Gotfrid Keler: “Mashtrim me letra dashurie”,  Tri novela. ( FRAGMENT NGA NOVELA “VESHJA TË BËN NJERI”) / Shqipëroi nga orgjinali: Aristidh Ristani

FRAGMENT NGA NOVELA “VESHJA TË BËN NJERI”

Kur të gjithë dolën jashtë të merrnin pak ajër para se të uleshin që të hanin darkë, kont Strapinski u mendua mirë e mirë dhe tha me vete se ai qe çasti i përshtatshëm për t’u larguar së andejmi pa u përshëndetur me të tjerët. Në xhep kishte një shumë të mirë parash për shpenzimet e udhëtimit dhe vendosi që pronarit të bujtinës t’ia dërgonte ngaqyteti më i afërt shumën e parave për atë drekë që ia dhanë si me zor. Pra, hodhi krahëve tërë elegancë pelerinën, e rrasi edhe më thellë mbi sy kasketën prej gëzofi dhe nisi të çapitej ngadalë tutje-tëhu nëpër një rruginë rrethuar me akacie të larta, duke soditur atë panoramë të bukur nën rrezet e diellit mbrëmjesor, ose më fort duke kërkuar rrugën më të volitshme për të ikur pa rënë në sy.

Ai ballë i ngrysur, ato mustaqka elegante, por melankolike, ato kaçurrela të zeza e tërë shkëlqim, ata sy të zinj dhe ajo pelerinë tërë kinda, që po i valëvitej nga era, i jepnin një pamje me të vërtetë të bukur. Rrezet e diellit mbrëmjesor dhe fëshfërimat e pemëve sipër kokës së tij e shtonin aq shumë një përshtypje të tillë, saqë zotërinjtë e tjerë po e sodisnin nga larg me vëmendje e me dashamirësi. Duke ecur ashtu ngadalë, po largohej gjithnjë e më tepër nga ajo shtëpi, kaloi nëpër një shkurrishtë, prapa së cilës fillonte një udhë fusharake, dhe, kur e kuptoi se të tjerët s’po e shihnin dot më, po bëhej gati ta shpejtonte hapin e t’i binte fushës përmes, kur te një kthesë i doli përpara ashtu befas gjykatësi, bashkë me të bijën, një zonjushkë tejet e bukur, paksa sqimatare në veshje dhe me gjithfarëlloj stolish.
– Po ju kërkonim, zoti kont! – i tha me zë të lartë gjykatësi. – Së pari, që t’ju njihja me Netën, me vajzën time, dhe pastaj që t’ju lutesha të kini mirësinë e të na nderoni duke ngrënë darkë bashkë me ne. Zotërinjtë e tjerë janë kthyer tashmë e po na presin në shtëpi.

Shtegtari e hoqi sakaq kasketën nga koka dhe, ashtu flakë i kuq në fytyrë, u përkul disa herë tërë respekt e frikë, sepse tani ngjarjet nisën të merrnin një kthesë të re me atë zonjushkë. Por ajo druajtje e atij të huaji dhe ai respekt i tij aq i madh nuk ia ulën aspak vlerën në sytë e asaj vajze të re, përkundrazi, druajtja, përulësia dhe respekti që po tregonte një aristokrat riosh aq i shquar e aq interesant iu dukën si diçka me të vërtetë prekëse, madje tërheqëse, asaj vajze të re, e cila tha me vete: “Këtu shihet qartë: sa më fisnik të jesh, aq më modest e aq më i padjallëzuar je. Pra, mësoni prej tij, ju birbot e Goldahut, që nuk e prekni thuajse fare kapelën përballë vajzave të reja!”

(Gotfrid Keler: “Mashtrim me letra dashurie”, 
Tri novela, Titulli i origjinalit: 
“Die missbrauchten Liebesbriefe”, 
Botimet “SANTORI”, Tiranë 2016, 280 faqe.)

 

Shqipëroi nga orgjinali: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s