” H A L L E ….M A R A ” / Tregim nga Leonard Bixhili

” H A L L E ….M A R A “

 

Tregim nga Leonard Bixhili

Në sheshin e fshatit, ku po xhirohej një film i ri artistik me temë nga lufta, ishin të gjitha gati. Figurantët, shumica banorë vëndas, kishin zënë vëndet ku u kish treguar më parë regjizori. Më tutje, aty ku nuk i zinte kamera, ishin mbledhur njerëz të tjerë kureshtarë që s’kishin parë kurrë si xhirohej një film. Regjizori, që kishte hipur në një podium provizor bërë me dërasa, me një autoperlent me bateri që mbante në dorë, pyeti përgjegjësin e zërit :
– “Ka motor” ?
– “Ka motor”, ui përgjigj ai mbasi kishte bërë kontrolloin e fundit të gjithë atyre mjeteve e kabllove të shtrira. Atëhere regjizori i bëri me shënjë kameramanit dhe me zë të prerë urdhëroi : – ” xhirojmë “….!
– Nga kthesa e rrugës, në hyrje të fshatit, u duk një veturë model i vjetër “miliçento” që morri drejtimin për tek sheshi. U hap dera dhe zbriti “oficeri fashist”, që siç thoshte historia, gjë e cila ishte evidentuar në skenar, n’atë periudhë të gjithë e njihnin dhe e thërisnin bile me gradën ushtarake që mbante, “tenente” dhe që ishte bërë tmeri i gjithë zonës.
… – Hallë Mara kishte ikur nga shtëpia herët, pa dalë drita, dhe kishte vajtur në fushë ku kishte një kopësht të vogël, dy rrypa tokë rrethuar me gardh, ku mbillte ca perime të stinës, të cilat donin vaditur, se uji ishte i pakët dhe vaditja bëhej me orar. Mbasi kish mbaruar punë, mblodhi ca gjethe e shkarpë për dhitë dhe bëri një barrë të madhe. Nxori nga çanta tërkuzën, e kaloi tek barra, vuri dhe një xhaketë të vjetër nga pjesa e kurizit, me qëllim që të mos e vriste pesha, u ngarkua dhe me ndihmën e një shkopi, që e mbante në dorën e djathtë, u ngrit dhe morri rrugën për në shtëpi. Kur kaloi shtegun e “Protopapet” dalloi nga larg shumë njerëz të grumbulluar tek sheshi i fshatit si dhe shumë makina të ndaluara.
-“Kushedi ç’ka ndodhur”, mendoi, ndonjë hata e madhe se ndryshe nuk shpjegohet gjithë ajo mori njerëzish dhe filloi tu japë këmbëve.
U afrua ngadalë dhe shkarkoi barrën mbi një poton, liroi tërkuzën që i kish zënë frymën dhe me shkopin në dorë depërtoi në turmë.
Një qetësi e madhe kish pllakosur kudo. Në këtë kohë “oficeri fashist” duke mbajtur dorën e djathtë në rrypin e mesit, ku i varej koburja, iu drejtua turmës duke ulëritur :
– “Po nuk treguat kush qëlloi autokolonën tonë në qafën e “Gjëmveshit”, do të pushkatoj dhjetë burra nga fshati”.
Hallë Marës i hipi gjaku në kokë dhe filluan ti erësohen sytë. Iu kujtua ajo ditë e zezë para 30 e kusur vitesh kur fashistët, po në këtë shesh, i kishin rrëmbyer burrin bashkë me katër të tjerë dhe i kishin pushkatuar në të dalë të fshatit, duke e lënë të ve në moshën 20vjeçe me një foshnjë në bark. Ja, tamam si ky ishte ai “tenentja” gjallë, dhe trupi, dhe veshja,dhe mustaqet. Por disa muaj mĕ vonë, në një aksion që bëri bujë dhe që vajti deri tek veshët e Duçes, njësiti partizan i krahinës e kishte ekzekutuar me tre plumba ballit.
– U çudit dhe vetë se ku i erdhi gjithë ajo kurajo dhe duke shtyrë me forcën e krahëve e duke hapur rrugën me dy brylat, u gjënd në rreshtat e para. Me shkopin e madh, që kishte dhe një gungë në majë dhe s’e kish hequr nga dora, iu lëshua “oficerit fashist”.
– “More i pa udhë, nga na mbive prapë këtu ?. Ne ta bëmë varrin njëherë, dhe ngriti shkopin përpjetë duke e qëlluar e duke kënduar “vënçe” një këngë që i kushtohej aksionit të asaj dite :
“Ç’aksion bëtë atë ditë, lule djemt’ e nënave
me plumb ja gristë mëlçitë, lule ……..
Akoma pa mbaruar,nga turma u shkëput xha Milua, i kunati, një burrë i moshuar që gëzonte respektin e gjithë fshatit dhe që i kish qëndruar afër gjatë gjithë këtyre viteve.Menjëherë i kapi dorën, por hëngri edhe ai një shkop, e mbështolli në krahët e tij duke iu lutur :
– ” Qetësohu moj e uruar, qetësohu moj xhane -dhe sytë iu mbushën me lotë. Bo..bo…ç’na bëre . Po këta janë tanët moj Marë, bëjnë theatro që ti shonë të rinjtë që s’i kanë parë e jetuar. Fashistët i kemi ndjekur njëher e mirë, nuk vijnë më more shpirt i Milos”. Nxori shaminë dhe filloi të fshijë lotët e tij e pastaj të sajat. Trupi i hollë i hallë Marës, që dridhej i tëri, u var në prehrin e tij. I mori fytyrën në pëllëmbë, i rregulloi flokët dhe destemelin e kokës dhe filloi me dashamirësi ta fërkoj në supe e ti përkëdhel fytyrën. Të gjithë në shesh kishin ngrirë, figurantët, aktoret, grupi i xhirimit, spektatorët.
– “Na falni more shokë, u dëgjua zëri i xha Milos dhe sytë i drejtoi nga regjizori dhe kameramani. U bëmë zarar, u vajti dëm mundimi more njerëz dhe dalloi se edhe ata ishin mallëngjyer e sytë u ishin skuqur.
– “Jo more xha Milo, nuk prish punë, do ta xhirojmë përsëri nga e para, bile dhe më të mirë tani” – u mundua ta qetësoj regjizori dhe i zgjati paketën e cigareve.
– “Na fal dhe ti hallë Mara, iu drejtua asaj, nuk deshëm të të lëndojmë dhe prap. Mjaft për sot, mblidhni materialet” – iu drejtua grupit të xhirimit.
Xha Milua zgjati dorën për të marë cigaren dhe nxori dhe ai kutinë dhe ja afroi duke i thënë :
– “Bëj një të dredhur se kam duhan të mirë. Po që s’do të punoni më, meri djemtë dhe hajdeni për një kafe në shtëpi, do na bëni nder”.
– “Mirë xha Milo, shkoni ju se do të vijmë” , rast i mirë mendoi, ta njohë dhe më mirë e nga afër këtë grua dhe historinë e saj.
Xha Milua duke e ndihmuar të ngrihet hallë Marën, iu drejtua :
– “Hajde moj e uruar të vemi në shtëpi të qetësohesh se mĕ vonë do të kemi njerëz”. Ajo ju bind, si gjithmonë. U ngrit duke u mbajtur në krahët e tij dhe u dëgjua të belbëzoj :
– “Në shtëpinë time do ti presim efendi” – kështu e thëriste për respekt dhe kurrë në emër. Të dy siç ishin morrën rrugën e shtëpisë. Mbrapa i ndiqte një fshat i tërë. Kalopja, një gjitone, nxitoi të marë barën me gjethe. Sa mbritën tek dera hallë Mara nxori çelsin e rëndë, e hapi dhe e shtyu me forcë, së cilës për siguri i vinte dhe një gurrë nga mbrapa. Xha Milua e ndiqte hap pas hapi e nuk i shqitej. Hyri në odën e madhe, nxori nga dollapi kutitë e kafes dhe sheqerit, filxhanët, gotat e rakisè dhe një shishe të madhe që kush e di sa e vjetër ishte dhe i vuri mbi banak që ti kishte gati. Pastaj hoqi nga murri një kornizë me fotografinë e të shoqit, e fshiu, e puthi dhe e vendosi në krye të tavolinës.
– “Hajde dhe ti, rri këtu në ballë se do të presim miq sonte” – murmuriti dhe e mbështeti.
– “Hajde dhe ti këtu në kariken tjetër efendi” – iu drejtua xha Milos, i cili një cigare e mbante në buzë e tjetrën e dridhte. Pastaj u largua për pak. Vajti në dhomën e saj dhe nxori nga dollapi një palë rroba të mira dhe një destemel të zi, që e kish ruajtur si sytë e ballit. Tek po vishej dëgjoi zëra në rrugë dhe nxitoi.
– “Po vijnë -tha, e zeza unë vonova, duhet të isha tek dera.Në trup ndjeu ta përshkojë një ndjenjë gëzimi se do ti mbushej shtëpia, e cila kishte kohë që s’kishte parë kaq shumë njerëz dhe ajo e shkonte jetën brënda katër mureve.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s