P R O F E S O R I (Në kujtim të muzikantit dhe profesorit të nderuar Aleko Kareco) /

P R O F E S O R I

Në kujtim të muzikantit dhe profesorit të nderuar Aleko Kareco

 

Nga: Leonard Bixhili

Ai vinte çdo ditë në të njëjtën orë, dy mbas dite, mbasi mësimi i instrumentit fillonte pikërisht kur mbaronin lëndët e tjera profesionale dhe të përgjithëshme. Ashtu kokulur, serioz ei heshtur, trupin ja mbulonte një kaperdinë e gjatë ngjyrë bezh që ishte pothuajse zbardhur nga përdorimi i shumtë. Flokët e bardha dhe kurizi, disi i kërusur, e tregonin më të madhë nga mosha. Kalonte brënda koridorin e gjatë të shkollës me një hap të qetë dhe kur dëgjonte ndonjë nxënës që luante në instrument ndonjë ushtrim a pjesë të vështirë nga ana teknike, gjë e cila dëshmonte se kishte ecur në program, edhe pse s’ishte në grupin e tij, i afrohej, i buzëqeshte dhe në formë dashamirësie i përkëdhelte dhe i fërkonte kokën. Kështu ndodhi një ditë dhe me mua, para shumë vitesh, por atë dorë e atë ledhatim e ndjej akoma dhe sot.
Pastaj profesori i hidhte një sy orës së xhepit dhe gjithmonë pa pesë minuta, kurrë e pesë, hapte derën e kabinës mësimore dhe priste nxënësin e rradhës. Ashtu “babaxhan” në mënyrën se si e afronte nxënësin, strikt në kërkesë (mësimi – mësim), metodik në mënyrën e përcjelljes së dijeve, profesionist në cilësinë dhe lartësinë e orës së mësimit. Si rezultat i punës së tij të palodhur u hodhën themelet e një varg muzikantëve me emër që numërojmë sot.
Mbas shumë e shumë vitesh, kur ne kishim mbaruar shkollën, mësuam se profesorin e kishin degdisur në një fshat të largët të kryeqytetit.
Po pse, filluam të vrasim mëndjen, çfarë të keqe kish bërë profesori ?…Ndoshta këngët dhe veprat e tij muzikore për lulet e stinës, që ai i donte aq shumë, për moshën e rinisë apo forcën e dashurisë, përbënin një “rrezik” për sistemin dhe shoqërinë duke i rënduar më shumë biografinë, prandaj i ishte qepur nga mbrapa “syri vigjilent” dhe e ndiqte këmba-këmbës.
Siç dukej profesori e kishte ndjerë këtë prej kohësh, ndaj qysh atëhere kur ne e njohëm, pamja e tij tregonte se diçka brënda e mundonte, por ai përpiqej të mos e nxirte jashtë, për të mos lënduar zëmrat tona të njoma.
Të gjitha këto, sidomos “transferimi”, që profesori kursesi nuk e meritonte, i dërmuan trupin dhe shpirtin.Shëndeti i tij filloi të marrë avash-avash rrokullimën.Çdo ditë e më shumë trupi i tij tretej dhe drita e kandilit po shuhej gradualisht. Ashtu në një dhomë të vogël e të thjeshtë, se profesori s’kishte shtëpi të madhe me sallone,(bile dhe librin:”Metoda për të mësuar fizarmonikën” në kuzhinë e kish shkruar), i rrethuar vetëm nga dashuria dhe kujdesi i të shoqes dhe dy vajzave (njëra banonte në Itali por shkonte e vinte rregullisht), larg kolegëve, shokëve e miqve, mbylli sytë përgjithmonë duke nisur udhëtimin drejt një “bote tjetër” ku do të çlodhej, mbasi kjo botë e kish lodhur shumë.
Ah profesor…profesor !
Me jetën dhe shëmbullin tuaj shkruajtët veprën më të madhe muzikore, këtë rradhë pa nota, simfoninë :”PAVDEKESIA”, tingujt e së cilës do na vijnë nga lartë, se ju tanimë jini ngjitur lartë, shumë lartë, dhe do i dëgjojmë ne, nxënësit e tu, kurdoherë me ëndje .

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s