Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

SHEKUJ TË KRENARISË

( Në vitin e Skënderbeut )

*
Vringëllimë shekujsh, nëpër kohë s`venitet
një emër madhështie kalitur në përkrenare
në krahët e shqiponjës nëpër lartësi ngritet
dhe sfidon historinë e kryeneqësive xanxare.

*
Lukunitë e shfrenuara i përgjakën jataganin
që kosiste gurmazet, të yshtura në gllabërime
kur shembëte eskadronet që gjakosën vatanin
dhe mitet e pamposhtjes, veshur në mashtrime.

*
Në mësymje të rrufeshme si bubullimë e motit
nga kështjellë lavdie me gardën e besnikërisë
sokëllinë përtokë e qiell kushtrimi i Kastriotit
në shpirtëra fisnikësh e ndërgjegje të njerëzisë.

*
Syrin e mendjen, dhe mburojën në krahëror
përballur me lajka dhe konstrukte dredhishë
në fushën e nderit ngadhnjen shpata në dorë
jo magji namatisjesh, as bekime shenjtërishë.

*
Shekujt e palosur s`e shuajnë dot shkëlqimin
për një gjigand që përbuzi grada dhe qifliqe
që s`duroi padronë as lindjen as perëndimin
veç krenarinë arbërore që princëron me ofiqe.

*
Jeton ndër balada, në këngë e ndër legjenda
përherë në kujtesë, ndër vargje dhe tregime
simbol i lirisë që madhështon lahuta e penda
për rapsodët e breznitë, fanar për frymëzime…

 

SHFRENIM INSTIKTESH

*
Uji s`bëhet dot mullar
as me joshje përjetësie,
me urdhër, as hanxhar
as në shtigje dyftyrësie.

*
Monopateve të qesëndisë
së prapthi duke bredhur,
në doza absurde të ironisë
zbrazur mllefin e mbledhur.

*
Në paradokse të zvetënuara
aktrohen ideale të mohimit
lozin në kohëra të rënduara
dramat makabre të privimit.

*
Rrugëve të mugëta hapërojnë
ambiciet dhe trillet e djallëzive,
shujta të dëshprimit dhurojnë
në racione shpresash abuzive.

*
Vathë farisejshë të pangopur
mërishëm në gllabërime sulur
zhvasin dhe riskun e përlotur
mbledhur me shpirt të krrusur.

*
Mendësi e deformuar, plagosë
me gjëmba ferrash hipokrizie
në himne hakrryese marrosë
instiktet, ndër skena marrëzie…

 

SYRI TERS 
*
N`horizont përtej
shikimin hedhur,
në strofull të djallit
ti syri ters,
ambicien përmbledhur,
që errësirën t`u rrëfejë
shpirtërash t`përvuajtur,
n`përcëllima përdredhur,
të lodhur e molisur
motesh sëkëlldisëse;
shpirtërash të tretur
n`acar kallkanosur,
që kërkojnë qetësinë
që ti ua vodhe
me lajka qesëndisëse,
dhe ngjyrime fytyrash,
e n`fjalamani boshësinë
dhe intrigat ua hodhe,
shtrirë n`tablo bezdisëse
e n`shtigje mynxyrash.

*
Djallëzi miklimesh
shpërfaqë pietetshëm,
si dushkë për gogla
i hedhë në pazar,
n`ambalazhe shkëlqimesh
shikimi lëbyret etshëm,
e mendja lajthitet
n`çapitje të vogla
gëlltitur për zar,
n`tinguj mashtrimesh,
si n`hapat e djeshëm
dhe n`të sotmen përplitet.

*
Pjesën e diellit
që mua më përket,
hijëzuar e ke
me retë e zeza,
të hedhur qiejve,
dhe dendësuar
n`mugëtirën rrëke,
që vesën kanë ngrirë
e bërë krahnezë.
*
Në një rrip toke
koha ndalonë
në tehun e topitur
të kmesës së ndryshkur,
e n`lazdrime t`kësaj bote
ferrishta harbonë,
kokën ka ngritur
mbi lisa të vyshkur,
zënë qiellin e ka
n`tërbim harlisur,
e rrënjësh ujitur
me magjinë e yshtur,
n`mallkim namatisur.

*
Ti farë e mbjellë
skërkash t`rrëpirta,
mbinë hapërdarë
në bisqe ngjitëse,
drizash ngatërruar,
e ndër jetëra sjellë
fruta të idhëta.

*
Ti gem i shartuar
në degë të mahisur,
rritur ligatinash
ku pula ha strallë,
n`terina përvëluar,
n`kotësi kapardisur,
n`potpuri dëshirash
yjesh ëndërruese
të dalë boje
n`përrallisje,
shpresën ke varë,
n`trekëmbësh,
në litar…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s