Të gjitha fajet i ka qielli  / Tregim nga Sabina Darova


Të gjitha fajet i ka qielli
 
 
Tregim nga Sabina Darova
 
Me një çantë mbi supe, nxiton t’i afrohet chekin-it në aeroport me një grusht minutash që i premtojnë shpresë për të rekuperuar vonesën që hasi gjatë trafikut. Fshin djersët me mëngën e këmishës së përveshur dhe afrohet pranë sportelit me buzën në gaz.
” Një biletë për Tiranë”.
Për fatin e tij të mirë, rreziku për të mos kaluar chek-in zhduket. I dorëzojnë biletën.
Ndërsa kalon postbllokun drejt daljes në pistën e fluturimit, i kërkohet të shpjegohet për një aparat dëgjimi që mban në çantë.
Ardi mbledh sytë që i zvogëlohen nga paniku, por sforcohet ta fshehi përpara vështrimit ngulitës të policit.
“Asgjë, një dhuratë për tim vëlla gazetar”, përgjigjet.
Polici e kthen dhe e rikthen mbi duar dyshues dhe përgatit pyetjen e dytë:
” ky aparat është një nga aparatët më të sofistikuar që janë në qarkullim dhe me sa di unë, përdoret nga specialistë të forcave të rregullit dhe jo nga gazetarë. Thuaj të vërtetën, ku e ke marrë, dokumentat e dyqanit ku është blerë dhe cila është arësyeja e vërtetë që po e dërgon në Shqipëri?”
Ardi shtanget i befasuar nga kërkesat e policit. Nuk kish menduar as parashikuar që do i dilnin pengesa për aparatin regjistrues. E dinte që ky aparat ishte një nga prodhimet më perfekte të kohës dhe gjithashtu, kujtohej se ç’kish hequr për ta gjetur.
E kish blerë nga një detektiv privat, ish agjent i policisë dalë në pension, që drejtonte një aktivitet në përgjimet e çifteve që tradhëtonin çatinë bashkëshortore. Aparati pat kushtuar dy rroga mujore dhe ai e dinte, me sa zor i kish nxjerrë ato para nga xhepi. Nuk është e lehtë të vendosësh lekë mënjanë në Itali. Ish përpjekur duke kursyer në maksimum edhe për të mos i rënë në sy të shoqes. Jo shumë për meritë të tij, këtë ja njihte vetes, por falë Marës e cila nuk i kërkonte kurrë llogari, biles ishte indiferente. Ky indiferentizmi i saj e zemëronte dhe ishte shkas i shumë debateve mes tyre. Ajo dukej sikur jetonte me ajrin dhe jo me të si bashkëshort.
E kapte shpesh me vështrimin drejt yjeve dhe qiellit. Disa herë e kish përgjuar sepse mendonte se bisedonte me dikë kur kish dëgjuar zërin e saj.”
” Me kë flet, e kish pyetur”
” Me qiellin, ish përgjigjur ajo si e zënë në faj”.
” Me qiellin? Po çfarë i thua? A merr përgjigje prej tij?” Dhe kish qeshur fort sa muret bubëlluan dhe kishin sjellë shtrëngatë shiu mbi sytë e Marës.
“Qielli e gjen kohën të më dëgjojë dhe nuk i ndërpret mendimet”, i ish përgjigjur ajo më pas.
Mbas këtij episodi, vetmia e Marës ishte rritur. Nervozizmi i tij po ashtu.
Ardi psherëtiu dhe u përpoq të formulojë një përgjigje bindëse për të mos lejuar policin ta ndalonte, apo ti konfeskonte aparatin.
Detektivi nga i cili e pat marrë, e pat këshilluar edhe të mos bënte emrin e tij, sepse nuk i pëlqente dhe duhej të mbetej i rezervuar.
Hei dreq o punë, mendoi. Ku ta dinte që ai aparat do t’i hapte kaq telashe. Në fakt, punë i kish hapur dhe mjaftshumë. Muaj kërkimi për ta gjetur, ditë për të mësuar përdorimin, kohë për ta vendosur në provë cilësinë dhe distancat e dëgjimit, si dhe pritja e gjatë e momentit të duhur, deri kur arriti ta mbështjelli brënda shiritit provën, e cila do vërtetonte të gjitha dyshimet e tij.
” Shoh që edhe e keni përdorur”, e shkund nga përhumbja zëri i dyshimtë i policit.
” Nëse pak më parë u shprehët që është dhuratë për vëllanë gazetar, juve për cilën arësye e keni vënë në përdorim?”
Vështrimet e dy burrave u ndeshën si një përplasje thikash kur mprehen; dyshimi dhe trembja lëshuan shkëndija.
“Më falni”, përgjigjet.” Mos jam gjë i akuzuar për diçka qe nuk kam kryer” ? Nuk mendoj se ju detyrohem t’ju jap shpjegime. Më ktheni aparatin ju lutem se niset avioni.”
” Ju nuk shkoni asgjëkundi pa kuptuar arësyen e pasjes së këtij aparati dhe çfarë fsheh të regjistruar. Na duhen pak minuta sa të mbrrijë përkthyesi dhe mbasi të ekzaminojmë tekstin e fshehur në regjistrim. Nëse nuk ka asgjë kompromentuese, do ju lejojmë të udhëtoni për në Tiranën tuaj të dashur.
Ardi filloi të mbulohej me djersë.
“Jo!”- bërtiti me zë. ” Ju nuk keni punë me këtë!”
Polici nënqeshi nën buzë i kënaqur. Përvoja i fliste për diçka që personi të cilin kishte përballë e i fshihte diçka. Nuhatja ishte cilësi që ja kishin zili shumë kolegë. Në fakt, ne pak kohë kish arritur të zinte vëndin në një nga pikat më delikate të kontrollit. Sidomos tani me goditjet e terroristëve. Po çfarë mesazhesh fshihte ky aparat? Ngriti telefonin dhe kërkoi zyrën e policisë së aeroportit.
Ardit i treguan një karrige për të pritur.
Nxorri shaminë gjysëm të qullur nga xhepi e filloi të fshinte djersët. Pa pritur e pakujtuar, plani i tij po merrte rrugën e lumit. Fantazia mori rrugën e imagjinatës drejt fisionomise së fytyrës së përkthyesit, si do reagonte sapo të vendoste kufjet mbi veshë dhe do zhyste hundët në jetën e tij. Ndjeu që do bëhej gazi i botës. Po sikur të ishte edhe ndonjë bashkëqytetar, mik apo i njohur? Filloi të dridhej dhe të ndjente gjakun t’i hipte mbi kokë.
“Debil “- i tha vetes. Të kishe marrë valixhe nuk do kishte rënë në sy, do kish kaluar.
Po tani? Por dhe valixhen me çfarë ta mbushte? Ishte nisur me vrull, me një vendim të marrë me nxitim nga zemerimi dhe inati që i shtrëngonin shpirtin qysh prej një jave.
Kish këmbyer fjalë me të shtëpisë, me të vjehrrin akoma dhe më tepër. Ai i ishte kanosur nga teli i telefonit duke i ulëritur se do mirrte hakë për nderin e familjes së marrë nëpër këmbë. Ky këndej i kish mbyllur telefonin duke i premtuar t’i sillte provën e akuzës. Mamaja që çirrte faqet duke u endur nga njëra dhomë në tjetrën siç i tregonin të motrat ” po ç’qe ky turp që na mbuloi shtëpinë”, nga ana tjetër.
Në këtë lojë, ai ndjehej si një lojtar shahu që luftonte kundër kundërshtarëve të krijuar prej vetëvetes. I njihte aq mirë, sikur t’ju kish bërë radiografinë ku ju dalloheshin dhe zorrët e barkut. Dhe në këtë rast, zorrët e holla dhe ato të trasha fshiheshin tek ai shiriti i mbështjellë, brënda atij aparati që tani ndodhej në ekzaminim mbi tavolinën e policit . Çdo gjë do kish suportuar, por mendimi qe ai shirit do kalonte për pastrim nëpërmjet veshit të nje shqiptari, e acaronte akoma gjendjen e trazuar të tij.
Ai e dinte se ç’kish kaluar ato dy muaj deri kur prova i erdhi si zog pranvere mbi duar.
Dy muaj të gjatë torture, dyshimet, përgatitja e rolit për të mos rënë në sy, për ç’ka po përgatiste, ashtu edhe duke bërë rolin e budallait që nuk kish vënë re asgjë nga ndryshimet e sjelljes të së shoqes. Për 61 ditë me radhë, kish aktruar si të kish studjuar për aktor dhe regjizor njëkohësisht.
Idea për të gjetur mënyrën si ta kapte në grackë, i kish lindur ndërsa shihte një film të prodhimeve te socializmit. Televizioni shqiptar shfaqte filmat e vjetër, të cilat zgjonin mallin për kohën e kaluar. Ah sikur të ktheheshin ato kohë! Kohë që as miza nuk lëvizte nga frika, e jo më një grua që të ta dridhte bishtin me pamjen e saj engjëllore.
Një mbrëmje, ndërsa e shoqja lante enët mbas darke, ai ndoqi një film me spiunazh, modern e që bëri bujë në vitet 80′. Personazhi kryesor, ishte një spiun i dërguar nga agjentura jugosllave dhe ja, sigurimi i shtetit që nuk i shpëtonte asgjë, vendos mikrofonët përgjues në dhomën e hotelit ku ai ishte bujtës.
Sapo kaloi kjo sekuencë, Ardit i shkreptinë sytë, zemra filloi ti rrahi dhe mendja filloi punën me vrap. Kish gjetur mënyrën si ta fuste në rrjetë peshkun, e të mos dilte më i gjallë, por i skuqur në vaj të nxehtë.
Netëve, ndërsa Mara flinte e qetë në cepin e krevatit si çdoherë, ai thurrte skenat e kurthit duke ju kthyer në imtësi detajeve si një regjizor i pa përtuar. Ndërsa imagjinonte skenën, i ndizej gjaku dhe shpirti ngrihej peshë. Mbërthente buzën e çarçafit ndër dhëmbë për t’u përmbajtur, e të mos tradhëtonte emocionet që plekseshin në ato çaste. Ndjehej i gëzuar që më së fundi do t’i çirrte masken djallit që flinte qetësisht përbri. Provonte zemërim me djallin që po guxonte të tallej me të dhe që hiqej sikur asgjë nuk kish ndodhur. Aktorë për aktorë, provojmë se kush do ta luajë më mirë pjesën , e cili ka për të fituar: ajo që i ka akoma buzët me qumësht, apo unë qe kam kaluar një det me femra nëpër duar?!
Ndër dhëmbë, pëlhura e çarçafit shndërrohej tuli i llërëve të saja që ai i kafshonte me dihatje nga tërbimi. I ndizej idea që ta ngrinte për supesh e t’ja ngjishte grushtat mbi kraharor me zërin që ngjirej duke i kërkuar arësyen:
” përse ma bëre ketë?”
E vërtetë që kohët e fundit nuk suportoja kërkesat e tua të njepasnjëshme. Dëshira për të vazhduar shkollën natën, të mësoje gjuhën italiane medemek. Kërkoje të dilje me shoqe ndërsa unë isha në punë. Të merrje patentën, posii, të zgjidhje dhe punën dhe të blije libra e libra. E mendoje Italinë Amerikë, duke harruar se nga vije; nga një fshat i vogël ku të gjithë njohin sa dhëmballë ka tjetri në gojë. Duke ardhur në Itali shpresoje të ndryshoje botën, por harrove që bota e rrumbullakët siç është, kudo që t’ia çelësh dritaren mbetet njëlloj. Të njëjtat halle gëlojnë.
” Budallaqe!”
Shikimi i skuqur prej zemërimit i rrëshqet mbi qafën e saj të bardhë dhe përzihet me epshin që i ngjitet mbi grykë. O zot çfarë torture! Zgjat krahun për ta cikur atë bardhësi ndjellëse me gishtat që i dridhen dhe i ritërheq si një kurriz breshke. Ndër korridoret e kraharorit ndjen zërin urdhërues si në tavolinat e mbledhjeve të byrosë së Partisë në ndërrmarje. Shoku Ardi, Partia ju tërheq vëmendjen për mungesën tuaj në mbledhjet e fundit…
Ardi fërkon sytë i trembur nga vetëvetja. Kanë kaluar kaq vite në mërgim dhe e ndjen freskinë e zërit të sekretarit të Partisë sikur të jetë mbrapa derës.
Zëri i paepur, e ndjek, i hap udhë, e drejton, e mëson si t’ja çjerrë maskën armikut. E ndihmon të rikthehet në planin që po ndërton dhe ripërqëndrohet.
 
Është e enjte, një ditë e zakonshme. Ardi duhet të takojë një gjeometër italian për të marrë një punë. Më saktë, lyerjen e një hyrje pallati. Fton të shoqen, Marën, për ta shoqëruar dhe bashkë me të, bandillin, me të cilin punojnë sëbashku. Shqiptar dhe ai, i ri, i bukur, i fuqishëm, të cilin Ardi e ka ndihmuar duke i ofruar punë. Njeh prindërit e tij në qytetin e lindjes. Punojnë bashkë. E ka ftuar disa herë dhe të djelave për drekë. Mara nuk e ka kundërshtuar, gatuan gjellët që djalit i pëlqejnë më shumë. Më nxjerr mallin e tim vëllai i thotë. Dhe ai budallai e kapërcen si pa të keq kumbullën e tharrtë. Tru thari e merr si të vërtetë. I sheh si në tavolinë qeshen e tallen me të duke i vendosur nofkën e plakut se nuk njeh emrat e këngëtarëve të muzikës pop, të ditëve të fundit.( me Marën kanë dhjete vjet diferencë).
Qeshen me të ata, por qesh më shumë ai që qesh i fundit. Kërcet dhëmbët.
 
Përpara se të ngjiten dhe ata të dy në makinë, vendos aparatin përgjues duke u munduar ta fshehë, për të mos i rënë në sy askujt.
Fërkon duart dhe një çast të vetëm, që zgjat disa sekonda, stepet duke pyetur veten : ” Çfarë je duke bërë Ardi?”
Shkund kokën për ta fshirë atë mendim dhe shtyp butonin e ziles së pallatit.
“Zbrit”, i thotë të shoqes.
Është mbrëmje vjeshte. Ngjyrat e pemëve përthyhen magjishëm me dritat e neoneve. Mara mahnitet mbas tyre. E lumtur që po del mbas një dite të gjatë, mbyllur brenda katër mureve, nuk rresht së puthuri Ardin.
” Grazie, grazie”, i nanurit në italisht.
Do marrim dhe Leon, shton ai.
Ajo e sheh në sy dhe i ankohet përse nuk dalin një herë vetëm ata të dy.
“Gjithmonë me Leon. Vërtet e kam thënë që më zëvëndëson vëllain, por gjella me kripë e kripa me karar. Kur do jemi një herë vetëm ne të dy si çift?”
Ai nënqesh nën buzë dhe i përgjigjet me ironi se meqënëse nuk kanë fëmijë, Leo është zëvëndësuesi.
Mara e kapur ngushtë, skuqet dhe ul kokën e ndjerë në faj, me vështrimin e trishtë që humbet poshtë tapetit plastik të makinës.
Kanë një vit që provojnë për të patur fëmijë, por nuk ju ka ardhur.Magjia e pak minutave më parë, zhduket.
Ardi ndal makinën përpara një udhëkryqi ku pret Leo. Përshëndeten dhe vazhdojnë drejt shtëpisë së gjeometrit.
Shtëpia e gjeometrit, lyer në ngjyrë molle, e rrethuar nga një oborr rënduar nga lule dhe pemë ka ndezur dritat e mbrëmjes.
Ardi zbret me zemrën që gati sa si çahet nga emocionet. Ju drejtohet dyshes që ta presin në makinë se do kthehet shpejt.
Mara e çuditur, i kërkon përse nuk shkojnë bashkë, ashtu siç i pat premtuar. Më së fundi do shihte dhe ajo një shtëpi italiane të arreduar.
Ardi përgjigjet se do ndalet shkurt, për pak minuta e më pas mund të shkonin të darkonin diku në ndonjë fshat pranë.
Mara, e inatosur dhe e zhgënjyer njëkohësisht, ul sytë dhe i përgjigjet
” Në djall shkofsh, gënjeshtar”!
“Edhe ti Leo, prit këtu në makinë”, i drejtohet djalit.
” se nuk dua që gjeometri të kuptojë që nuk kam ardhur vetëm”.
Leo ngre supet dhe i përgjigjet në italisht: ” Ai ordini capo!
Ardi mbyll derën e makinës duke ju buzëqeshur të dyve dhe rrëshqet mbas portës së shtëpisë. Mundohet të qëndrojë me gjeometrin sa më gjatë që të jetë e mundur. Bisedon me të mbi kohën në Itali e Shqipëri, për krizën e papunësisë, për lulet, për të majtët që nuk dijnë të udhëheqin…
 
II
 
Ardi ndjen mbi supe një dorë. Kthen kokën dhe njeh policin me aparatin tek ja zgjat. Fytyra e policit qeshet me një ndjenjë keqëardhjeje.
” Më vjen keq për ty”, dhe qeshet.
Ardi skuqet nga turpi. Kupton që polici po tallet me të. Ai, përkthyesi shqiptar do i ketë treguar fije e për pe çka i kanë dëgjuar veshët në atë shirit të mallkuar. Dhe ja, tallja mashkullore: “Gruaja i paska vënë brirët”. Mbledh grushtat dhe një mendje i thotë që t’ja mbërthejë me grusht turinjve. Por e step veshja e tjetrit.
Polici qesh dhe i afrohet pranë veshit:
” nuk kuptohet asgjë çfarë ke regjistruar. Dëgjohen vetëm dy fjalë që shkëmbejnë një burrë dhe një grua: ai i thotë mos ja ver re tët shoqi dhe ajo i përgjigjet që jam e lodhur, nuk ja dal dot më. Më pas asgjë.”
Ardi e shikon në sy si një fëmijë dhe pyet:
” pse, ajo heshtja e gjate në makinë për 20 minuta, nuk dëshmon asgjë për ty? Nuk kanë folur me fjalë, por kanë folur ndryshe.”
” Hahahahha”, qesh me zë kumbues polici.
” Po jo more budalla, nuk kanë bërë asgjë, e kaluam shiritin disa herë në filtër dhe nuk dëgjohet as edhe një pipëtimë. Nuk e di se kush janë ata dy njerëz që ke përgjuar, por të garantoj që nuk përmban asnjë shenjë kompromentuese. Në të gjitha gjykatat ku mund ta paraqesësh si dëshmi prove, do të të qeshin ashtu siç po të qesh unë ty tani. Ah, se desh harrova, gruaja thotë që ajo ka shok qiellin dhe yjet, e i kërkon ndjesë njeriut tjetër në makinë. Sonte mbrëmja ka një qiell të bukur, shton,dhe dua ti lutem… Kaq ekzaktësisht”.
I zgjat aparatin të mbyllur në kuti siç ishte kur e nxorri nga çanta dhe largohet duke folur me vete: “Ah questi albanesi che non sanno essere uomini”!
Nga altorparlantët, Ardi dëgjon emrin e tij që thirret për t’ju afruar avionit. Është gati për fluturim.
Kupton arësyen përse gruaja flet me qiellin. I lutej për një fëmijë.
Djersët e ftohta i pikojnë mbi prehër dhe mënga e këmishës është e gatshme përsëri, ti mbledhë, ashtu siç di t’i mbledhe prehri i një nëne fajet e evlatit.
Ardi ngre çantën mbi supe dhe tërheq këmbët pa ditur për ku…
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s