JAM SHKRIRË NË QENIEN TËNDE / *Poema e autorit Bardhyl Maliqi, fituese e Çmimit I në Konkursin vjetor të Akademisë Europiane të Arteve

Poezi nga Bardhyl Maliqi
 
 
JAM SHKRIRË NË QENIEN TËNDE
 
Jam shkrirë në qenien tënde,
si një esperanto në përpjekje
për t’u bërë gjuhë universale;
në përmasa shndërrimesh jemi bërë një,
pasi unë në shpirtin tënd kam hyrë,
brenda zemrës tënde ndihem mirë,
ngrohtë e ëmbël si një fëmijë kërthi
në gjirin e mufatur prej tamlit ndihem,
këtu e filtroj intuitën, përtërihem
dhe në çdo gllënjkë qumështi rritem!
 
Është i bukur ky çast,
gati i magjishëm si pllenimet diellore,
mbi luledelen frymëzuese,
ku fluturat kalërojnë fatin e së arthmes,
ndaj në një çast si poleni ndalem
në rrjedhat e kohës së largët,
ku antikja me modernen qasen
në një zë hyjnor, të madhërishëm,
si hymni i flamurit të Gjergjit,
që valon në pafundësi vitesh.
 
Ç’rëndësi ka se kur lind,
kurdo të lindë, kudo të lindë,
ai çast mbetet madhërisht i bukur,
i dobishëm e qiellor si lindja e diellit!
Si drita e tij e bardhë rrah çdo qoshe,
rrekem të hyj me forcën që më gëlon
atje ku e pamundura bëhet e mundur,
pa parandjenja abstrakte dhe absurde,
pa paranoja delirante e psikotike,
i larë prej shiut të dhjetorit,
gëzimprurës si një rreze drite,
kur dielli flakëron në horizont
dhe takohet me paraardhësit e mi biblikë.
 
Fjala nuk është e vetmja dritë,
edhe muzika, edhe ngjyra,
bile edhe heshtja kallet në diell.
Në ritmin e tyre dita bëhet natë
dhe nata engjëllore kullon dritë!
Se nata e përpin hyjnoren e artë
kur unë bëhem Orfe, këngëtar mitik!
dhe zbres në Had
për të shtrenjtën Euridikë!
 
Botën do ta çliroj nga energjitë negative
duke i ngurosur ato përhershmërisht,
pa të drejtë ringjallje,
kur fjala ime të bëhet hymn,
kjo fjalë e shenjtë si nuse pranverore,
do të vallëzojë në tela violine,
në kuartete të reja, me shpresa të reja,
ku e bukura sykaltër,vargëzon me shije!
 
Njeriu dhe dashuria
janë flatrat e zogut të shenjtë,
që mishëron poezinë dhe shenjtëron poetin;
me stil energjik,
në regjistra të ndryshme ndjesish,
ku kacaviren kohët dhe përplasen pasionet
fluturojnë kah e ardhmja
fjalët-zogj të poezisë!
 
Bir i klanit këngëtar bëhet hero
dhe biri i luftëtarëve kryepoet,
mbreti rri në hije dhe hija bëhet mbret.
Ç’bëhet kështu?
Asgjë e çuditshme miku im,
zanafillat kapërthehen, shkrihen e ndahen
në rrafshe të reja melodish e ritmesh
gjejnë rimishërim!
 
Drita shpirtërore shkëlqen
në thellësinë e materies
duke krijuar botëra të reja
me tingujt e vet lirikë.
Nuk ka rëndësi nëse je druvar,
ndërtues apo akademik,
ti je biri i dritës që u bëre poet,
poet është fjalë e madhe,
poezia shenjohet si mit!
 
Bota jonë ekzistenciale
ndërpritet në paralele e meridiane,
ku fjalët, kohët, mendimet,
atdheu, ëndrrat, dashuritë
kallen në figura sensuale,
ku vashat e ëndërrta dhe vashat reale
kthehen në metafora
apo ndoshta simbole integrale!
 
Është vështirë të ndjekësh rrugën tënde
në trajektore drite,
mbi ty përplasen diferenca presionesh
dhe joshjesh materiale,
se kjo botë e kthjellët,
kur grigërmëzohet moti
bëhet vrastare,
e papërgjegjshme si fjalë gazetash,
si lajmet rozë,
si kronikë kriminale.
 
Konfliktet vështirë të tejkalohen,
se drithërimat e shpirtit
janë të papërkthyeshme
në pentagramet universale,
atje ku nderi dhe pandershmëria
shkëmbehen lehtë,
sërish mbreti bëhet lolo
e lolua bëhet mbret,
është vështirë të gjenden tolerancat,
vetëm sherret gjenden lehtë.
 
Demokraturat i nxorën kthetrat,
liderët e djathtë në hije
në qyrk egërsirash e fshehin frikën,
liderët e majtë në hënëza dështake
krekosen pabesisht.
As poetët nuk bëhen bllok,
por edhe sikur të bënin përjashtim,
turma nuk ndjek vargjet,
veç turret vandalisht.
 
Të zgjedhësh hapësira lirike sot,
kur sofra e bujarisë është e kërcnuar,
kur kufijtë rënkojnë nga çizmet me thumba,
është disi e parakohshme,
epet do të kishin më tepër kuptim.
Se botë-poezia e partikularizuar
në çifte nocionesh,
si rezonancë realitetesh të brishta
është mësuar të lindë!
 
Shpresat e tulta kanë filluar kalbëzimin,
duhet një motiv i ri andej pari,
që besimi të rilindë.
Mahnitjet turbulluese
të mos rëndojnë mbi qepalla,
por të kalojnë rrëpirat e vetmisë,
sa më shpejt këndejpari,
që në rrugën e lirisë të qeshë dielli
dhe këndellet shkollari!
 
Asgjë nuk ndërtohet me blloqe të mëdha,
hekurbetoni bëhet burg i hapësirës
dhe e kufizon tejmase shikimin,
e provuam dhe dështuam
njëherë me socializmin.
Përjeto detajet, ndjesitë dhe sentimentet
vendosi në vendin e vet,
perandoria e sendeve është pa kufij
dhe spektri i ngjyrave
ylber me shtresëzime dritërash të reja.
 
Drita e fjalës qartëson mendimin
në një çast ekuilibri kuptimi zë e shfaqet,
shpirti mendimtar flatron në horizonte,
aty ku tufa yjesh kullosin nëpër natë.
Qartësitë e brishta çelin si bimëza të reja
të mbushin skajet tej me gjelbërim.
Aventurat e shpresës, kufijtë e dashurisë
pa këtë harlisje s’kanë reflektim.
Kjo është ekzistenca, thelbi i saj filozofik
pa erotizmin ndoshta s’ka kuptim,
kur fjala rri gojëmbyllur,
heshtja ulërin!
 
Zhytu në vetëdije,
ajo i mbijeton vdekjes natyrale.
Konvertohen botët në kolazhe kujtimesh
dhe rënkojnë në agoni shpresat nacionale.
Konstruktorët e lirisë ka kohë që s’shfaqen,
madje as si vizitorë kozmikë;
në trupin e heshtjes nuk ka as pentagrame
melodia s’ka as kohë, as hapësirë të lindë!
 
Atdheu ka qenë mijra vjet para teje
dhe pas teje do gjallojë përjetësisht,
se atdheu nuk është lustra e sipërfaqes,
po magma që del nga thellësitë;
ndaj është kaq i dashur e i dhembsur,
është zjarri që të ngroh në shpirt!
Dhe një shpirt i zjarrtë nuk mund të ftohet,
ndaj burojnë së brendshmi vargjet, meloditë.
Në rrahjet e zemrës ndjenja frymëzohet,
ndaj vendlindja e poetit flatron kaltërsish,
universi i fjalës veç për të hepohet
dhe dielli në zenit shfaqet urtësisht.
 
Bukuritë rilindin në nuanca fjalësh,
ku rindërtohet vetja veç poetikisht,
atje kundruall imazhesh sureale,
e vërteta e thjeshtë njerëzishëm lind!
Nuk ka nevojë për fishkëllima trenash
në një transe hekurudhe shkallmuar qenërisht
nga fjala e robëruar tej kontradiktore
në një Ballkan të tejngarkar
me makthe tragjikisht.
 
Kalifornitë e fjalëve janë teje të rralla,
shfaqen në Rrugën e Qumshtit monalizat e mia,
Dardania me ritmet e zemrës trokon
dhe flamujt valon ta shohë Çamëria
dhe më kundron fytyrën ku frymon liria!
Kallem brenda shpirtit ku qëndron poeti
i shpërblyeri pa pritur shpërblim
dhe kënaqësitë e veçanta estetike
mbi gjunjët e të bukurës gjejnë mirëkuptim.
Ndërsa imazhet shpërfillin kornizat e fjalëve,
se vetëm përtej tyre rendin fluturim!
 
 
 
*Poema e autorit Bardhyl Maliqi, fituese e Çmimit I në Konkursin vjetor të Akademisë Europiane të Arteve
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s