithësisë.
Teksa diktatorët vijojë
luftërat e shfarosjes njerëzore,
duke u kthyer te barbaritë
më primitive të lashtësisë…

 

DUA T’U FSHIHEM SYVE TË TU!

Bëj çmos t’u shmangem 
të gjitha udhëve,
që më shpien te sytë e tu,
qoftë dhe rastësisht.
Të mos më kujtohet
koha jote e puthjeve,
që zemrën ma godet
me purtekë vazhdimisht.

Dua të largohem tinëz
nga ato buzët e tua,
që më tërheqin
si thellukat e një lumi,
të mos mbytem
në ujëra djersësh mbuluar
dhe i rraskapitur me ty,
të më kaplojë gjumi.

Dua të fle pa atë
dashurinë tënde të valë,
që më thith gjakun e zemrës
pikë, nga një pikë.
Kur pas çdo takimi të rastit,
ti e shkathët si ngjalë,
burrit i shket nga duart,
e më ngjitesh tek sytë…

Bëj çmos t’u shmangem
udhëve ku shkon shpesh,
të më presësh si rrufenë,
një rrufepritës.
Duke menduar se ka njëmijë sy
opinioni mes nesh,
do fshihem nga sytë e tu magjik,
si yjet gjatë ditës…

Të shpëtoj së fundi,
nga ato eksplozivë puthjesh
që ti kërkon të shpërthesh
herë pas herë,
pa menduar për rrezikun
që na vjen më tutje,
kur familjen e shenjtë,
mund të hedhim në erë!…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s