Kalendari poetik: Omar Khajam 18 maj (1048-1123) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Kalendari poetik: Omar Khajam 18 maj (1048-1123)

Astronom, matematikan, filozof dhe poet i shquar persian, një nga shtyllat e qytetërimit islam. Ishte i pari që filloi zgjidhjen e ekuacioneve të shkallës së tretë në matematikë në një mënyrë që vetëm pas disa shekujsh do bënte të njëjtën metodë edhe Dekarti. Mendimtar, shkencëtar dhe poet në një kohë kur Evropa ishte në terrin e mesjetës.
Ja disa vargje nga “Rubairat”, sjellë mjeshtërisht në shqip nga Noli:

Kjo zemr’ e marr’ e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.

………………………………………..

Te rrug’ e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag’ e çpojtje s’qepet krëhri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.

Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemra qiri me flakën rron e vdes:
Te flak’ e bukur zemra flutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.

Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s’më vë re aspak ose më tall,
Kur unë psherëtij për ty me mall.

………………………………………

Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr’ e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s’rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.

Me buzët gjak, Sirenë, dehm’ e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm’ e grimë:
Me krah’ e me gërshetë mbytm’ e shtrimë,
Me syt’ e tu të zjarrtë tretm’ e shkrimë!

Me Bukë sa për shpirt, me Hën’ e Zanë,
Me Ver’ e Harp’ e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m’i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.

………………………………………………………

Me Ver’ e Valle, me Huri – në pastë,
Te vija në lëndin’ u shtri – në pastë,
Dhe humbi fare Ferr’i zi – në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi – në pastë.

Një kupë Verë, mor Saki – ta puth!
Vajzën e bukur si selvi – ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal’i ri – ta puth!

Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s’duhet pirë veç me brohori.

 

Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s