Poezi nga Vullnet Mato

Poezi nga Vullnet Mato

 

BUKURIA MËKATARE

Duke gjykuar thjesht, nga librat fetarë, 
se mëkaton edhe kur dikush të pëlqen,
gratë dhe burrat dalin të gjithë tradhtarë,
se rrallë gjen dikë, pa mëkatuar me mend.

Por nga burrat kërkohet një frenim mizor,
as ta imagjinojmë femrën e bukur të tjetrit,
edhe kur të ndez stuhinë e gjakut mashkullor,
edhe kur të troket takat mbi damarët e nepsit.

Se kur bukuria, t’i drejton hiret direkt në sy,
ajo të bën të marrësh malet çmendurisht,
të mëkatosh padashur me çdo virgjëreshë Mari,
që ka mbetur ende, pa u bërë nënë me Krisht.

Ka dhe ndonjë femër, që po të pa dy herë në sy,
mund të verbohesh e të përplasesh me murin.
Dhe po buzëqeshi ajo, për pak çaste me ty,
do çmendesh patjetër, se të ka hequr trurin.

Pa le, po të zhvishet para teje, krejt lakuriq,
duhet të hapet dheu, të rrokullisesh brenda.
Se edhe po të mbetesh për disa kohë eksiq,
do të vdesësh shpejt, nga dridhmat e rënda…

Ndaj i lutemi Zotit, të mendohet më hollë,
kur sajon figura femre, me bukuri të rrallë,
ose të mos i lejoj Evat, të na joshin me mollë,
ose të na bllokojë sytë, kur dalin përballë;

Ndryshe ndodh me ca foto profili në internet,
kur para se ndonjëra, të na lërë të vdekur,
krejt papritmas, na mbyllen qepallat vet,
se s’është ajo, që ish dikur, mollë e papjekur…

 

ERDHËM NGA PLUHURI, SHKOJMË NË PLUHUR…

Gjithë mendimet e thella takohen në një pikë: 
te shpjegimi i vetëm, i vërtetuar shkencërisht,
Shpërthimi i Madh, i grimcës së pluhurit kozmik,
krijoi djepin e Tokës, ku çelëm sytë përkohësisht.

Lindëm dje, u plakëm sot, nesër do të shkojmë.
Gëzime dhe shumë vuajtje, patëm në pak vjet,
por duam gjer në varr dhe sekondën ta jetojmë,
se jemi pluhuri që kërkon ajër e rreze drite në jetë.

Si ai që humbi pasurinë dhe mbeti qiri i fikur,
dhe ai që fitoi shumë flori dhe vila ndërtojë,
asnjeri i kënaqur nga kjo botë, s’ka për të ikur,
se të gjitha i mbeten pluhurit qiellor, t’i rrotullojë.

Kush ndjeu gravitetin e fuqishëm të puthjes,
ëmbëlsinë e buzës, apo të faqes te fëmija i vet,
ka shijuar gëzimin, më të pakrahasueshëm,
që i dha pluhuri i ardhjes së tij, në këtë jetë.

Mos shani atë që lakmon verën dhe rakinë,
mos urreni atë që e tërheq fytyra e bukur,
sepse atje, ia ka gjetur kësaj bote lumturinë,
para se të kthehet përsëri, të bëhet pluhur.

Dikush lumturohet, nga goli i skuadrës së tij,
tjetri nga kënga, që i buron prej shpirtit pareshtur,
dikush te puna dhe kureshtja, sa më tepër të di,
mënyrën me të cilën kohën jeton, secili ka gjetur.

Lum kush te gëzimet e mëdha, a të voglat fare,
ka gjetur përkohësisht, kënaqësinë e duhur,
para se të shkojë nga erdhi në jetën gënjeshtare,
aty ku toka e kthen sërish, në disa thërrime pluhur…

 

MË PRESIN MIQTË E PYLLIT

Kam ardhur sërish në parajsën me pisha,
mes pyllit të veshur me kaftan të blertë.
Më presin gjithë miqtë e parë që kisha,
në kohën kur mes tyre jetova disa vjet.

Zogjtë me gjuhë cicërimash më flasin,
kuptoj ç’më thonë, me tingujt e ëmbël.
S’dua përkthyes bimësh dhe kafshësh,
kodet e tyre i deshifroj me zemër.

Bari më flet me gjuhët vesuar nga yjet
dhe më tund kërcejtë e hollë me petale.
Fluturat më valëvitin flamujt te kryet,
mbi lulet e nektarit duke kërcyer valle.

Qukapikët trokasin dyert nëpër zgavra
të rreshtojnë milingonat e pritjes jashtë.
Zhapinjtë alpinistë, më dëfrejnë me gara,
kush t’i shkojë trungut tek maja e lartë.

Ketrat atletë kërcejnë te arena mbi pemë
dhe më tregojnë një çast çiftimin e dashur.
Laraskat gajasen e zgjojnë lepujt që flenë,
nga ferrat e gjumit, të më shohin syhapur.

Mëllenjat klloçka, me të vegjlit e foleve,
më brohorasin me çuçurima në shkurre.
Dhelpra del nga strofka veshur topmodele
dhe më tregon mantelin me gëzof lëkure.

Breshkat ekspozojnë tatuazhin e shpinës
dhe mbi gjethe të thata, nxitojnë këmbët.
Kërmijtë më tregojnë antenat te brirët,
duke incizuar këngët e bilbilave të ëmbël.

Më ushqejnë me oksigjen pishat dhe shtogu,
teksa mendoj, se pylli me miqtë e mjedisit,
janë mbretëria e paqes më të përsosur,
që i duhet njeriut, për qetësinë e shpirtit.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s