VALLJA E PRANVERËS NË POEZITË E POETES SONJA HAXHIU / Nga: Dhimo Tarusha

VALLJA E PRANVERËS NË POEZITË E POETES SONJA HAXHIU

Nga:  Dhimo Tarusha

Sonja Haxhia e nis vëllimin e fundit poetik me një kalë të bardhë, i cili rend në kaltërsi. Ajo e di se kali është krijesë e shenjtë, e bindur, besnike, që transporton engjëj. Trokëllimat e tij dëgjohen nëpër shekuj si rrëfime legjendash të moçme.
Ecja në dëborë është ecja në bardhësi, kah ëndrrave të bardha. Në antitezë me të, thotë bukur autorja, është stuhia. Ajo dëgjon gjëmime të frikshme, prej nga vjen zhaurima e egër e tufanit dhe bën çmos ta sfidojë atë. Në këtë rast, mendimet e saj u ngjajnë pulëbardhave që çajnë në furtunë për jetë a vdekje. Ato tundin “flatrat” porsi penelatat e shkujdesura të Pikasos mbi telajo. Domethënia e kësaj poezie me ritëm është një gjetje e goditur dhe e gërshetuar, pastaj me një krahasim të hatashëm.
Autorja impenjohet të shkruajë një poezi për njeriun. Falë inteligjencës së spikatur, bën një mundim të sikletshëm, që të depërtojë me intuitë dhe zërin e ëmbël të fjalëve në shpirtin e heroit të saj, pra të njeriut, të mbuluar me enigma dhe të fshehta, për të parë se ç’ka atje, mirësi a ligësi, dritë apo errësirë. Dhe konstaton me dëshpërim që aty ka më shumë natë.
Ne mendojmë se kjo poezi, ndoshta nga më të mirat përsa i përket metrikës, përveç vjershërimit filozogik, na e jep njeriun ashtu siç është: një qenie të komplikuar, të ditur, plot dritë-hije të mistershme. Ja përse e quan atë me të drejtë herë ditë-nata, herë një ngjyrë të zbërdhylët pa vlerë në morinë e ngjyrave të tjera dhe herë-herë fryma e akullt e erës në kohë cingërimash, i cila ftoh keq fatet e jetëve tona të pafajshme.
Metamorfoza e këtij ligjërimi poetik të kësaj poezie është se autorja ndjehet e ofenduar rëndë, kur sheh anën e errët të njeriut, atje ku s’depërton asnjë lloj drite. Sakaq i lëndohet krenaria.
“Përbetimi” është dashuria e përbetuar e dy të rinjve të dashuruar gjer në vdekje. Ata janë të frymëzuar prej sindromës së Platonit.
Ajo, domethënë vajza, hedh hapat e shkujdesura në puhinë lodërtare mbrëmësore, nën dritën ledhatare të hënës. Ecën ngadalë, e qetë, pa iu dridhur filli i qerpikëve. Njërën dorë e mban të shtrirë drejt luleve. Aty-këtu pëshpërit ca fjalë të erotizmit të ngrohtë çupëror, e zhytur paq në një thellësi të ëmbël intimiteti. Kujtesa e vagëlluar e ndjenjave e shtyn butë-butë, si me magji, në instikte të kthjellëta.
Kurse ai, djali, i dashuri i saj, është i verbuar prej shkëlqimit të vajzës e i joshur nga eleganca e saj trupore. Gati fluturon prej gëzimit. Anipse është i përkëdhelur në krahët e romantikës e të idealizmit të flaktë.
Në këtë vëllim të fundit ka disa poezi dashurie. Ato janë të bukura, sepse bukuria e vargjeve poetike të Sonja Haxhias është si bukuria e virgjër çupërore. Kështu filozofon poetja me stilin vetjak, tashmë të konsoliduar. Pasiqë të dyja janë në simetri të ngjashme me njëra-tjetrën dhe i shërbejnë lexuesit, me devotshmëri artistike e delikatesë lozonjare, si terapi për të shëruar mendjen e lodhur. Ato, bukuria e vargjeve dhe hijeshia vezulluese femërore, janë si lëndina të magjishme me aroma dehëse, ku lajthiten të dashuruarit.
Më tutje, në krijime të tjera, poezitë janë si krahë vajze, “të shtrira në univers”. Autorja di të luajë me ritmin e vargjeve poetike, sikurse di, akoma më mirë, të japë mesazhin e nevojshëm. “Unë e ti”, poetja dhe poezia, janë të rrethuara nga të gjitha dashuritë e botës.
Ajo kthehet e rikthehet me përmallim te fotografia e nënës, tek ajo grua e urtë, e perëndishme dhe e quan atë me të drejtë “shenjtorja më e madhe e botës”.
Në përçapjet e këtij lloji, Sonja Haxha ka lëndim në shpirt e brerje në zemër, ka keqardhje, nostalgji për të shkuarën. Herë pas here kujton me dinjitet nënën dhe jetën e saj të ndershme. Kësisoj poezia e mësipërme, kjo ngrehinë artistike e ndërtuar estetitkisht me vargje të zgjedhura poetikë, është e ëmbël, e arrirë, prekëse dhe na ndërmend, përmes mesazhit filozofik që na jep, se të përkohshëm jemi në këtë botë kalimtare, prandaj duhet të bëjmë respekt për ata që vanë e prehen në botën e përtejme.

Kthim me diellin

Autorja ironizon me nëntekst portretin e zbehur të një njeriu-hiç, tanimë të harruar, anonim, pa emër konkret. Ai portret nuk i përket askujt, pasiqë ka rrëshqitur andejpari si mjegull e ftohtë mbi jetën e dikujt, pa lënë asnjë gjurmë. Për këtë arsye mbeti anonim.
Ndërkaq tek ajo, fill pas këtij momenti hidhtak, nxjerr krye ndjenja e revoltës. Megjithatë e ruan përbrenda vetes si grua e fortë, e pavarur, mishërim i idealit model femëror. Poetja magjepset me murmurimën e manushaqeve, kur çelin nga sythet. Ato janë “në dritën e vështrimit të saj”.
Dhe Sonja Haxhia “kthehet me diellin”, kthehet kryelartë. Pa humbur kohë, shkruan poezi për një zambak të mbirë në liqenin e ngrirë. Këtë e bën bukur, lezetshëm, me elegancë, me forcën e intuitës dhe pasion të matur letrar. Kësisoj vargëzon parreshtur me moral e vetëdijë të qartë dhe estetikë artistike. Ndaj thotë: “Në ëndrra të parajsës flinim unë e ti”.
Masajherë, pasi ka arritur atë që ka dashur, ndien nevojën e gëzimit të jetës, të çlodhjes dhe e mbuluar me një vello transparente fisnikërie.
Të gjitha këto e kredhin në një jetë të hareshme. Gjithaq shkruan gjithnjë nën një sfond melankolie deri-diku sentimentale, siç ndodh zakonisht në tërësi me gratë. Mandej poetizon “dëshirave të heshtura”, “ardhur në krahë qiellorë”.
Në poezitë e Sonja Haxhias spikatin lirikat tipike të virgjëra melodi vajzërore, të cilat kanë hop cilësor. Dallohet qartë plasticiteti i figurave të ujdisura mirë në libër, ndihet frymëmarrja e thellë, dëgjohen ritmet monotone të jetës, mpleksen harlisjet endacake, ritmon muzika poetike, pulsojnë ndjenjat e pastra njerëzore dhe të habisin mpleksjet e çuditshme të mendjeve fluturake femërore. Ndër to shfaqet romantika e kujtimeve të dikurshme në kohën e artë të çupërisë.
Poetja dëgjon me kujdes buisjet gëzimtare të rinisë në festa dhe sheh se si puhizat e ngrohta të pranverës cysin me butësi manushaqet. Ajo mendon vetmevete se ka ngjashmëri të çuditshme midis vajzave e luleve.
Autorja vë në lojë dyfytyrësinë e hipokritit. E etiketon atë “”larvë monstruoze në prag ngordhjeje”.
Diku, me dy-tre vargje, përçmon indiferentizmin dhe fantazmat e urrejtjes. Ashtusoj e pezmaton vrundullima e erës dimërore, e mërzit rrëmuja dhe e neverisin shëmbëlltyrat e deformuara të trajtave njerëzore, prapa të cilave fshihet e keqja. Mirëpo di të dashurojë bukur, me zemër e shpirt, sikurse në poezinë “Mona Mour”. Tek kaq, në këtë krijim fantastik, poetja vargëzon natyrshëm, dlirësisht dhe me gjuhën e ëmbël të dashurisë femërore.
Urrejtja është fantazmë, nënvizon gjetiu në një poezi të mëvonshme. Përmatanë horizonteve blu, autorja simpatike vëzhgon me vëmendje ngjyrat e zymta të kësaj bote të padrejtë, e cila në disa raste është iluzion. Por jo gjithmonë ndodh kështu. Përtej atyre konturve të paqarta shfaqen mrekullisht ngjyrat e shpresës, mandej, pas pak, oh, sa mirë, ziejnë e fryjnë fllade të butë lodërtarë dhe tok me ta vjen pranvera blerimtare që ngroh jetën tonë. Ja, këto jepen me realizëm në libër.
Sidoqoftë, hollë-hollë, poetja Sonja Haxhia nuk di të urrejë. Ajo ka zemër të madhe dhe shpirt bujar. Në qoftë se dikush, në inat e sipër, e ka prekur në karakter apo lënduar në ndërgjegje, di të sillet me të miqësisht, me kulturë dhe thjeshtësi tërheqëse, duke i falur atij një bohçe manushaqesh. Nisur nga kjo sjellje e prej kësaj butësie femërore, në poezitë e saj ka diell të ngrohtë, pranverë, lule, trëndafila, bujari, mirësi dhe jetë të shëndetshme.

Sonja Haxhia

Natyrisht, siç thamë pak më lart, në këtë vëllim të fundit të autores ka dashuri pa fund. Më së pari, pa e tepruar lëvdëratën, mund të themi me plot gojë, se këto janë krijime origjinale plot substanca poetike, të ndërthurura e erotizëm delikat. Në konceptin vizual të krijueses sonë, që është modern, Sonja Haxhia i shikon me simpati të dashuruarit rishtas, kaqsa i quan në mënyrë të figurshme njerëz të mirë dhe të sinqertë si lulet e njoma të majit. Zaten të dehur në prushin e ndezur të pasionit e të gazmendit fluturak.
Bukur, më bukur s’ka.
Poezi pas poezie, vargjet poetike të Sonjës hedhin hijshëm vallen bashkë me lulet e lëndinës, vallëzojnë me elegancë femërore e ojna vajzërishte si në një dasmë të hareshme.
Poezitë e saj, të cilat kanë bukuri mistike, e bëjnë lexuesin mirë boll të shkëputet nga monotonia e jetës dhe orët e hidhura të limontisë. Ani, pse jo, i dehur krejt, të vallëzojë me muzikën e ëmbël të vargjeve. Sepse vetë poezitë janë valle të shkapërdredhura dhe muzikë e shijshme edukuese. Ndoshta nga më të mirat që dëgjojmë përditë.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s