Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Poezi nga Seti Pezaku Vladi
 
 
SHPATA
 
Lulëkuqja në fusha për ty këndon,
zambaku mbi shkrepa e vala mbi valë,
këndojnë Torviollet e përvëluara
ortek i shpirtit të ndezur pandalë.
 
Përvëlonte etja e tretur këngëve
kish mbetur si fjalë e artë hyjnore,
ishte një yll i qiellit të ndezur,
një copë e tokës Arbërore.
 
Në shekuj e tretur, një këngë e heshtur,
si yll mënjesi një vjeshte fluturoi
buzë një qielli,një reje, një mali,
zbriti me mallin e artë ku luftoi.
 
Zbriten dhe malet me sy ta preknin,
erdhën dhe fushat me flokët zverdhuar,
përkulen para saj,simbolit madhështisë
në flakë betejash kalitur, temperuar.
 
Në Belveder shkrihet shpata me legjendën,
sikur Gjergjin mes betejash e pamë,
si Luan Sfetigradit djegur nga topat,
Vajkalin e mbushur me osmanë të vrarë.
 
Dora prej lisi e shpata në një zemër
në një shkëmb lirie, djegur përvëluar,
të dyja një këngë në lot ére legjende,
gishti dhe unaza e flamurit kuqëluar.
 
 
 
PRES AGIMIN
 
Dhimbja kreh flokët
në kurrizin tim.
Gulçon ditë e natë.
E verbër është,
s’din ku shkel.
 
Asnjë s’e dëgjon zërin e saj,
ngujuar rrin me dhimbjen tjetër.
Nëpër buzët e lutjes del fjala,
asnjë fytyrë s’ia kthen përgjigjen,
veç heshtja e natës
gërshet me dhimbjen,
krahëvarur mbi supet e qytetit.
 
Nga dritarja e dhomës
shoh lakuriqin e natës,
përplaset symbyllazi
nëpër muret e ballkonit.
 
Hëna,
e pjestuar në kokërriza yjesh
drite dhe nate
mbledh fijet e erës
shpërndarë në gjoks të pranverës
dhe dremit mbi kurorën
e mbretëreshës Teutë.
 
E pashë hënën
kur e puthi agun
dhe u fsheh.
 
 
 
EKRAN DHIMBJE
 
Ikët të trembur kur muret po shembeshin,
brigjet vërtitnin natën nëpër duar,
loti i përloti nëna e baballarë,
dhimbja kacavirrej gjokseve dërrmuar.
 
Vrapuat drejt një shprese me tinguj jete,
shtegtuat si zogjtë,kruspull tokën lënë,
u endët nëpër vise si gurë të vetmuar
me dashurinë e bekuar të folezës nënë.
 
Vitet e jetës u këputën si vjeshtat,
u zbardhët perëndimeve të përmalluar,
me jorgan malli trupin e mbuluat,
rrugët veshin mjegulla asfalte shtruar.
 
Kur ikët ju, lulet s’kishin çelur,
sot, me tufa në duar brigjet ju presin;
janë trëndafilat tuaj që keni mbjellë,
folesë së mallit kostum t’ia veshim.
 
 
 
ËNDRRA TË VRARA
 
Përfund ëndrrave të vrara,
përtej pritjes së gjakosur
në kornizë të shpirtit
me gjurmë fërgëllimash,
klith një zë vajtues…
 
Me rrezet e syve
do t’i bleja vitet e humbura
shpërndarë qiejve pa hënë,
asfiksuar
honeve galaksishë të panjohura.
 
 
 
PËRTEJ DIMRIT
 
Pranvera i rrëzoi muret e dimrit.
Çel një lule poshtë gëmushës,
zbardhen degët e një peme,
shall të blertë i hodhi gushës.
 
Me grushte gjelbërimin netëve derdh,
ndizen ngjyrat si yje vere,
avullojnë ujërat e bëhen re,
qiellit kthehen në ylbere.
 
Përcjell era simfoni krojesh,
harlisen zogjtë në krahë pyjesh,
n’akuarel hëna shkumon petalet,
sytë e pranverës me qerpikë yjesh.
 
 
 
KALLI GRURI
 
Skulpturë s’u bëra në mbretërin’ e gurit,
as papagall i karrigeve elitë,
as sup i harkut “Montagë e Kapuletë”,
as hije çadre në të nxehtat ditë.
 
U bëra shkreptimë e ëndrrës fukarasë,
gurgullimë kroji me burimet e bjeshkës,
një kalli gruri në sofrën e ngratë,
një kupolë dashurie me floririn e vjeshtës.
 
@seti pezaku vladi
11/04/2018
Advertisements

One thought on “Poezi nga Seti Pezaku Vladi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s