Poezi nga Rexhep Hoti

Poezi nga Rexhep Hoti

S’mund të rroj me zemër…

Si plaku i vyer që thur një gardh,
M’i mbyll të gjitha shtigjet;
S’kanë kah kalojnë mendimet e mia për ty;
Mëri mos më mbaj, më thua,
E zëri i mbushur me dridhje tingëllon krejt faj.

Po!
Zemra ime është e krisur!
S’dua ta honeps aspak;
Oh, krejt kot e ka ajo!
Përse rrahjet i tmerrohen aq keq
Kur ti t’i kalosh vetëm përskaj!

Nuk mund të rroj me zemër në Kosovë!
Gjithandej shoh gjurmë dhëmbësh me helmim;
Mos ma ligështo kundërshtimin;
Thyhem kur të bie prej teje në mijra grimca,
Mos më dashuro!
Koha për ne është një mashtrim!

Oh, nuk ke stinë për mua!
Mbi pllajat tua shtrezon veç brymë
E perëndimi në atë shkëlqim me ëmbëlsi qesh;
Qysh tash kam vaj nëpër ndjenja unë;
Nuk e di ku ta fsheh,
Nuk e di ku t’i humb
Kur ti më të mos jesh?!

Mos ma lërë prapa kohën e dashuruar,
Pashë atë Diell!
Mos ma zhvirgjëro gjoksin e gufuar,
Pashë atë qiell!
S’mund të jetoj më pas,
S’mund të vdes!
Pashë atë dhé,
Ik, pa kthim,
Kurrë, i imi s’je!

 

Pushtim i vështirë!

Magjinë e Diellit e ke pushtuar më lehtë
Se Zeusi kur e mori nën sundim fronin e Zotit;
E ke vënë në buzëqeshje në anën e djathtë të buzës,
E ke derdhur si krua,
Të lanë duke të bekuar nëpër trupin e bukur,
Teksa e mban mollëzën e majtë me pëllëmbë,
Skajuar në qendrën e botës,
Aty është ai mes
Kudo që ti rrezon,
Me fustanin e ngjyrave këmbën përmbi këmbë!

Më ndalon të hyj në portat e qytetërimit të pashkelur,
Ke frikë ta pranon zjarrin e fjalëve që prej poetit mbijnë;
Ndjenjën e shpërfill me Kushtetutën e varfanjakëve,
Të mjerët i vunë shpërthimit të zemrës ngojëz,
S’janë rritur njerëzit ende,
Ajo s’ecën dot e vetme e lirë,
Duket krejt e kotë pesha e frymëzimit;

S’mund të mugullojë e veshur
Nga avulli i fjalëve të mia;
Mbi melodinë e ndjenjave
Vallëzon e lirë dashuria!

Je strukur rrëshqanë në marsin që ndan stinët,
Me guxim të papërmbajtur natyra të zhveshë në minifund,
E ndjen gjuhën e çarjes së luleve gjersa çelin
Mbi shtrezën e tejdukshme të bardhësisë së kristaleve
E në fytyrë të bie një valë e kuqërremë,
Pa dashje pëshpërit nga thellësia ku buron fuqia jote:
Inteligjencia nuk ka mend!
Ajo e bartë të bukurën në vetvete,
Si mëkatare e veçantë e kësaj bote!

 

Aroma e zemrës

Unë
S’të them vetëm rëndë,
Me rrëmbim,
Ta hanksha atë zemër!
Të ha erën e bukur të saj
Mbi gjithçka;
Ajo i ngroh njerëzit,
Është fotosinteza që dashuria e ka.

Ti
Më shikon e habitur
Me pamjen e buzëqeshjes që të bie me dhelka;
Më thua nuk e di a ka zemra erë?!
I tradhtuar nga bukuria e qeshjes
Më rrëshqet pa dashje
Thesari i gjithkohshëm i fshehtësisë,
Shpirti im;
Prej saj burojnë të gjitha aromat:
Në tokë,
Në qiell
Dhe përtej kopshtit qiellor të Perëndisë!

Prishtinë, Pranverë 2018
©rhoti

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s