Bizelja – Fragment nga novela “Jorgo Nanidhi” i autorit Timo Mërkuri

Bizelja

Fragment nga novela “Jorgo Nanidhi”

 

Nga: Timo Mërkuri

Atë ditë, me siguri që mbi shpinë kishte një mal me halle Jorgo Nanidhi, prandaj çapitej supekërrusur drejt zyrës së tij. Dhe shkallët sa të larta që ishin, thua se ishin ndërtuar enkas për ti vështirësuar ngjitjen drejt katit të dytë. Çelësi me zorë u rrotullua dhe porta u hap me një gërvimë çjerëse, e ngjashme me gërvimën që nxjerr një fyt  me bajame të ënjtura. Pranvera trokiste te dritarja me një degë mimoze por Jorgos i dukej se ishte dimri i zemëruar  që  qëllonte me shpulla ere xhamin.

-Do dal dhe nga ky dimër, do dal…pëshpëriti me vete  duke hapur kompjuterin. E kishte menduar mirë zgjidhjen e problemit, e kishte menduar mirë. Me gishta të ngrirë filloi të shtypë gërmat mbi tastierë dhe në ekran të kompjuterit nisën të formohen fjalët e para, ashtu si filizat e parë  pranverorë që dalin mbi dëborën e mbetur të fillimprillit. Do ti dërgonte një letër zotit Feruz Bushi ku do ti qante gjithë hallet. Domosdo që ai do ta besonte njëqint përqint.  E kush nuk e beson Jorgo Nanidhin kur dërgon letra …u përkëdhel vetë me vete. Pasi u mendua pak, sa për tu dhënë drejtim mendimeve që i vinin duke u shtuar, si ujrat e borës në shkrirje, ja nisi me vrull, ashtu siç dinte të shkruante vetëm ai….

-I nderuar zoti Feruz Bushi, kryetar rajonal i partisë sonë!

Siç jini në dijeni edhe ju, edhe unë kam shpallur kandidaturën time për kryetar bashkie në këto zgjedhjet e reja lokale dhe kam kërkuar mbështetjen e partisë. Por me shqetësim konstatoj se këto kohët e fundit në adresë time ka qarkulluar një thashethem, i cili me siguri e ka burimin te partia kundërshtare ose tek elementët që duan të pengojnë fitoren e partisë sonë në zgjedhje.

Besoj se ju e kuptoni se e kam llafin te llagapi “bizele” që qarkullon në qytetin tonë të bukur në breg të liqenit dhe thashethemin se ky llagap është një pseudonim që unë e kam patur dhe e përdorja kur shkruaja  apo shkruaj letra. Unë ju sqaroj zoti kryetar i partisë sonë se në kohën kur isha instruktor i komitetit të partisë së punës, kisha shoqëri me operativin e qytetit, por atij i flisja vetëm për veprime dhe mendime të gabuara të disa punonjësve të komitetit të partisë apo të komitetit ekzekutiv, por këto i bëja që të minoja dhe të dobësoja  partinë e punës dhe të sillja sa më shpejt demokracinë. Në këto raste unë nuk e kurseja kritikën jo vetëm për shokët e komitetit të partisë ( le të mos i citojmë emrat se janë shumë) por edhe për shokun sekretar të partisë, për kryetarin e komitetit apo shefat e seksioneve. Në këtë drejtim unë kam qënë shumë parimor, nuk mbaja asnjë me hatër. Por siç ju thashë, unë asnjëherë nuk i kam firmosur letrat e mia me llagapin “bizelja”, siç duan të thonë gojët e këqia.

Edhe letrat që kam shkruar gjatë kohës së punës në bashkinë e qytetit tonë nuk i kam nënshkruar me këtë llagap.   Përgjithësisht këto letra nuk i nënshkruaj fare, me qëllim që të ruaj anonimatin dhe të vazhdoj të kontriboj me vigjilencën time në ruajtjen e dinjitetit të partisë sonë.

Ja psh, për ish kryetarin e bashkisë, z Serjan, unë kam dërguar në KLSH pesë letra dhe 4 letra të tjera në qëndër të partisë sonë në Tiranë. Për ish drejtor Simon kam shkruar plot 17 faqe në nëntë letra, (unë nuk e mora vesh si i ranë në dorë atij fotokopjet e këtyre letrave, të cilat ai jo vetëm që i ruan akoma por edhe  jua lexoi gjithe inspektorëve të drejtorisë së taksave në një mbledhje apostafat). Por le të vazhdojmë me kontributin tim letërdërgues, për drejtorin ekonomik shkruajta dhe dërgova vetëm 5 faqe ndërsa  shefin e urbanistikës  e palosa me 6 letra.. Shefi i INUV-it shpëtoi vetëm me tre letra se iku nga puna shpejt ndërsa drejtorin e shërbimeve e kisha meze të mëngjesit, gati çdo javë nga një letër. Edhe kryetari i ri i bashkisë nuk ka shpëtuar pa gjë nga unë, por për këtë do të llafos tjetër herë.

Pra kontributi im nuk është i vogël në shërbim  të zbulimit, demaskimit dhe luftimit të korupsionit. Do thuash ti..- a kisha fakte unë për ato që shkruaja? Unë konkludoja me llogjikën time, po të isha unë në vendin e tyre do bëja ato që unë shkruaja sikur i bëjnë ata. Pse ndryshe nga unë mendojnë dhe veprojnë ata. E di ti atë historinë e dy vëllezërve të verbër? Jo ë. Ja ta them unë…

-Dy vëllezër të verbër u ulën të hanin bukë e ullinj në sofër. Befas i madhi i thotë të voglit …Ore vëlla i vogël, pse i mer ullinjtë dy e nga dy ti. – Jo …i tha i vogli, unë i mar një e nga një. Gjyshja që e dëgjoi bisedën e pyeti vëllanë e madh. –More  bir, po edhe ti je i verbër si yt vëlla i vogël, ku e pe që i mer ullinjtë  dy e nga dy.

-Pse ndryshe nga unë do bëjë ai spurdhjak – ja preu vëllai i madh.

Pra unë llogjikoj, ata spurdhjakë, ndryshe nga unë do bëjnë?. Por nejse, ajo që doja të thoshja është fakti se unë asnjë letër nuk kam nënshkruar me llagapin “bizelja”.

Kjo puna e të shkruarit letra në organet e larta është si biçim ADN në shtëpinë tonë. Babai im, megjithëse ishte pa shkollë dinte ti qëndisate bukur ‘kartërat”, siç i quante ai dhe tja dërgonte qeverisë lart në Tiranë. Një kryetarë kooperative, dy shefa llogarie e një drejtor shkolle u shkarkuan nga letrat e tij. Unë bëra aqë sa munda dhe vazhdoj të bëj modestisht punën time. Traditën e vijon me sukses im bir, ai me dipllomën e famëshme  nr 274 të Kristalit, i cili në  6 muaj punë në spitalin e qytetit ka bërë një letër për drejtorin, dy për shefin e financës  dhe nja tre për ca doktorë, ndërsa për infermieret e ka gati nga një letër çdo javë. Si I ri që është, këto letra I dërgon vetëm te inspektorët e krimit ekonomik këtu në qytetin tonë, jo lart në Tiranë. Po nejse, ka kohë dhe për këtë punë, do mësojë pak nga pak.Vërtet që këto letra unë ja redaktoj dhe i korigjoj ca gabime ortografike, se është pa përvojë, por punën e bën vetë ai. Do ja marë mirë dorën  zanatit se është i ri me vullnet për të mësuar. Tërë ditën derë më derë rri e (për)dë-gjon. Me këtë rendiment pune që ka mund të marë shumë shpejt ndonjë dekoratë .

Por as ai nuk i nënshkruan letrat me llagapin “bizelja”.

Që të jem i sinqertë, llagapi “bizele” për mua ka dalë, por në një drejtim dhe kuptim tjetër. Me qënë se unë jam mësuar ti hap zemrën partisë dhe juve shoku kryetar, po jua sqaroj sinqerisht, duke patur besim se do ta ruani konfidencialitetin.

Këtë llagap  ma ka ngjitur shoqja Y, ose më saktë ish shoqja Y, pasi ajo kaloi në partinë tjetër dhe e lufton partinë tonë . Dmth, duke qënë antare e këshillit në grupin e këshilltarëve të partisë tjetër, gjithmon kundërshton këshilltarët tanë dhe juve zoti kryetar. A ju kujtohet që e pyetët një herë  në mbledhjen e këshillit se pse na kundërshton kaqë shumë.

-Nuk më kini shërbyer… tu përgjegj ajo prerazi.

Ju nuk e kuptuat ku e kishte fjalën ajo për mos shërbimin, por dëgjomë ta sqaroj unë. Ishte një kohë që me shoqen Y kisha nisur një roman rozë. Ti e di që për të nisur romane unë jam i vetmi. (Tjetër gjë është të  bitisurit, gjë që është jashtë kësaj teme). Po nejse. Një ditë kur kishim shkuar për ca verifikime në zonën  eksa-male (gjashtë male) u ulëm në kafenenë e një hoteli të pushonim e të bisedonim qetësisht. Biseda nisi të marë zjarr dhe  hymë në një dhomë hoteli. Ne hymë që të qetësoheshim, se ju e dini që me antarët e partisë tjetër unë nuk bëj gabime, Por nejse, hyra në dhomë i dyti dhe duke menduar që fillimisht të bëja një dush, mqse isha shumë i lodhur dhe i djersitur,  nisa të zhvishem. Sa u bëra gati të hyja në dush, ma preu hovin shoqja Y , e cila me një të folur ironik më tha:

-Po pse more Jorgo Nanidhi, me një bizele dhe dy kokra bathë dashke zotrote të bësh supë? Akoma nuk e ke mësuar ti, se për një supë duhen së paku dy patate dhe një karotë. Madje karotë e madhe dhe e plotë, që të  të shijojë  tamam supa, o Jorgo Bizelja!

Dhe pa e zgjatur doli duke përplasur derën. Unë shtanga në vend. Nisa të shoh me habi,  ku qenë bizelet e bathët, se spo gjeja gjë. Kërkova madje edhe poshtë krevatit por prapë hiç asgjë.

T’ju sqaroj një gjë shoku kryetar. Këtu fajin me siguri e ka ai Simua. Dhe ja se si : kamarieri që na shërbeu kafen ishte me origjinë nga një fshat tre male afër fshatit të Simos dhe me siguri që ky i fundit e ka porositur  që, gjatë shërbimit të na hidhte ndonjë gjë në kafe. Tamam sin ë ato filmat me spiunë. Ndryshe s’ka si të shpjegohet që mua më ishin mpirë e më ishin mbledhur gishtat e dorës, gishtat e këmbës dhe gishtat e tjerë, të cilët nuk i ndjeja fare. Nejse, për Simon, do bëj më von një letër tjetër unë, ke për ta parë.

Pra zoti kryetar rajonal i partisë sonë, këtë problem doja të të sqaroja, me qëllim që të pastroja emrin tim nga balta që hedhin armiqtë e partisë sonë. Unë besoj se pas këtyre sqarimeve ju do ta mbështesni kandidaturën time dhe unë nga ana ime, ju premtoj se nuk do shkruaj më letra i për ju. Do thuash ti, pse e vë unë kandidaturën, kur dihet që nuk do ma miratojnë shokët e partisë. Arsyeja e kandidimit tim është shumë e thjeshtë zoti kryetar se mua s’ma vë veshin as gruaja e jo më të ma varë qyteti. Por marifeti është se unë bëj zhurmë e shpall se kandidoj për kryetar me qëllim që tjua hedh  kryetarëve që   kandidojnë. Kështu që ata, në përpjekje për të mënjanuar rivalët, duke u trëmbur nga kandidimi im,  më marin mua me të mirë  dhe pas tërheqjes sime,  më emërojnë nën kryetar pas fitores së tyre . Ky është një marifet i vogël që pak veta e dine, por mua më ka nxjerrë në selamet. Me këtë marifet ja punova edhe  kryetar Serjanit kur doli në fushatë. Fitorja e tij ishte më shumë fitorja ime.  Epo fitorja arihet me mënd e jo me vrap, po ku i di ti këto o shoku Feruz Bushi. Po mos u bën merak, do ti mësoj unë më von. Vetkuptohet, pasi të mbështetësh kandidaturën time. Por jo dhe aq shumë ore, se mos më vëni vërtet kandidat. Ku e si të mbytem unë pastaj? Apo të heq dhe dorë nga letrat. Gjë që s’bëhet kjo zoti kryetar, unë letrat i kam në gjak.

Rroftë partia !

Me respekt Jorgo Nanidhi.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s