Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
LOJA E JETËS
 
I thashë rrugës shtigje të hapte
rruga më çeli shtigje të reja;
i thashë natës t’më jepte dritë,
nata më ndezi qirinjtë e qiellit;
i thashë vetes, nise këtë lojë!,
unë udhës jam, deri ku të shkojë.
 
 
 
SHKËMB MBI DET
 
Këtu ku jam
me timin vend
asgjë nuk ngjet;
as fjala e buka,
as kënga e loti.
Të gjitha atje,
shkëmb mbi det.
 
 
 
PEIZAZH
 
Përkunden yjet, tretet nata
si gonxhe qyteti çelet ngadalë,
zgjidhen spirancat nëpër kalata,
lëmsh pulëbardhash përmbi valë.
 
 
 
RRËFIMI I DEPUTETIT
( Satirë )
Nga kopeja tinëzare e babëzisë
shkëputa një status të regjur deputeti,
me kopertinë të kuqe e blu të fajësisë
kalanë e kamjes ku vallë e gjeti!?
 
“… Po më dhembte padurimi – tha deputeti
të më jepej një afsh i ngrohtë mangalli
ta hidhja vallen që ëndërr më mbeti,
të bëhesha Ali Pasha për së gjalli.
 
Filloi starti dhe kohën prapa e lash’ ,
vrapova e preva të parat shirita
pastaj detin me dallgë e mora me pash
më zizëllonte thesari së largu me drita.
 
S’më mposhti ligji, s’më mposhti frika,
zaptova e ndërtova saraje me yje
vaksinë pasurise qenka politika
në gjak po ta fusësh bëhesh mal me pyje…”
 
Kështu kalëron lukunia pa hënë,
tufa korbash që dhe varret po i shkulin,
vetëm emrin gjeografik po i lënë
bregdetit sykaltër kthetrat po i ngulin.
 
 
 
PRANVERA
 
Blerimi hedh shtat në duart e pranverës,
kthehen karvane cicërima dallëndyshesh,
deti i luleve shpërthen nëpër fusha,
dashuri të reja dalin prej sythesh.
 
Parajsë e syrit ku ëndrrat mugëllojnë,
hëna ndizet në zjarre trëndafilash,
dielli thur kurora me fjongo ylberësh,
ageve zgjohen pyjet me këngë bilbilash.
 
 
 
SIRENA E TRENIT
 
Si burimi kristal që etjen e shuan
ashtu dhe ti kujtesë e mallit më je,
këngët e tua mëngjeset mi zgjuan,
ëndrrat udhëtare në shpirt mi le.
 
Vrapova me ty agimesh pa çelur
zgjoje shina e fusha me lotin e yjeve,
kumboje stacionesh përgjumur ende ngelur
përziheshe me këngët e laureshës së pyjeve
 
Mëngjesi kur zbriste,Tirana gumëzhinte
auditorët hapnin krahët të na prisnin,
këndoje stacionit të fundit kur vinte
gazmore na përcillje rrugëve që ndrisnin.
 
Sirenë e viteve me freski ere
në çdo stinë ti zgjoje sythe marsi,
idile që digjeshin si zjarre pranvere
thureshin gërshet si tingujt e një valsi.
 
 
 
ËNDRRAT MBI GJEMBA
 
Kam kohë që ëndrra më nuk shikoj,
mi vranë tek mrizi nën flladin e kroit
ku çelnin e laheshin me valët e gurrës,
putheshin me lulet e shegës e ftoit.
 
Ma prenë pyllin e ëndrrave të mia
atmosferë u bë me re të grisura,
gjethevjeshte të rëna nëpër shkrepa,
copa ninullash në djepe të stisura.
 
Kam kohë që ëndrra më nuk shikoj
kur vrapoja me krahë pranverash,
si bleta mbi lule nektarin kërkoja,
ëndrrat më mbetën mbi gjemba ferrash.
 
Seti Pezaku Vladi
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s