Poet më bëjë ta dua Shqipërinë, unë kështu do kisha thënë kur ne sot kemi shumë poetë / Nga: Safet Hyseni


 

Poet më bëjë ta dua Shqipërinë, unë kështu do kisha thënë kur ne sot kemi shumë poetë
 
 
Nga: Safet Hyseni
 
Vërtetë a është shkrimtari i lumtur dhe kur, ia bëjë pyetjen shpesh vetes?! Kur vargu reflekton, dashuri, mall, dhimbje, gëzim… si ndihet ai? Ka mundësi të mos ndjehet i lumtur edhe kur ka prekur majat e letërsisë, se në brendësi të tij kanë hap fronte dhimbja, malli, dashuria të cilat janë shpirtërore dhe identiteti i tij është rob. Robëria i nxjerr të gjitha jashtë se e ka mund frikën, apo është lidh për flokëve të guximit. Ai nuk mund të jetë asnjëherë i lumtur se është i ngarkuar dhe po të mbetet i tillë bënë krim, edhe pse në fund kur merr udhën e pakthim sërish nuk e ka thënë fjalën e fundit dhe as që do të arrijë kush ta thotë. Poeti çdo herë është në kërkim të atdheut edhe kur shkruan lirika, edhe kur shkruan për mallin, dhimbjen apo lumturin e gëzimin. Këto elemente i ka vetëm ai i cili është veshur me teshat e dashurisë për atdhe dhe liri. Dhe identiteti i tij sa do që të fshehet me anë të vargjeve, vije momenti që në një apo dy krijime të shpërthej. Një pasqyrë të tillë me shumë ngjyra tradite, malli e dashurie të trashëguar na e përshkuan bukur poetja Izota Rexho Haruni në vargjet UNË JAM ÇAM (Baladë e dhimbjes së trashëguar). Unë dua ta përsërisë; “Poet më bëjë ta dua Shqipërinë”, se vetëm kështu do e kuptoj se jam rob mangësive, turpeve… se vendit të cilit i përkasim është në sprovë ngase si duket “Kutia e Pandorës” dikush që moti e ka hapur. Po them se poetët janë me shumicë dhe sikur ata/o. Ta duan Shqipërinë, udha dritësohet. Shpesh dëgjoj bile edhe nga poet “Ç’bëri Atdheu për mua?”… dhe unë u jam përgjigjur me një thënie të Niçes… “Një i tallur apo një turp i dhimbsur. / ç`është majmuni për njeriun ? Ç`keni bërë ju, atë të tejkaloni?” Që të mos bëhemi “një turp i dhimbsur” , vargu duhet të ketë vlerën tërheqëse estetike ashtu siç na e bënë poetja Izota. Ajo me një mjeshtëri të rrallë duke shpalos mallin e babait të saj në mënyrën më të sinqertë na vesh me teshat kombëtare, me traditën, bukurit e mallin e Çamërisë. “Qava mbrëmë për ty/ me zëmrën e zhuritur nga malli,/ mendja nuk u largua kurrë,/ nga vatra ku bubulonte zjarri”, janë vargjet që nisin këtë baladë sa të dhimbjes aq edhe të krenarisë dhe mishërimit për dheun e lindjes. Vargu i fundit të detyron që të futesh në thellësi dhe të kërkosh ta shtrydhësh çdo varg që pikon mall, dashuri e dhimbje, por dhe mjaltë që të bënë ta shijosh. Në vazhdim ajo përshkruan aq bukur vendin e lindjes së babait që ka erë kripe, mure me gur stralli, ullinj e limon por që tani i sheh nga larg më sy të përlotur të mbetur djerr. Poetja nga vargu në varg bart gjithë atë krenari me lot e dashuri por që kur nuk i është nënshtruar të keqes e as dhimbjes, ajo me shumë art na e bënë që dhe dhimbjen ta duam. “-E dini…./ Unë Jam Çam…/Atje kemi shtëpitë, kemi tokë e bagëti,/ atje baçi,/ atje do të shkojmë një ditë.”. ajo me shumë kujdes e bart shpresën e babait të saj, pa lënduar asnjë, por duke na mbushur me mall. Të rrallë janë poetët që të detyrojnë të rrish mbi vargjet e tyre një kohë të gjatë. Atdheu do art, dashuri e mall. Izota na e dhuron; “Ahhh… O baçi,/ Në Çamëri ne e kemi shtëpinë,/ atje është parajsë./ S’ka natë, as qiell me re,/ atje në tokën e mjaltë./ Në Gumenicë, pak më tej, ….”. Dialog i bukur me kujtimet, dhe ky dialog përjetësohet nga pena e ndritur e autores me prejardhje çame.
 
 
 
Izota Rexho Haruni
 
Ajo shpesh na e sjell vargun “Mbrëmë qava për Ty”, varg që dëshmon për të gjitha vlerat që ajo na sjell më pas. “Mbrëmë unë qava me sytë e tij,/ me ata sy që në bebëzat e syve të mi janë,/ për tu çmallur edhe tani,/ për t’u çmallur edhe pas vdekjes,/ në trupin tim je ti. / (Ti bashkë me Çamëri)”. Mesazhi është tejet i qart dhe domethënës, se historia nuk matet me ditë e vite, se shpresa që ushqehet jep dhe fryte. Andaj ajo e përfundon në mënyrën më të mirë që mundet ta bëjë një poet; “Unë… bija jote mbaj të tënden brengë,/ të tëndin mall,/ Trashëguar kam edhe krenarin e fjalës/ UNË JAM ÇAM…”. Poet më bëjë ca vargje ta duam bashkë Shqipërinë!
 
 
UNË JAM ÇAM
(Baladë e dhimbjes së trashëguar)
 
Qava mbrëmë për ty
me zëmrën e zhuritur nga malli,
mendja nuk u largua kurrë,
nga vatra ku bubulonte zjarri.
 
U plake o Baa, larg shtëpisë,
larg mureve me gur stralli,
larg erës së kripur puthur me djell,
tek përqafonte ullinj e limon,
e njëjta erë tani i sheh djerre.
 
Nëna pret t’i kthehet djali
Ahhh…djali
sëmundja e vrau në kujtesë.
Nuk njihte në isha bije a motër,
në kish vëlla apo mbesë.
Harroi ç’do gjë, kuçedra e mundi.
 
Çamëri…
ty kurrë nuk të preu në besë.
Nuk të harroi,
shpesh qante
e mbante kraharorin me dorë,
i dhembte,
i shtrydhej,
kish mall,
e treste shikimin përtej … e thoshte
-E dini…
Unë Jam Çam…
Atje kemi shtëpitë, kemi tokë e bagëti,
atje baçi,
atje do të shkojmë një ditë.
 
Qava mbrëmë,
Po qaj edhe tani që po shkruaj,
për hallet, mundimet,
ti doje një çerdhe të re për të vegjlit e tu,
doje të rriteshin të gëzuar.
Të ndiqja tek hidhje themelet,
me ato pëllëmbë të ashpërsuara,
gurë me gur,
ca llaç hedhur me ato duar.
I lodhur pushoje pak dhe
flisje me mua.
Ahhh… O baçi,
Në Çamëri ne e kemi shtëpinë,
atje është parajsë.
S’ka natë, as qiell me re,
atje në tokën e mjaltë.
Në Gumenicë, pak më tej,
në Globoçare e Margelliç a tek Xhixhua në Arpic.
Atje baçi, atje dua të jap shpirt.
 
Humbisje shikimin diku larg,
ndërsa lotët të pickonin sytë,
e ktheje kokën mënjanë,
nuk doje të t’i shihja mollëzat lagur.
S’kuptoja shume at’herë por
dhimbjen ta ndjeja,
të afrohesha ngadalë,
nuk doja t’të trembja kujtimet,
ta puthja atë faqen e djegur nga djelli dhe…
O Baa… të kam xhan…
Fshije lotët dhe buzëqeshjen e gjeje,
me përkëdhelje flokët dhe…
Edhe unë të kam NANË…
Sonte dikush ma grici plagën,
më folën fjalët e tua mbushur me mall
dhe qava,
qava me lotët e babait tim,
me shpirtin që tek unë ka lënë
t’ja shpjenë në Çamëri.
 
Mbrëmë unë qava me sytë e tij,
me ata sy që në bebëzat e syve të mi janë,
për tu çmallur edhe tani,
për t’u çmallur edhe pas vdekjes,
në trupin tim je ti.
(Ti bashkë me Çamëri)
E ndjej o Baa… unë e di.
Me ke ndezur një vullkan brenda meje,
plot mall për Çamërinë,
për vendin tendë,
për vendin tim.
Sa herë dëgjoj të flitet për Filat e Sajadhe,
Gumenicë, Volë e Varfanje,
Sule e Paramithi,
sa herë çelin ullinjtë
e aroma e agrumeve me deh,
aq herë lot të nxehtë më vërshojnë
bashkë me copa shpirti.
Kërkoj të kuptoj përse?!
Përse kaq shumë mall?!
Ndjejë që brenda meje je Ti.
Është malli yt që po më gërryen edhe mua,
ashtu siç bëri me ty.
Është malli im tani.
Është dashuri o Baa…
lindur ne ty, ushqyer nga ty,
përcjell tek unë me mirësi.
Është shpirti yt
që kërkon të prehet në tokën tënde,
në Çamëri.
Mall që nuk tretesh as nën dhè,
brengat shpirti që as toka nuk i mbanë,
dhimbje trashëguar brezash
për tokën çame mbytur në gjak.
Ohhh… sa shpirtra që nuk gjejnë qetësi,
Sa shume Jezu Krishta çamë.
Unë… bija jote mbaj të tënden brengë,
të tëndin mall,
Trashëguar kam edhe krenarin e fjalës
UNË JAM ÇAM…
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s