DY FJALË PËR LIBRIN “NJËMIJË VJET AJKUNË” / Nga: Rexhep Shahu

DY FJALË PËR LIBRIN “NJËMIJË VJET AJKUNË”

 

Nga: Rexhep Shahu

Janë të tepërta këto dy fjalë përcjellëse, për librin “Njëmijë vjet Ajkunë” të autores Elida Rusta, botuar nga Shtëpia Botuese “Klubi i Poezisë”, Tiranë, por le të rrinë si modë a si traditë edhe për këtë libër
Poezia e këtij libri nuk merr asnjë ngjyrë e nuancë nga këto fjalë, aq sa mund t’i jap unë me sytë e mi ndonjë ngjyrë shtesë ylberit.
Por ndihem i nderuar që shkruaj këtë përcjellje se ngjaj si lajmës që trokas në derën tuaj dhe lajmëroj se po vjen një poete e re, një zonjë, që boton vonë duke mos humbë asgjë, që e ka latue për kohë të gjatë vargun, ia ka terë ujin dhe na zgjon e na kujton se sa shumë kena vdekë përditë e përvjet e na hiç nuk e dimë. Na thotë që të harrojmë, e në jetë të mbajmë kujtimet. Na kujton pa mëshirë, pa dhimbje, e cila tashmë mallin e ka bërë gur, se na jena një grumbull me zhgënjime, me andrra të preme përgjysmë, me ndjenja të fikuna, me gjysmë përshëndetje të belbëzume me za të voktë e të qorruem mëngjeseve. Kjo poete vjen dorë për dore me Migjenin.
Elida Rusta dhe libri saj “Njëmijë vjet Ajkunë” besoj do të jetë befasi e këndshme.
Është krijimi ndryshe i botës, është ndërtimi i jetës ndryshe. Me fjalë të epërme. Me fjalë zotash. Autorja krijon botën e saj, tonën, shtëpinë a kullën e dashurisë, e ndërton me një arkitekturë mahnitëse. Me elegancë hyjnish. Pa inat se dashnia s’është inat.
Lexon e nuk të ecet më tej në faqen pasuese. Lexon e shtangesh, lidhesh pas një fjale, pas shumë fjalëve, a vargjeve që si lëndë ndërtimi të një shtëpie dashurie rrëzëllijnë prej latimit.
Dhimbja qan gjithmonë, derdh lot gjaku, lot të zi derdh qielli i dhimbjes së saj për njeriun që ka humbë udhën, shpresën dhe s’ka më ëndërr pas të cilës të rendë kur as dy gjysma s’kanë mbetë mos me i shpërfillë andrrat se ato na i shkundin nadjet.
Me germa dyshimi shkruan ti je i krypun, por etjen ma shuan, përmbysem e prapë çohem mes germadhave të mia!
E kur të çohet thotë butë pranimin :

S’jam ma unë!
Ke ardhë ti, m’ke shndërrue 
Në një formë të pamend në trupin 
Që ti ia ke ba skicën me kohë 
E tash ke ardhë me e mbushë me ngjyra.

Ajkuna njëmijë vjeçe është veç Ajkuna fëmijë, hala fëmijë që vajton e re fatin e u pisket zotave me dlirësinë e fëmijës, me lirinë e fëmijës, me guximin e krenarinë e fëmijës, me gjeninë e fëmijës.
Bjen shi e na hala s’jena pajtue thotë Ajkuna dhe zotat e qiellit e të tokës stepen nga ky lloj ligjërimi, si ta marrin, si ta lexojnë, a prej fëmije a prej perëndie dalin këto fjalë.
Mjegullat e ngopuna me mërzi e trishtojnë se ato derdhen si plaf trishtimi mbi male e bjeshkë e qajnë sa herë që rrufetë e pabindshme kallin lisa prej zemërimit të Ajkunës që tash as në vorr s’e ka Omerin që ka marrë udhët e botës dhe ashtë shndrrue pare në lodra pragjeve e dyerve të huaja.

 

NJËMIJË VJET AJKUNË

Fëmijë njëmijë vjeçe Ajkuna ka pa dhe se sa ngjashëm pikojnë mëritë, dashuritë, zhgënjimet e njerzve dhe zotave! Ka pa se njëjtë vijnë pranverat por edhe vdekjet, lamtumirat… Dhe din tashma se veç në heshtje jena gjithmonë bashkë se heshtja na jep ne formën e përkryeme dhe derdh kumt si i ka hije se historia ma e bukur e prrallave, vazhdon hala…
Ajkuna u thotë lisave se qiejt janë t’pafund e gjithmonë gjejmë vetin në to, me marrë o me dhanë shpresën e amshueme. Për këtë janë qiejt, me na ba me jetue në netët e dimnit me t’ftohtin e tyne që ia gjallnojnë shpirtin edhe ma t’palumtunit. Ajo u thotë lisave se i kam mundë tana dhimbjet e përderisa ia kam arritë miliona herë, mundem me e ba prapë e prapë e prapë. Dhe të gjithën këtë e ka ba se Ajkuna ka dashni, ka plot dashni me t’cilën mundet me iu sjellë botës qark, me shpërnda dashni pa fund për njerzinë e me i mbetë prapë dashni mjaftushëm sa për vete.
Veç kam qejf me fol me të, nuk është se e due thotë ajo, e për çka me m’vu faj? Apo pse thotë:

Kthehena prej rruge e marrim prapë shoqi-shoqin
si dy pleq t’vjetër që i kanë mbijetue luftës bashkë 
e veç njeni-tjetri na ka mbetë.

Shpirt i ri në trup të rrëzum prej zymtësisë, që ka gjetë veten tash që i kanë hupë të tanë e prapë thërret, s’ka ma urrejtje!
Nuk urren Ajkuna, ky njeri i çuditshëm që i ka tepruar prej vetes, pasi gjithë ato që ia përkëdhelen vuajtjet e vajet e dhimtat, që e çanë lisin më dysh, që lotin e bënë gur, në vështirësitë ma t’vogla ia lëshuan dorën dhe e lanë me ecë vetëm edhe në greminat e fatit, edhe në ditët kur s’duhej lënë vetëm, nëpër terrin e kohës që s’ka fund.
Por sot bota të len vetëm si dje e nesër se nuk është bash lehtë me dashtë. E duke e ditë këtë Ajkuna thërret :

Le t’grihna!
Le t’qajmë!
Le t’flasim marrina!
Edhe rrejshëm, edhe fallco po duhena
Veç të duhena!

Me ngjyrë malli firmos akujt
Ethet i fshij me mangë dashnie !

Mundem të shëtis gjatë e gjatë nëpër librin “Njëmijë vjet Ajkunë” të Elida Rustës. Por siç e thashë në krye të herës unë nuk i shtoj asnjë ngjyrë ylberit.
Kjo poezi është e thellë dhe ka blunë e thellësisë, është e trishtë se ka fytyrën e ditës tonë të trishtueme, është e kaltër dhe vrullshme se është Valbonë, Dri, Bunë, është e qetë se e tillë është Ajkuna në dukje, por është poezi që si prushi nuk mbahet në dorë, të djeg, të kall, poezi që ke deshirë të pashpjegueshme të mbash vargje përmendësh, poezi që të krijon e nxit përfytyrim, që të krijon tablo para sysh, që të bën ta shohësh njeriun duke ecë me këmbët zvarrë brenda vetës së vet duke mbajtë veten për dore nëpër udhët gjithë akull të dimrit që shkoi e që do të vijë.

 

Elida Rusta

Turra – turra rendin njerzit drejt lavdisë, më saktë drejt pavdeksisë se ajo është porta e ëndërruar dhe më e pambërritshme, coptohen e grihen kush të mbërrijë më i pari. Dështojnë njerzit, thotë Ajkuna, dështojnë e capërlohen me njëri – tjetrin, vriten, vdesin e ngjallën në mëni, pasi qielli, pavdeksia, lavdet i mban për vete dhe hiç s’ka dert për të dëmtuemit.

Kështu dita shkon tuj këndue si n’Lugje t’Verdha, 
Nata nuk e ndryshon fatin e kurtheve
Qielli vajton fitoret e mbytuna…

Ajkuna e re që grrith fytyrën në humbje, një mijë vjet lodhë përmbys mbi fat, e hupun prej shkëlqimit që e bënte të veçantë, e mundur te kapërdi urrejtje në një mijë vjet natë, se dielli u ba gur e u shim prej lotit të syve të saj në njëmijë vjet pa paqe, me vujtje, tuj urry pa ditë çka me ba veç tu ndërtu shkallë kockash, thotë :

Ka do kohë që s’shkruj për dashni
shkruj veç per ty.

Ka do kohë që t’gjuj me zogj
copash i baj po s’mbërrijnë te ti.

Në mënyrën e vet, ashtu thjeshtë, pa bujë, pa britma Ajkuna na mpin ne kur na e lëshon në duar para syve tonë ditën tonë të përgjakur, të shkelur, të vrarë, gjysmë të vdekur e gjysmë të gjallë, me fytyrën që s’i njihet prej shëmtisë:

Ûja prapë t’i ka gjetë sytë e jeshilta 
kafshatë e mbetun në fyt 
që as kalon, as kthehesh mbrapsht.

Në andrra t’zgjas dorën me t’pshtu 
prej humnerash ku ke ra
në makthe ta shoh fatin e zhgrryem përdhe, 
t’shoh ty që nuk m’sheh, 
dashnitë tuja të përdhunueme.

Zemra përpëlitet me gjetë një kohë ma t’mirë
Se bota që krijuem na 
qe aq e vogël!

Po, e vogël bota, bota që krijuam ne, e vogël, dhe autorja duke e ditë se botën e bën të madhe veç dashuria thotë:

M’duj
Se unë kështu baj :

Një natë të urrej 
Natën tjetër 
Të du tinëz vedit…

Kështu ajo me ngjyrë malli firmos akujt, me mangë dashnie i fshin ethet..
E ndjej se lexuesi i paktë i poezisë ka me më falenderue që po e botoj këtë libër dhe ka me më tolerue për fjalët përcjellëse, sepse “Njëmijë vjet Ajkunë” është një libër që nuk ban me i mungue bibliotekës tonë dhe letërsisë shqipe e cila lufton si me vdekjen me vargëzuesit e mediokër, të cilët e shtyjnë zyrtarisht drejt vorrit letërsinë prej urisë për famën që s’e mbërrijnë kurrë, të përkrahur e stimuluar si gjithmonë me pare, tituj, grada e ndere prej qeverive që e urrejnë letërsinë.

 

Advertisements

One thought on “DY FJALË PËR LIBRIN “NJËMIJË VJET AJKUNË” / Nga: Rexhep Shahu

  1. Disa mendime mbi poezinë e Elida Rustës tek “Njëmijë vjet Ajkunë”, e poezi të tjera.

    Kur e lexova këtë libër ndjeva, se mes meje si lexues i librit u vendos një pakt i çuditshëm. E vendosa atë diku, ku mund ta shihja e ta merrja sërish për ta lexuar, për atë goditje që të jep letërsia e vërtetë, pavarësisht nëse e njeh apo jo autoren/ autorin.

    Libri ka njëlloj graviteti të përmbajtjes dhe formës, përpos këtyre ,ka brenda vetes një gjuhë me ngjyrën e gegnishtes e një metaforë që është gjithnjë në një nivel të lartë. Një poezi e shkruar me shumë dashuri dhe mjeshtri, e cila bie në sy menjëherë sapo e lexon poezinë e parë e deri në fund të librit.

    Brenda poezisë bie në sy ,ndërtimi i veçantë poetik e struktural e një narracion që kërkon përqëndrim e vëmendje të vazhdueshme. Metaforat e mrekullueshme pasojnë njëra-tjetrën, duke i dhënë pamje gjithë shkëlqime të njëpasnjëshme, e duke ruajtur, për çudi, boshtin poetik të pacënuar.

    Poezia në tërësi është me një peshë ideo- emocionale të lartë. Bie në sy një puls e frymëmarrje e vazhdueshme. Sekreti i krijueses është në atë, se ajo nuk përdor një dritë të jashtme për të vu në pah shfaqjen e botës së saj të pasur, por një dritë brenda vetes, për të bërë të mundur shfaqjen e unit poetik, me një kurajo për t”u shënuar.

    E mbështetur në tabanin mitologjik të Epikës së Veriut, sjell një risi dhe një mënyrë origjinale, ndërsa krijon një figurë krejt të veten, si Ajkuna.
    Gjithnjë me këmbë në këtë truall të plleshëm , i ka këmbët gjithnjë në këtë truall e kokën në botën e problemeve urbane të ditës së sotme. Ky pozicion i veçantë i jep dorë poezisë së saj të shkëlqejë me një dritë e reflekse të mahnitshme.

    Natyrisht,nuk është kangë dashnie ajo që lexojmë përciptazi. Duke lexuar me kujdes, tentohet që nëpërmjet shpalosjes së një poezie të dashurisë, të jepet mesazhi e emancipimit social, barazisë mes gjinive, në një luftë për emancipimin e femrës përkundrejt maskilizmit në shoqërinë e sotme.

    Nganjëherë Pegasi i saj poetik ngjan i rrëmbyer, të frikson se nga çasti në çast , do të gremiset monopateve të ngushta mes bjeshkës së lartë e të shpeshtë, por nuk ndodh asgjë ,sepse ajo e ka në dorë atë kalë të hijshëm , drejtimi i të cilit ka një siguri , perfeksion e mençuri për t’u lavdëruar.
    Metaforat janë pasuri e madhe prej nga vjen dhe ku jeton. Areali poetik është krejt alpin, me një diell gjithë dritë e hije, ndërsa koncepti i poezisë është krejt modern.

    Poezia shfaqet ndryshe, gjë që e shquan si një poete të afirmuar tashmë. E pasur, e brishtë, gjithë kolor poetik, sinqeritet e ndjenjë humane,e guximshme që shkon kështu e kompletuar një personalitet , drejt një novacioni poetik.

    Tek poezia e shkruar e Rustës, është për të vënë re,se ajo nuk e shkruan poezinë nga jashtë, si një lojë e aq. Ajo e shkruan atë nga brendia saj ,e lind në përpjekjen e krijimit të botës të larmishme poetike.

    Poezitë e këtij libri dhe në tërësi poezia e Rustës nuk shijohet duke e lexuar veçse një herë. Për shkak të densitetit të mendimit e metaforave të shpeshta ,i duhet kthyer për së dyti, për t’a shijuar krejtësisht e thellësisht.
    Duket sikur ajo,ka gjetur çelsin e një arke magjike prej nga dalin pasuri të pafundme pas të cilave lexuesit mbetet habitshëm, i pushtuar.

    Kur e gjeta librin në një librari të parëndësishme , mes gazetave të pafundme, u gëzova dhe më ngjau se ma kishin dhuruar në çast. Kisha kohë që e kërkoja,sepse miqtë më kishin folur për librin.
    Fakti që këtë libër e kishte redaktuar Rexhep Shahu, një emër i përveçëm poetik i letërsisë së sotme dhe e mendimit kritik ndaj letërsisë dhe promovues i saj, kuptova , se ai e kishte dalluar poeten që po vinte tashmë, duke hapur me talentin e saj, derën e poezisë së mirëfilltë .

    Pasi e lexova dhe e rilexova librin, mendova se ky libër ishte libri i vetëm për poeten, sepse nuk e mendoja , se si mund të mbahet ritmi i kësaj poezie të shkëlqyer dhe intriga e pahasur më përpara brenda poezisë së shkruar .
    Por isha gabuar. E vura re,në leximin e vazhdueshëm të poezisë në faqet e rrjeteve sociale, ritmi dhe cilësia poetike e shkruar ecnin gjithnjë në majë dhe shtëpia poetike e Elida Rustës kishte vazhdimisht një artitekturë të përkryer.

    E kam takuar njëherë poeten rastësisht. E thjeshtë dhe pa mburrje, sa mund të dyshosh, se është njëkohësisht bashkëbiseduese autorja e një poezie të tillë brilante. Por kjo është natyra e e vërtetë e talenteve të poezisë. Ata shkruajnë duke vënë nga një gur të dallueshëm në ndërtesën e bukur të letërsisë shqipe.

    PRENG MACA
    Mars 2018

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s