Salamandra jam / Poemë nga Petraq Risto

Poemë nga Petraq Risto

 

Salamandra jam

1.

Shpesh jetoj mes zjarrit: Salamandra jam
Vezët i çel në ujë: Salamandra jam.
Marrë flatra flake e kthehem në Feniks
Krijesë uji dhe zjarri: Salamandra jam.
Zemrën e zjarrit e njoh gjer në sekrete
Ia njoh dufin, zemërimin, shpërfillës dhe cinik.
Salamandra jam. Mes qiellit dhe tokës:
ogur qëndrese i thellë gjer në mit.

Salamandra jam.

 

2.

Mos u hiq i pastër nga mëkatet: statujë që lutet në dritë
Drita hyn e njëjtë në të gjitha dritaret kur ndjen se dhomat kanë shpirt.
Mos u hiq i pastër, i paprekur nga lebra a murtaja
Kur matanë murit ka të sëmurë.
Shumë njerëz luten mes rënkimit
Siç lutet mes erës flugeri në formë kryqi.

Njeriu pa mëkat quhet Torturë. Salamandra jam.

 

3.

Mos shiko afër, shiko shumë larg: vetëm kështu nuk do ta dallosh Vdekjen.
E sheh këtë hënë vendosur si kapak në arkivolin cinik të ndërgjegjes.
Afër jeta vjen me hapa kujdesi, shiko larg ku shikimi në ëndërr tretet
Shiko larg si poetët. E vërteta shikon larg si amanetet.
Shiko përtej ligjeve të shikimit: të mëdhenjtë e vdekur kanë të tjera ligje
Sa më larg shikimi – zvogëlohet harrimi, larg i shohin shenjtët plagët e tyre
Plagët e shenjtëve janë pëllumba ngarkuar me degët e ullinjve….
Shiko larg: xhelatin nën maskën e zezë e tradhëton e kaltërta e syve.

Salamandra. Salamandra jam.

4.

Hidhe hapin të mësohemi të përballim njeri-tjetrin
Mundet të lëndohemi: te molla e Adamit do lëvrij një krimb pa ëndërr fluture
Hidhe hapin dhe pse një gozhdë cinizmi ka mbirë në parcelën e këpucës.
Hidhe hapin, argëtoje mbretin: me një degë lajthie bëja skeptrin
Ky qiell gay me pantallona ylberi shkon shumë mbi trupin e një klouni…

Të përballim njeri-tjetrin do mësohemi… Salamandra jam.

 

5.

Rrugëve të New York-ut ka kohë që lëviz vetëm
Hartat mesjetare të Parajsës – në xhepin e brendshëm të xhaketës.
S’i pëlqej idetë e ngjashme si pëllumbat e të barabartë si pëllumbat
Në një shesh cinizmi t’i ushqej me thërrime iluzionesh
Pastaj t’i tremb duke përplasur duart.
I them vetes: Pa nisur Luftën nis mendo për Paqen
Paqja më sheh turpshëm si vajza e fshehur pas dritares.

S’i pëlqej idetë e ngjashme si pëllumbat. Salamandra jam.

 

6.

Ajri i ftohtë djeg si kandil deti dhe ti qan përmbys si nata
Nuk qan me fjalë, po me tinguj nga shpella prehistorike e dhimbjes.
Direkëve ia hoqëm flamujt nga frika e uraganit
në shtylla mosbesimi cimat i bëmë nyje
çdo gjë e ashpër: avuj llave shuar në ujë
qyqja qyqon në çati vetmie: iu përgjigj të qarës tënde
ti qan përmbys si nata nën dritë vetëtime.

Ti qan përmbys, përmbys si nata qan: Salamandra jam.

7.

Ti më the: Diçka po ngjizet brenda meje
-Një foshnje!- thirra unë.
-Jo, diçka tjetër…- më the ti.
– Mbase një lumë…
-Nuk rrjedh, rritet…një lule mbase
Me fytyrë të kaltër, mbase
Me aromë magjie, mbase…
-Ose një pemë
Me zogj dashurie, mbase…
-Mund të jetë dhe një yll i harruar
Kërkon të gjej strehëz tek mua.
-Mos është mëngjesi xixëllonjëhutuar?
-Mbase Dëshira që shpreha mbrëmë
Kur ecnim nën yllin dremitës?
-Apo zjarri kryengritës…?

……

-Hapi sytë të shoh brenda teje
Formën e Dëshirës…

Salamandra jam.

 

8.

Dhe zjarri do njerëz: shpirt i ndezur.
Një zjarr në vatër: mendim i shprehur
Harrohet në hi nëse zjarri rri vetëm
Zjarri pa njerëz mplaket shpejt.
Fryma e zgjon zjarrin, përkëdhel drurët
Oxhaku pa njerëz nxin si i sëmurë
Zjarri do trazuar, lëvizur urët
Prushi bëhet zemër, flaka: lëkurë.

Një zjarr i vetëm si shpirt i tretur
Sa herë vjen ti zjarri s’ka të shprehur…

Salamandra jam.

 

9.

Pyesni miliona të uritur: çfarë doni Parajsën nesër apo Bukën sot?…
Bukë, do kërkonin, Bukë!… me sytë: mikroparajsa me lot…
Nëse Parajsa qenka për të vuajturit e Botës
Pse të pasurit vetëzgjedhin Ferrin…
Në Parajsë ngjitesh nëpër shkallë lotësh
Në Ferr nëpër shkallë floriri zbresin.

A mund të bëjmë kambizëm me Ferrin?…

Salamandra, Salamandra jam.

10.

Kafshoj flakët: ndjej shijen e qielllit
Prushi kthen kujtimet në hi
Ngjitem lehtë në një rreze dielli
Salamandra jam: Liri.
Qëllon pas zjarrit kaloj në ujë
Takoj të vegjëlit e mi
Me lëkurën e ngrohtë si tambure
U rrëfej zjarr-histori.

Salamandra Salamandra jam.

New York, nëntor 2013

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s