Shtëpia Botuese “MUZGU” publikon vëllimin poetik “Kënga e heshtur e detit” të autorit Artjonil Petraj me parathënie nga botuesi Mark Simoni

Shtëpia Botuese “MUZGU” publikon vëllimin poetik “Kënga e heshtur e detit” të autorit Artjonil Petraj me parathënie nga botuesi Mark Simoni

 

LUNDËRTARI ME ITAKËN BRENDA VETES

Sapo nis leximin e librit të Artjonil Petrajt, menjëherë e ndjen se autori është kalorës i brengave, dhimbjeve dhe mallit të fortë. Që, mbasi i jeton vetë me gjithë dimensionin e tyre, u jep pastaj krijimeve të tij atë hijeshi artistike dhe nur të bukur, me krejt sharmin e dashurisë si rrallë kush.
Poezitë e distancës, udhës së pafund, mallit të largët, dhimbjes së mungesës, këngës së pakënduar, lëngimeve të gjata, e përshkojnë tej e mbanë ndërgjegjen artistike të këtij libri, korpusin e madh të tij.
Nga kafazi i kraharorit të poetit duket se për çdo çast niset të fluturojë një pëllumb poste, që dërgon larg “letrat” për njerëzit e tij të dashur, për të cilët ndjen mall e brengë, dhimbje e dashuri, miklim dhe tundim njëkohësisht.
“Varka” e tij e udhës e ka përherë një sperancë të hedhur në brigjet e Vlorës, vendi nga ku nisen e kthehen sa herë, edhe dhimbja e tij e madhe dhe dashuria e tij e brishtë. Eshtë bash ai vend ku ndjenjat e tij kanë nevojë të mbështesin kokën e lodhur e të pushojnë pak. Dhe është pikërisht deti, abitati ku ai ndjehet më i sigurtë se askund tjetër. Petraj, si një lundërtar i sprovuar, si një Odise arketipal, (që ka brenda vetes Itakën e tij, të afërt e të largët njëkohësisht), nuk ndalet kurr në udhën e tij drejt Vlorës, këtij bregu të fatit dhe të dhimbjes së tij, këtij moli dashurie.
Artjonil Petraj ka një zhuritje dhe zjarrmi për vendin e tij, që i kthehet në një prush poetik, dhe që ia mban përherë të ndezur flakën brenda vetëdijes dhe ndërgjegjes poetike.
Ky poet është melankolik i dashurive, Artjonil Petraj na ngjanë shumë me një tel kitare që bie tavernave, na fanepset si një serenatë e kaherëshme që bredh rrugicave me kalldrëm, na përfytyrohet si një rrugëtar i vetmuar nate që endet s’dihet se ku. Poezitë e tij janë tej e mbanë me këtë lloj dashurie delikate dhe tunduese, mbushur me nostalgji e lëndime, plot frymëzim e art. Herë i brishtë e i përmallur, (ku ndjehet si një melodi butësia e shpirtit të tij) dhe herë të tjera poet i aventurës e çakërqejf, që dehet e lumturohet pikërisht nga dashuritë e forta.
Zëri i revoltës së A. Petrajt mbush jo rrallë kupën e qiellit, ndërsa klithja e tij trand e sukullon botën e mbrapshtë. Ai është edhe gishti që rri mbi plagët e shoqërisë, edhe gishti i akuzës që ngrihet si një gjyq hyjnor. Ky poet e ndjen Atdheun si një dhimbje krenare. Ai është sa zemërthyer dhe plot pezm prej derteve e halleve që i kanë rënë vendit të tij, aq dhe ngulmues që ta shohë atdheun më të mirë e më të bukur.
Tërë këtë hapësirë që na shpërfaqet para syve nga libri i Petrajt, na pasurohet dhe me një arqipelag ishujsh të vegjël plot tema të ndryshme, gjithë ngjyra e harlisje interesante. Këto tema e sajdisin lexuesin, e thërrasin brenda poezive, e përkëdhelin dhe e tundojnë me art, e gazmojnë me subjekte interesante e të veçanta.
Kur del në bregun tjetër të librit, (dhe mbyll kapakun e fundit të tij) ndjehesh mirë, mbushur me botën poetike që na ka dhuruar ky poet i talentuar.

Botuesi: Mark Simoni

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s