Poezi nga Lumo Kolleshi

Poezi nga Lumo Kolleshi

 

Copëza shpirti

Aty ku zjarri nuk di ç’është hiri
Ku flakët djegin natën me agim,
Më hapesh si fletët e një libri
Ku unë do të lexoj deri në verbim.

E prite puthjen time si fluturat e borës që bie rrallë,
Të shtronte në buzet e tua,mbi qerpikët që hapin e mbyllin një det.
Unë kisha frikën e shkrirjes nga juga që frynte gjoksit tënd të bardhë
Dhe ti kishe frikë mos bora shtronte aq shumë e bëhej ortek.

 

JAM ENDE NË PRILL

Jam ende në prill
E sytë më bëhen bletë,
Humbasin mes lulesh e nuk duan të kthehen në shtrat.

Jam ende në prill
E ndjek si i marrë gjelbërimin
Që ngjitet si frymë drejt malit të lartë.

Jam ende në prill
Sofrën u shtroj dallëndysheve,
U jap lejë të ndërtojnë foletë ne ballkonin tim.

Jam ende në prill
E dritaret i hap me kanat,
Bilbilat ta djegin dhomën e gjumit.

Jam ende në prill
Dhe kuajve të erërave
Kërkoj t’u gjej një nallban.

Jam ende në prill
Dhe reve tekanjoze
Këmishën e zezë dua t’ua gris.

Jam ende në prill
E Paganinin e muajve e dua
Të luajë kapriçot me mua.

 

SHEKSPIR, TË FALEMINDERIT!

Për katërqind vjet, në ledhet e botës,
Mund të shuhej edhe bari.
Nga etja e tepërt, mund të shterin edhe burimet,
Lumenjtë mund të kthehen në shkretëtira zalli,
Fshihen nga harta perandori e regjime.
Veç Makbethi, në një kohë kaq të gjatë,
Nuk mundi t’i lajë duart me ujin e gjithë deteve,
Liri vazhdon të klithë natë për natë
Sa shpon dhe koren e ngrirë të planeteve.
Në banjon e gjakut lavdi e Çezarit
Thërret edhe sot: “Dhe ti,biri im!”
Mark Antonit aspak s’i dhimbset i vrari,
Froni,veç froni, i vetmi ngushëllim.
Jagot edhe sot përgjojnë e thurrin intriga,
E shtyjnë tej e larg Romeot trinën e mëngjesit,
Pranë pikës së helmit mban buzët dhe sot dashuria,
Nderi dhe sot i përlyer prej llumit të vesit.
Muret e rënuara të drejtësisë
Kërkon të rregullojë i lodhuri Hamlet,
Ndaj edhe sot i çon piskamen gjithësisë:
“Kjo botë u shthur,o prapësi,o dreq!”

Për të gjitha këto ke një vend pranë diellit,
Shekspir,të faleminderit!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s