Drita në humbëtirën e një kohe pa liri / Nga: Agim Bajrami

Drita në humbëtirën e një kohe pa liri

 

Nga: Agim Bajrami

S’di pse romanet e Vaso Papaj më mbjellin në sy klimën e gulagëve të Sollzhenicinit. Kjo jo vetëm nga subjektet e ngjashëm, por mbi të gjitha nga ajo frymë e ndjerë tragjizmi që i përshkon ato. Ashtu si në një film triller, personazhet e këtyre romaneve, edhe pse një pjesë e tyre e vdekur, të zgjojnë nga ëndrra dhe të kapin për dore për të të rikujtuar sërish atë pjesë kujtese që flinte brenda teje edhe që dukej sikur ishte harruar.
Subjektet e këtij romani janë të populluar vazhdimisht me personazhe që dalin nga terri, ushqehen me terr dhe mendimet e tyre vuajë vazhdimisht nga mungesa e dritës. Duke ecur mbi një tokë me shpresa të vrara dhe ankth mbijetese, udhëtimi i tyre vazhdon të lërë pas ende gjurmë pluhurash dhe balte, gaz xhipash të zinj, ajër me erë bajgash dhe ankth, shumë ankth.
Ashtu si në romanin “Një dimër mes dimrash” simbolika e natës dhe e dimrit, e baltës dhe harrimit, sëbashku me cinizmin e një sistemi diktatorial mbi njerëzit e tij vazhdon të mbetet lajtmotivi kryesor i këtij autori.
Ne që e kemi përjetuar mbi supet tona atë sistem, edhe pse i kemi të mbjella nën lëkurë pasojat e tij, kur lexojmë “Dritë në Humbëtirë” bindemi se prapë diçka na ka shpëtuar për ta kuptuar atë kohë. Vaso Papaj me ciklet e romaneve “Dritë në Humbëtirë” për mendimin tim ka ditur të hap përpara lexuesit kapakun e rëndë të një sarkofagu mbitokësor, i cili, edhe pse nuk mbante brenda kufoma njerëzish, në fakt mban brenda tij kufoma shpresash të vrava, ajrin e rëndë që lëshojnë ato dhe mbi të gjitha një mjerim shpresash.
Janë aq të vërteta këto dukuri sa edhe pas mbarimit të procesit të leximit, ne vazhdojmë të jemi të mbështjellë nga një ankth i madh që s’të ndahet për një kohë të gjatë. Natyrisht kjo është meritë e autorit i cili ka ditur më së miri të gërmojë në jetën e këtyre kufomave dhe të na i paraqesë si të gjalla ato.
Jo më kot ngjarjet e romanit janë të mbyllura në korniza shiu, balte dhe dimrash, jo më kotë, qiejt sikur duan të rrëzohen në çdo çast mbi kokat e këtyre personazheve.
Në romanet e Vasos shumica e personazheve përveç Patrit dhe Gjergjit, duket se vuajnë aq shumë nga rutina dhe mungesa e lëvizjes drejt shpresës sa këtë fjalë e mendojnë si të vendosur më kotë në fjalor. Vini re, se çfarë mjeshtre ishte diktatura për shplarjen e trurit njerëzor dhe kthimin e tij në vdekje klinike. Janë karaktere, jeta e të cilëve është e ndërtuar mbi një marrëzi të trashë, do t’I karakterizonte me dy fjalë njëri nga mjeshtrat e prozës botërore në studimin e tij “Për mjeshtrinë artistike”.
Ka shumë intensitet ngjarjesh brenda këtij romani, shumë përthyerje dhe shumë dhimbje. Ato janë ngjarje që marrin jetë poshtë sipërfaqes së rrafshtë të një pellgu por që pasojat e tyre të mëvonshme i kanë të konsiderushme. Patri është një intelektual që ka lindur për ta jetuar jetën, por që dergohet (internohet) për të kaluara vitet më të bukura të rinisë së tij në një fshat humbëtirë,i ngjashëm me shkretëtirën.
Ardhja e heroit qëndror të romanit në këtë fshat nuk është gjë tjetër veçse takimi i tij me zhgënjimin. Kemi në këtë roman një vrasje të pashpallur të ëndrrës me realitetin, të individit me shoqërinë.
Në mes shumë vlerave që shpërfaq ky roman në tëresinë e tij, unë do të evidentoja aftësinë e autorit për ta dhënë heroin e vet në raporte të caktuara me kohën dhe ambjentin. Ndonëse në pamje të parë autori vendos Patrin në qendër të vemendjes, vështrimi i tij lëviz vazhdimisht edhe tek personazhet e tjerë që e rrethojnë atë. Ata janë njerëz që ndonëse ndajnë të njejtin ajër me autorin, s’arrijnë kurrsesi të barazpeshojnë gjysmën e ëndërruar së munguar të tij. Patri është një njeri që edhe pse rrezaton diell dhe energji në çdo moment, mban të veshura në trup hijet dhe ankthin. Është një njeri që edhe hapat edhe fjalët duhet t’i hedhi e duhet t’i thotë brenda një kornize.
S’di pse më kujtohet Kafka dhe larvat e tij të famshme tek romani i Vaso Papaj. Është e vërtetë që edhe në atdheun e Kafkës diktatura krijoi njerëz pervers dhe la pasoja në botkuptimin e tyre, po në romanin e Vasos këto pasoja duhet t’i shohim në fuqi të njëqind.

Vaso Papaj

Përveç mjerimit të madh dhe varfërisë absolute njerëzit dhe personazhet qëndrorë të kësaj vepre duket se mbajnë mbi krye orë e çast shpatën e
Demokleut, të plotfuqishmin e zonës dhe ankthin e
burgut.
Autori në këtë roman i vendos njerëzit brenda rrjedhës normale të një jete në diktaturë, brenda ndrydhjes dhe frikës. Është ky fakti që nga çasti në çast lexuesi mban frymën dhe pregatitet të prek tragjedinë e rastit. Është shumë kuptimplot prologu i romanit me ardhjen e grupit të ri të të internuarve, takimi i tij me xhaxhain në një kohë të egërsuar. Është një prolog i frikshëm, tragjik, i barazvlefshëm me zhurmën e plumbave që të çon drejt asgjësimit.. Karvani i qerreve që lëvizte në mes të fshatit, me fytyrat e stërvuajtura të njerëzve të dëbuara e ka me vete nëntekstin dhe paralajmërimin e kobshëm: Ju të gjithë do të përfundoni si këta nëse e dridhni bishtin.
Ndërsa personazhi pikërisht atëherë vjershëron
betimin e tij me vargjet e shpresës:

Befas u hap qielli. Mbi sup një dorë e ngrohtë.
Rreth pusit rreze dielli, ndaluar e kam të vdes.
S’do mundem të rrëmoj un’ kurrë në ujë të ftohtë.
Ndaj kësaj pasqyre kurrë fytyrën s’do t’ia shes.

Atmosfera e zymtë që i shoqëron personazhet e këtij libri nga faqja në faqe, nuk është gjë tjetër veçse fati i portretit të njeriut në një kohë antinjerëzore.
“Të gjithë më dukeshin sikur flisnin me vete” thotë autori në një nga kapitujt e këtiij romani. “Punëtorë, brigadier, nënpunës, traktoristë vëndas apo të ardhur rishtas, sikur bënin në mendje llogaritë e shpenzimeve për natën e festës.”
Në fakt kjo nuk është festë, por një lloj opiumi për ta pregatitur mjeranin drejt një kalendari kohor të mbushur me kalvare dhimbjesh. Mjaftojnë vetëm këto fraza që lexuesi i zakonshëm të zbërthej kohën në të cilën kanë jetuar këta njerëz, të thith ajrin e saj dhe pse jo, të rikthehet sërisht mbrapsht.
Në roman, ashtu siç e thamë edhe më parë, ka shumë natë dhe mjegull. Edhe kur dilte ndonjë diell rakitik, atje mbi konturin flu të Tomorit, ai sikur ngutej me vrap të zhytej në detin e egër, përtej ultësirës ranore shterp.
Autori si një grafist i mirë di të realizojë dritë hijet në të cilat lëvizin ata duke dhënë mesazhe të qarta dhe kupotimplote. Njerëzit në këtë vepër vuajnë nga mungesa jo vetëm e diellit por edhe e orëve. Ato sikur i shtërngojnë dhe i mbysin ata. Zemër dimri, shi, baltë ngjitëse, baltë që s’të ndahet për asnjë çast dhe që duket sikur të vesh edhe ty me viskozitetin e saj është një nga detajet më të rëndësishëm të këtij romani duke i dhënë të kuptojë shumë lexuesit… Pikërisht me zbërthimin e këtyre simbolikave, autori ka ditur më së miri të emetojë edhe mesazhet e tij për një kohë që nuk duhet të kthehet kurrë më.
Me anë të tyre ai ka ditur jo vetëm të pasqyrojë artistikisht por edhe të jap në mënyrë grafike kontradiktat e heshtura që gëlojnë brenda individit pa liri. Fshati ku i ka vendosur personazhet Vasua është një fshat tipik nën diktaturë, i zhveshur, jo vetëm nga komoditetet më elementare të jetës, por edhe nga jeta vetë. Në këtë vepër njerëzit bëjnë sikur jetojnë, por në fakt vegjetojnë. Ata janë të harruar, jo vetëm nga pushteti por edhe nga Zoti.
Kontaktet dhe bashkjetesa me ta i kanë dhënë
mundësi autorit të paraqesë refleksione të shumta por edhe të ngrej në eter idetë dhe konceptet e ti për lirinë dhe demiokracinë.

Ky cikël romanesh nuk e duron rëfimin linear, sepse ai i ngjan jetës së atij fshati, përkundrazi, autori vendos ta përthyej atë duke futur herë pas here brenda struktures së tij narrative elemente poetikë. Kjo e fundit sikur i jep më ajër narracionit. Brenda çdo rrefimi të autoerit vemë re forcën e madhe të qëndresës që e karakterizon personazhin kryesor, Patrin, ndeshim poetikën e tij të brendëshme, pasurohemi me të duke e afruar më pranë portretin e lirisë së ëndëruar.
Autori flet me shumë simpati e dashuri për njerezit e popullit, ndan filxhenin e çajit me klor, pilafim me fasulet si dhe grimcat e ëndërrës me ata. Ai nuk e konsideron veten hero i rënë nga qielli, por thjesht një bashkëvuajtës mes bashkëvuajtësve të vërtetë. Në të kundërt ai nuk i kursen dozat e ironisë dhe të sarkazmës për njjerëzit pa dinjitet dhe karieristë të pushtetit. Vendos kufij ndarës me ta, vetizolohet me kujdes dhe ndjehet i huaj. Gjatë tërë kohës personazhin kryesor e frymëzon drita. Edhe në mungesën totale të saj ai vihet në kërkim, krijon ëndrrën, si ishull për ta ruajtur shpresën. Kjo është arsya që gjatë gjithë kohës edhe pse lëvizim nëpër natë, imazhi i dritës na shoqëron vazhdimisht.
“Dritë në humbëtirë” është një roman që lexohet me ëndje, dhe që s’na e heq dëshirën ta lëshojmë nga duart. Ai na kujton vite dhe kohë të trishta, por edhe i bie gongut herë pas here për të na kujtuar të mos harrojmë, sepse ai që harron bëhet përsëri pjesë e natës dhe e humbëtirës.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s