KUR FLASIM PËR PROZËN E KOSTANDIN VOGLIT / Nga: Aristotel Mëhilli    

KUR FLASIM PËR PROZËN E KOSTANDIN VOGLIT   

  

     

Nga: Aristotel Mëhilli          

Me Koçon (Kostandinin) kam patur vetëm një mirëmëngjes të thjeshtë për me shumë se 30 vjet si bashkëqytetarë. Kam patur per të simpati personale se pari për talentin e tij artistik si piktor, pra për një dhunti e natyrës dhe së dyti, sepse ishte një djalë ( sot një burrë ) i pamshëm e simpatik, me një buzëqeshje të ëmbël dashamirëse plot thjeshtësi, mirësi e edukatë, që shprehej në fytyrën e tij në çdo përshëndetje për këdo. Kishte flokë të dëndura, të zeza me onde të mëdha, ku një tufë e tyre binte e mënjanuar përmbi ballë si një trandafil që mbështetet mbi xhamin e një dritareje në mengjes.

Një ditë të zakonshme pimë vet i tretë një kafe fare rastësisht dhe atje mora vesh se Koçua qënkish nip piqerasiot dhe u kënaqa shumë. Kisha dëgjuar se kishte botuar edhe shumë libra me tregime, novela, romane dhe dy me gjëegjëza, të cilat ai m’i dhuroi me një kënaqësi dhe respekt të vaçantë që nuk e prisja dhe që mua më la mbresa dhe u çudita, por jo dhe aq shumë, se ne si bregdetas respektin e ndërsjelltë e kemi traditë.

Çudia me mua ndodhi kur unë lexova librat e Kocos. Vërtetësia, thjeshtësia, forca dhe bukuria e tyre me rrëmbyen dhe i lexova ato jo vetëm me ëndje, por edhe me passion rinor, sepse tani jam mbi shtatëdhjetë. Tregimet e tij aq të përzgjedhura e të spikatura nuk të lënë të lëshosh librin nga dora. Ato janë të shkruara me aq shumë dashuri, me aq shumë pastërti, vërtetësi e sinqeritet që të bëjnë për vete, të bëjne të ndjehesh jo vetëm i kënaqur, por do të thosha i lumtur, pa e tepëruar aspak.

Nuk prisja kurrë që të njihja Koco Voglin nga shkrimet e tij. Duke lexuar ato unë njoha një Koço që ka qënë një vëzhgues i mprehtë dhe i hollë i jetës, një njeri që jo vetëm e pa të mirën, të bukurën dhe njerëzoren, por i pa dhe i rregjistroi në shpirtin e tij artistik e delikat për t`ua falur si dhuratë njerëzve të dashur, brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë nëpër shkrimet e tij aq të ëmbla dhe të lavdërueshme.

Koçua nuk është vetëm një vëzhgues i thjeshtë dhe admirues i natyrës aq të pasur e të larmishëm, por edhe një njeri që ka parë e sheh brënda shpirtit dhe ndjenjave të njerëzve mes të cilëve ka jetuar, ka parë e perceptuar plot admirim gjithë madhështinë, thellësinë e ndjenjave e mundimeve të tyre në mënyre realiste dhe me duket, pa e tepëruar, sikur shpirti i tij është shkrirë i tëri në gjithë galerinë e personazheve të cilët i ka bërë të flasin, të jetojnë edhe përtej epokës së tyre.

Kënaqësia që të ngjall leximi i shkrimeve shumë të bukura të Kocos, për mua që kam lexuar tërë jetën me qindra vepra me tregime, novela e romane, veç të tjerash është i rrallë dhe i ëmbël. Tregimet jetojnë vet me forcën e tyre të madhe, që Kocua i bëri të shëndetshme, për të përballuar kohën dhe fluksin të madh të veprave të shkrimtarëve të ndryshëm sarandiotë apo dhe shqiptarë. Ai me penën e tij prej artisti të vërtetë, si një shkrimtar me përvojë dhe me një stil të thjeshtë e të ëmbël, ka arritur që me mjeshtërinë e vet të vaçantë, origjinale, artistike të përcjell tek çdo lexues ngjarje nga jeta, që të lënë mbresa të pa shlyeshme. Të detyrojnë t’i pëlqesh, të detyrojnë t’i mbash mend për një kohë shumë të gjatë, mbase edhe për tërë jetën, për mesazhet që transmetojnë nëpër breza, për figura karakteresh plot ndershmeri, dinjitet e krenari, për trimëri e zgjuarsi, për vuajtje e gëzime fëminore, rinore apo burrërore. Ai i ka shkruar të gjitha këto me dashurinë e thellë të shpirtit të tij, për njeriun dhe jetën.

Janë tepër të rrallë edhe shkrimtarët me përvojë të gjatë, që të realizojnë përshkrime aq të bukura e të mahnitshme do të thoshja, të natyrës, portretizime të fshatarëve, arave e pyjeve, pemëve, bimëve, luleve, të maleve plot gurë të murrmë, të detit plot kaltërsirë që ai dhe neve e kemi aq përzemër. Por dhe të qiellit, reve të bardha apo të zeza, të qeta apo të tërbuara, yjeve, diellit e hënës etj. Në çdo paragraf të çdo tregimi, novele a romani do të gjesh patjetër figura të mrekullushme artistike të shumta si dhe peizazhe të tëra mahnitëse, të cilat janë një garniturë e spikatur dhe e shijshme në një pjatë me një ushqim të bollshëm dhe të shëndetshëm. Ndërsa peizazhet janë si lëndina në pranverë që s`kanë të krahasuar. Dhe të gjitha këto nuk janë bërë me penel e bojëra, por me një stilolaps të hollë, elegant që na e mbushin shpirtin me ngjyra, freski e gëzim, jo vetëm mua por edhe lexues i çdo niveli qoftë.

KOSTANDIN VOGLI

Mjetet artistike që ka përdorur Kocua në shkrimet e tij, jane të shumta, të bukura, të bollshme. Pra ai është treguar bujar, sepse edhe shpirtin e tij e ka të pasur me këto bukuri, ndryshe nuk kishte mundësi të na falte të tilla thesare. Ato duket sikur i bëjnë thirrje çdo lexuesi: merri me vete këto bukurira, unë për juve i kam shkruar, dua t’ua jap juve me dashuri e respekt këto qe kam unë në shpirt, në zemër.

Çdo tregim është i qartë për mesazhin që transmeton, është i plotë dhe ka ngarkesën emocionale që  takon pa tepërime, ashtu si një automjet mbart ngarkesën e plotë të tonazhit të vet.

Këto tregime më detyruan të kthehesha mbrapsht ndër kujtimet e mia të fëmijërisë, rinisë e deri sot, sepse ato që Koçua i shkruan aq bukur dhe ëmbël, por shpesh edhe plot dhimbje e nostalgji, ashtu si i kam jetuar edhe unë dhe gjithë brezi i bashkmoshatarëve tanë të tej lodhur e të varfër.

Ashtu si një trekëndësh nuk e ndryshon formën e vet edhe Koçua këtë parim e ka vënë në bazën e shkrimeve të veta, jo si një marangoz që bën një portë kopshti me ristela, as si një hekurpunues që bën portën e një gardhi. Ai si një shkrimtar me horizont kulturor, me dinjitet dhe pjekuri, me freski rinore plot ngjyra të harmonizuara me delikatese, ka vënë në themel të shkrimeve të tij duke i harmonizuar ato me mjeshtëri tri rrymat e mëdha artistike të shekujve që kaluan, atë të klasicizmit, të romantizmit dhe realizmit. Prandaj dhe vepra e tij është e bukur, e plotë dhe e fuqishme, që do t’i rezistojë kohës, do të jetojë gjatë, shumë gjatë, megjithë fluksin e dëndur të botimeve të shumta të Sarandës dhe atdheut.

Emblema kryesore e shkrimeve të Kostandin Voglit (Koços), për mendimin tim, është dashuria. Ajo si një vello nusërie stolis çdo tregim, novelë e roman. Ajo është si karroca e nusërisë që mbahet kujtim tërë jetën, apo si një unazë a byrzylik floriri e dhuruar nga një njeri tepër i dashur, në një çast lumturie, gëzimi a feste, që sa herë e sheh apo e prek të ngjall dashuri dhe hare.

Mund të më pyesin ndoshta ata që do të lexojnë këto ndjenja e mendime që po shkruaj për Koçon, përse nuk shkrove ndonjë vërejtje apo kritikë për të? Unë përsëri përgjigjem. Në radhë të parë unë nuk jam një kritik arti, por një dashamirës, apo më mirë një pasionant i tij. Dhe kam bindjen se ose do të gaboja, ose do të bija jashtë, dhe pastaj do të më vinte turp për veten. Së dyti, mua si njeri më mungon në ndergjegje ambicia, zilia, smira, mëndjemadhësia etj. Këto ua kam lënë sakatëve nga shpirti. Përfundimisht unë jam marrë në jetë dhe deri në fund të saj, me të gjitha gjërat e mira e të bukura që ka natyra dhe njerëzit e shoqëria njerëzore, dhe dashuroj, adhuroj e respektoj ata që kanë këto vlera margaritare pa dallim.

Duke përfunduar këto pak ndjenja e mendime të nxituara, dua shpirtërisht dhe mendërisht të falnderoj Kostandin Voglin, që nuk është i vogël, ashtu siç do të thotë mbiemri i tij, për gjithçka të bukur që na ka dhuruar me tregimet e tij të këndshme dhe t’i uroj shendet dhe suksese të më tejshme.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s