Dy studente t’vonueme / Nga: Elida Rusta

Dy studente t’vonueme

 

Nga: Elida Rusta

Njimend nuk e mora vesh si m’kish zánë gjumi. Pata shkrue herët e lapsin kapë vonë. Ndoshta se nuk deshta me u bá vajtojcë moderne,as me shkrue nekrologji për t’gjallët. U poqa me u bá má e bukur si ndjenjë. Banorët e tokës e duen ferrin e në parajsë nuk ka shërues plagësh. Me asnjë prej njerëzve që i kam miq e që i kam dáshtë, nuk kam lind e njoftun. Má vonë i kam pá e njoftë, i kam dashtë e kam fillue me mendu e me ec drejt tyne. Kur rrit gjithçka përreth i vlerëson, sidomos monumentet, paçka se dikush i quen “baraka të shembuna”. Ka një alkimi që veç poetët e kanë, ajo i lidh, i bán njerëz jo të zakonshëm. Nuk i besojnë dikujt që sajon edhe luftë edhe paqe njiheri. Si i gjykon Elindë, prej kësaj afërsie? Më báhet se në atë botën tjetër që nuk e dimë ku ásht, goxha të afërta kemi qenë. Me e dashtë nesër një njeri që nuk e njeh sot, ç’ka ká? Kur duhen gjenden, kur nuk gjenden ándrrohen. Kjo frymë e re jona, u rrit n’dy kopshtet, si zjerm që rrin ndër hi e pret erën me e zblue, andaj u bána frymë unë. Të lexoj edhe kur nuk shkruen, atë që shkruhet e lexojnë të tánë, edhe t’dekunit. Na jetojmë si dy studente t’vonueme, mes të cilave nuk ekzistojnë rregullat komune të botës, jetojmë sa me ditë si ásht e mira dhe e liga. Kena boll. Si hithë që ka shumë efekte kuruese je, por po e preke të djeg. Ti ftesa e parë që m’báni Zoti me shijue poezinë, jetën. U kape për thonjsh mbas mendjes téme. Shikove larg, thellë e pastër. A të erdhën ándrrat atje? U deshtën njëzet e gjashtë vjet me u vërtit si Odisea me gjetë Itakën që m’priste, pa e ditë se e kam afër. Ftesën e dytë ma bani dikush prej halli, ndokush prej malli, shumëkush me mblue njollat e veta tuj drejtue gishtin prej tjerëve. Afërmendsh! U hoqa notë në sjellje, i lashë në klasë. Panairin e ndjenjave me ngjyra nuk e mbylla. Të ngjashmëve me ne u hapa shteg tjetër, përmes poezive drejt e në ándërr, se ándërr ásht dashnia, s’ásht prej materie tokësore, por mburoja má e mirë e rinisë që nuk ikë.
E sheh që s’jam egoiste? As e dëshpërueme. Ishte zgjim. Zgjim i stuhishëm.Çadër në shi, mbulojë në dimër. Shoqni që flet për gjithçka, për një recetë ámëlsinash, që shan burrecët jashtë të sotmes, vjetërsina si konserva bosh,shtypun e ndryshkun. Miqësi qê nuk rreh shplakë si tjerêt kur diçka nuk i pëlqen, që sfidat nuk i ka telash, por ja then gardhiqet kësaj jete së cilës i kanë mbetë veç fëmijët prej nánave t’vërteta dhe poezia. Mban mend tetë ditët në Atdhe e të nantën me Ajkunën? Binte shi e rruga ish e rrëshqitshme sa u tuta se nuk po t’mbrrij. S’kisha qysh mos me e kujtue n’dhjetor, tetorin e Kuvendit. Ma qite nji gotë ujë në derë të sokakut t’Michiganit si malësorët e Mirditës kur kanë sajdis kalimtarët e rastit prej udhës së lodhshme. Për mue ish si me fitue pa hile breshka në garën e vrapit me lepurin. Sa e keqe kambngulja e femnës! Si luani që s’di ç’forcë ka. Ma lidhe fatin në bjeshkë. Ti me atë karakter të egër e shpirt fllad ,m’báne me shpërthye, horizont, livadh, pyll, borë e prapë liri. Si ajo natyra me katër stinët e saj. Cili i çmendun u ankue prej mbështetësve. Ndryshe krejt me sulmuesit, ata nuk zgjidhen.
Ku po pimë kafe sot? N’gurgullimë të Valbonës a te kafja përbri kishës së Rrubikut? Hajde si n’shpi tánde, pa duer n’xhepa. Unë jam muslimane shtatë brez po Krishtin nuk muj mos me e dáshtë. Paganët e thekun e të përbetuem jo. As dreqnit e t’birët. Nuk pres me e lyp te gjindja Zotin. Unë e kam prej mishi. N’daç më prit atje. Dëshira jote ásht e fuqishme, bán mrekullina. E paç fatin me pá kur të lëshoj bulëzat e fundit të frymëmarrjes, pëlhurën e venitun t’shikimit nëse s’kam me ditë me qenë mirënjohëse. U mbytsha n’ Fan të Mirditës nëse nuk ásht ndie ngazëllimi jém, deri n’Mollë të kuqe atë ditë që u pamë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s