Si një gjethe mbi një trung të prerë….. / Tregim nga Zhuljeta Grabocka Çina

Si një gjethe mbi një trung të prerë…..

 

Tregim nga Zhuljeta Grabocka Çina

Më rrethonte uji i zi. I zi si nata pa hënë nën këtë qiell pa yje. Mbi kokat tona lëviznin re të murme, të dendura dhe të zeza. Por mua më dukej sikur kisha rënë në një pus a hon të thellë. Pa mure e gardhe. Nuk kisha ku të mbahesha. Isha krejtësisht e hutuar. Deti po më kallte frikë. Fasha e bardhë që gomonja linte pas, ishte i vetmi detaj që më kalamendte se ishim duke udhëtuar drejt Italisë dhe jo nëpër rrugët e ferrit. Fytyrat e njerëzve mezi i dalloja, por edhe ata mezi e dallonin fytyrën time. Ishim kaq pranë njeri – tjetrit, e dyfishi i njerëzve që duhej të mbante gomonja. Na dukej sikur mbanin njëri – tjetrin. Zemrat po na rrihnin fort. Na dukej sikur frymarrjen na e drejtonte një dorë e padukshme. Ajo ishte forca e valëve mbi të cilat rrëshqiste si e marrë gomonja. Për një çast mendja më shkoi tek shtëpia. Sa mirë do të isha atje. Kisha rënë në një kurth të pabesë e po luaja me fatin tim. Ishin ditët e para të shkurtit 1994. Edhe rrobat e trupit i ndjeja të lagura. I ftohti i natës më kishte hyrë në palsë. Të ftohtin e bënte të thëllimtë era e prehtë dhe lagështia. Shkulmet e valëve na ngrinin fort pa e kuptuar se sa larg po shkonim. Një hapsirë e pafundme uji vazhdonte të na rrethonte. Ankth. Të qarat e fëmijëve ishin pafajësia vrarëse e këtij dekori. Nuk ishim as në qiell e as në tokë. Deti i vërtetë nuk ishte aq mikpritës, sa më ishte dukur në buzëmbrëmje. I kisha përcjellë diellin e rrezet e fundit të tij me shpresë se më priste një mëngjes kthese. As më kishte shkuar ndërmend ndonjëherë se do të më robëronte nata mbi këtë masë të pafundme uji. Tek kujtoja, se si isha mrekulluar me magjinë e perëndimit të diellit, që u shua hijerëndë dalëngadalë mbi sipërfaqen e detit Adriatik, ndërsa tani po i mbyllja sytë e lemerisur. Sa lajkatar kishte qënë! Më kishte mikluar. E unë si një fëmijë e urtuar e kisha përjetuar, si të ishte vetë mrekullia. E kisha ndjerë veten pjesë të pafundësisë së tij. Me gëzimin që i flitet mikut, i fola. Edhe deti m’u përgjigj. Po, po! Më rrëmbeu në krahët e tij. U mrekullova. U shkriva në ngjyrat dhe në zhurrmat e tij. Dhe tani po më tregonte fytyrën e egër e të vërtetë. Më kishte ngritur kurthin e tij të pabesë. Po e ndjeja veten të pafuqishme përpara kësaj force të natyrës. Spazma e ankthit më shtërngoi fytin duke më kujtuar ëndrrën e bukur, që kisha ndërtuar. Në kohën e mungesave të mëdha njeriu ndërton ëndrrat më të bukura. I sheh me sy të hapur për t’u shkëputur prej realitetit vrastar. Ndërsa shihja ujin e zi, fillova të mendoja nënën e motrën. Sa do të vuanin ato, po të ndodhte gjë me mua. Loti më rëndoi mbi sy, por më shumë ndjeja frikën të më shtrëngonte fort në gjoks. Hodha sytë përreth. Fytyrat e njerëzve dukeshin si të ngrira! Sa do të desha të isha lyrek si këto foshnja në krahët e nënave që po shpërfillnin frikën. Sapo kisha mbushur pesëmbëdhjetë vjet dhe kushërira ime më kishte mbushur mendjen të nisesha me të në Itali, se do ta shpëtoja familjen nga varfëria. Isha rritur jetime. Sa shpresa na ishin ringjallur nga hapja e ambasadave. Dhe lëvizja e madhe njerëzve për të përmirësuar jetën më përfshiu edhe mua. Italia u bë për ne shqiptarët, si dikur Amerika për italianët në fillimet e shekullit të njëzetë. Shqiptarët po jetonin ëndrrën e emigrimit. Plot optimizëm e shpresa, shpërfillnin rreziqet. Tani, po e kuptoja, se ende nuk e kisha braktisur ”fëmijën” që flinte brenda meje. Isha akoma minorene dhe pa dokumentet e duhura për të emigruar. Atëhere nuk e kuptoja se sa e rrezikshme ishte kjo për një vajzë. Shumë kisha dëgjuar për rrëmbime, keqtrajtime e deri trafikime, por unë i kisha besuar kushërirës sime edhe ëndrrës se më vonë do të merrja motrën dhe nënën. Do të luftoja për ëndrrën time. Asnjëherë nuk munda të kuptoj sa kohë kishim kaluar në det, por ajo që nuk do të më shkulet kurrë nga kujtesa është një thirrje e drejtuesit të gomones: – “ Hidhuni!”
Para kisha vetëm ujin e zi. Toka ishte shumë larg. Ndjeva se dikush më kapi për krahu…u hodha pa vetëdije nga gomonja. Trupi u pllandos mbi ujë. Klitha! E tmerruar, uji i ftohtë më solli në vete. U kapa fort pas xhupit të kushërirës, që luftonte me not të kapte bregun. Trupi im i imtë dhe çanta mbi kurriz pulsonte mbi ujë, si një gjethe e mbetur mbi një trung të prerë.
Arritëm në breg. Askund nuk dukej dritë në horizont. Ecnim duke tërhequr këmbët mbi rërë dhe ujin që kullonte nga rrobat tona. Shpërfillja të ftohtit e vetëm mendoja se ku do të shkoja. Kush do të më priste? Cila do ishte shtëpia ime e re?! E vetme në këtë botë të madhe, ku kisha shkuar të kërkoja fatin tim. Pa e kuptuar kishin arritur pranë rrugës nacionale. Aty na prisnin taksitë për të na shpënë në stacionin e trenit. Secili paskëndaj do të ndiqte fatin e tij. Ktheva edhe njëherë kokën pas. Deti dhe misteret e tij përjetësisht do të mbeteshin aty!….Për të pritur udhëtarët e tjerë të natës. Qielli do t’i merrte në mbrojtjen e tij. Mëngjesi filloji të zbardhë duke fshirë me dorën e tij avujt e frymëve tona mbi xhamat e vagonave. Nën zhurrmën monotone të rrotave të tij fillova të dremis. U zgjova, kur arritëm, në stacionin ku do të fillonte një jetë e re për mua.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s