Fragmente nga romani ” Sarajet” i autorit Ali Abdihoxha / Përgatiti materialin Bardhyl Selimi

Ali Abdihoxha

Sarajet

Shtëpia botuese “Glob”

Tiranë 1997

Fragmente

f.67

Destan Gozhda bën 13 vjet ushtri për të tjerët

…Gati 25 vjet më parë Destan Gozhda varrosi të atin dhe pas këtij varrimi ai mbeti vetëm me të ëmën, me kasollen e vjetër e me një borxh, kamata e të cilit rrezikonte arën e vetme që i kishte lënë i ati. Ditën e shtatë të vdekjes, në prag të kasolles u duk kryeplaku i Rrasekut Dane Bubuja, i cili i hodhi një nga ato vështrimet që s’kamë nevojë për fjalë. Pas gjysmë ore ranë në marrëveshje se e vetmja mundësi për të shpëtuar arën dhe kasollen dhe për të shlyer një pjesë të kamatës ishte që Destan Gozhda të shkonte bedel për djalin e madh të kryeplakut. Kryeplaku i premtoi se do t’ia rregullonte vetë dokumentet me emrin e të birit dhe do ta rregullonte gjithashtu që i biri ta bënte ushtrinë jo më shumë se dy vjet. Kështu ndodhi që një i quajtur Kapllan Bubuja të qendronte në shtëpi, të zdërhallej hijeve ose të ngrohej pas zjarrit e të hante petullat që i bënte e ëma, ndërsa Destan Gozhda të shkonte në Tarabulluz, që ishte vilajeti i vetëm në Afrikë dhe i fundit nga tridhjetë vilajetet e Perandorisë Osmane.

Iku Destan Gozhda duke lënë prapa mëmën shëndetdobët si dhe ëndërrat për një tjetër njeri të dashur, që do të ishte nusja e tij imagjinare, me të cilën ai e kishte bërë zakon të bisedonte vetëmevete sidomos, netëve të gjata të dimrit. Sapo të kthehem nga shërbimi ushtarak, i thoshte Destani nuses imagjinare, do të martohemi, do të bëjmë shumë fëmijë, si gjithë bota, do të shlyejmë borxhet e do të kemi kasollen tonë, një oborr, dy dhen e dy dhi e pa tjetër edhe një qen…Si thua ti Destan, e ndërpriste ajo, pula a do të kemi shumë? Po, i përgjigjej ai. Oborrin do ta punoj unë, thoshte ajo. Të dy bashkë, ashtu si arën, ia kthente ai. Unë do të laj edhe rrobat në lumë. Ti rrobat, unë do të prashis misrin…Dhe kështu vazhdonin pa fund bisedat e Destanit me nusen e ardhme dhe kur nuk mjaftonte drita e mëngjesit për t’u shkëputur nga ëndërrimet, atëhere e përmblidhte zëri i së ëmës: ngreu Destan se të zuri dreka në shtrat!..Ah, të shkretën, thoshte me vete Destani, fërkonte sytë dhe vegimi i nuses së panjohur zëvëndësohej me gomarin, me parmendën, me koshat apo drutë që duheshin shitur në pazarin e sanxhakut ose të kazasë më të afërt..

Kur u kthye nga Tarabulluzi pas dy vjetësh, Destani e gjeti varrin e të atit të fundosur e gurët të rrëzuar nga rrebeshet e dimrit. Ai e mbushi varrin, i ngriti gurët, rregulloi disi edhe kasollen që po shëmbej dhe u nis prapë për dy vjet të tjerë, kësaj radhe në Anadoll, për djalin e dytë të Dane Bubujës, Halimin, se borxhi rriste kamatën dhe kamata qe rritur dyfish pas vdekjes të të atit. Kështu Destan Gozhda shkoi katër herë me radhë nga dy vjet për secilin nga katër djemtë e Dane Bubujës. Herën e tretë  ai mori emrin  Tahir, të katërtën Sadik.

Njeriu që kish ndërruar katër emra, radhën e pestë shkoi nizam për emrin e vet përsëri në Tarabulluz dhe kësaj radhe shkoi për pesë vjet, sepse nuk mbante më mbiemrin Bubuja dhe kur u kthye pas 13 vjetësh ushtri, ishte bërë burrë 35 vjeç. Mëmën e gjeti uloke nga të dyja këmbët; gjeti edhe fshatin Rrasek si më parë, me arat, pyjet, bregoret e moçalishtet e dikurshme, shumica të Dane Bubujës, veç Danen vetë jo, se Dania kishte vdekur nga një sëmundje barku. Në vend të tij gjeti katër djemtë për të cilët kishte shkuar bedel dhe më i madhi prej tyre, Kapllani, i paraqiti Destanit një letër të shkruar e të vulosur, ku thuhej se ara dhe kasollja e Gozhdallarëve kishte mbetur rehen dhe ishte bërë pronë e Bubujallarëve.

  1. 150

Në sfondin e llambës me vajguri bukuria e profilit të saj prekte cakun e fundit të një gjallese jo tokësore. Kuqëlimi i buzëve të ndezura nga frika dhe nga afshet i jepte reflekse të gjithë fytyrës me atë lëkurë të lëmuar mermerike, ku shquanin ca vijëza të holla e shumë të holla që të kujtonin damarët e ngushtë të fëmijërisë.

Me të hedhur hapine  parë përtej pragut,  ndodhi pikërisht ashtu si e kish përfytyruar ajo vetë gjatë netëve të pagjumësisë: Deli Gjadri uli pak fitilin e llambës dhe pa bërë as gjestin më të tepërt, si një gjë e ditur dhe e pritur prej kohësh, e mbërtheu nga beli i hollë hanëmen e brishtë. Hanëmja u përpëlit për t’i shpëtuar krahut të Deliut, por në vend që të zmbrapsej, ndodhi e kundërta, padashur qe platitur më shumë pas trupit të tij të ngrohtë, i cili me njërën dorë e ngriti si të ngrente një pupël, me tjetrën i hoqi rrobën e zezë bashkë me këmishën e bardhë të natës dhe pastaj, si në një rit të përsëritur mijëra herë midis tyre, e shtriu ngadalë e me butësi në dyshek.

Asgjë tjetër s’dëgjohej përveç kandrrave të natës mbi kokë dhe shushurimave të një rrëkeje uji që përdredhonte përbri kasolles. Pasi kaluan disa çaste, kur veshët e hanëmes ishin qetësuar nga buçima e gjakut, atëhere tek ajo erdhi edhe dihatja e përgjumur e pyllit që shtrihej atje tej nën rrezet e hënës së prerë. Por pylli dhe dihatja e tij ishin larg. Aty pranë ishte frymëmarrja e Deli Gjadrit dhe njëherësh era e barit të thatë që mbushte dyshekun, era e fierit që mbulonte kasollen dhe ngjitur me trupin e përmbi trupin e saj përhapej era mashkullore e Deli Gjadrit, pastaj…

Ajo e ndjeu veten të përhumbur nga zjarrmia e një orgazmi të tillë, të cilin jo vetëm e provonte për herë të parë në jetën e saj të shkurtër bashkëshortore, por as në përfytyrimet më të dëshirueshme s’kishte qenë e mundur ta çonte nëpër mend. Sikur ta pyesnin më vonë, sa kishte zgjatur ai orgazëm i parë, ajo do përgjigjej me naivitetin më të madh: pa fillim e pa mbarim!

 

Mblodhi Bardhyl Selimi, 6 maj 2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s