Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

KËNDONTE SI HYJI DARDAN

Ai njeri i madh këndonte si rrapi
Disa këngë të gjata,
Këndonte për vdekjen e qyteteve
Dhe lindjen e njerëzve.

Lahutari i verbër
I gjente për mrekulli fillet e këngëve
Dhe deri te mbarimi
Me javë të tëra nuk mund të mbërrinte.

Fshat më fshat shkonte me lahutën
E gjyshit të vet,
Kudo këndonte të njëjtën këngë
Për shfarosjen e njerëzve.

Këndonte edhe për rrënimin e qyteteve,
Asnjëherë nuk pamë lot
Në zgavrat e kokës
Që i ngjante zgërbonjës së lisit.

2.

Kur na erdhi lajm i kobshëm
Për vdekjen e lahutarit,
Më duket se
Na vdiqën të gjitha këngët.

Por jo,
Ngjau e kundërta,
Si nga dheu dhe baladat e lashta
Doli një djalosh sykaltër,

I cili edhe më mirë
Se lahutari i moshuar këndonte
Për plagët e pashëruara të atdheut
Zëri i dëgjohej si i Hyjit Dardan.

 

 

NË DJALL TË MALLKUAR SHKOFT

Nën çatinë e djegur
I paskan thyer e dhe xhamat e errësuara,
Në bibliotekën e qytetit
Nuk paska mbetur as për ilaç ndonjë libër,
Qenkan djegur edhe fluturat.

Kush ishin dhe cilit soj
I takonin vandalët e librave të vjetër.
Paskan djeg Biblën dhe Kuranin,
S’paskan lënë në faqe të dheut
Asnjë libër në gjuhën shqipe.

I poqën edhe pëllumbat e paqes,
Nuk lënë zog të lirë
Të fluturojë në qiellin e vjedhur të Kosovës,
Si zjarri i keq hynë në secilën shtëpi,
I vranë të gjallët dhe të vdekurit.

Nuk lanë fotografi nëpër korniza,
E bënë copë e grim statujën e Krishtit,
S’lanë ikonë pa pështyrë,
Ky soji i keq prej djalli të lig
Në djall të mallkuar shkoftë.

 

KE RËNË NË PROVIM MOJ EVROPË

Ata që u zhdukën nuk ishin hije
Por njerëz
Prej mishi dhe gjaku
Një dorë e zezë i kidnapoi
Secili prej tyre
La nga një kujtim te pragu i derës
Ose në përqafimin e gruas

Ata i zuri një dorë e zezë
Vrastare si nate
Dhe kurrë më
Nuk i ktheu në gjirin e familjes
Ju thashë se ishin njerëz
Bijtë e nënave dhe burra të nuseve
Baballarë ose vëllezër të motrave

U tretën si kripa në ujë
Flitet se ndoshta nuk ka mbetur
Asnjë copë ashti
U është oksiduar mishi i kripur
Nëpër oxhaqe furrash
Evropë ata ishin njerëz
Burra të grave e fëmijë të baballarëve

Përse i shëmbëllen gurit të varrit moj Evropë
Koha është të na kthehen djemtë
Nënat e thinjura nga dhembjet
Të kthehen nëpër djepa
Foshnjat e kidnapuara
Ke rënë në provim moj Evropë
Ke rënë në provimin e njerëzimit.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s