Burgu im / Tregim nga Petrit Sulaj

Burgu im

 


Tregim nga Petrit Sulaj

Një ditë e gjeta veten në burg, megjithse nuk kisha bërë gjë për tu gjendur në birucë. Isha aq i ndërgjegjshëm për këtë, sa gjatë një reflektimi tërkuzë që bëra, nuk arrita të zbuloj asgjë, dmth deri atkohë nuk kisha bërë të mira e të keqia as edhe për tu ndjerë krenar a në faj, jo më për të qënë në burg.
Të them të drejtën, nuk më kishte arrestuar e prangosur askush. Thjesht kur isha zgjuar ditën në fjalë, e gjeta veten në një qeli burgu ndërtuar apostafat për mua. Në atë burg nuk mund të mbaja mardhënie me të ngjashmit e mi si më parë, thjesht se nuk kisha mundësi të komunikoja me asnjë, por nga ana tjetër u gjeta i kufizuar në komunikim dhe me vetveten. Me një fjalë po kuptoja qartë, se tash e tutje nuk mund të lëvizja e veproja ashtu si kisha bërë një jetë të tërë.
Qelia ime, nuk ishte qeli tradicionale. Nuk kishte ajo derë me hekura e as frëngji. Biruca ime ishte një kuvli e madhe, vetëm me dysheme e një tavan. Muret anësore mungonin, nuk e di ku ishin, ndoshta dhe i kishin fshehur për të më futur në ngasje, por si u mendova mirë e mirë, aq sa të bindja mendimin tim për të bërë kompromis, e pata më të lehtë ta pranoja realitetin ashtu si ishte dhe jo të fantazoja rreth tij.
Më vonë, me kalimin e kohës, mendimi im qerrata pastaj nuk e pati të vështirë të më bindë mua se muret, kangjella e hekurt dhe frëngjia nuk mungonin, vetëm se ai që më kishte dënuar e kishte bërë qelinë time kështu qëllimisht, për të më vënë në provë se sa më vlente lëkura. Nejse, realitetit tim birucor i kishin ngelur për tu plotsuar vetëm vogëlsirat e gjërat e imta dhe me këto do të kishja kohë boll i kyçur brenda, të merresha unë vetë, domethënë ti bëja të pranueshme, madje, si të më donte kokrra e qejfit.
Tavanit i kishin lënë një vrimë, nga më sillnin për të ngrëne njëherë në ditë dhe dyshemesë një birë, nga kryeja nevojat e mija, po kështu një herë në ditë. Nuk vonova dhe fillova të merresha me gjërat që më mungonin. Punë e parë e fillova me muret. Nisa të vras mendjen si ti bëja, por nuk po vendosja dot. Kur zgjatja dorën për të kërkuar materialet për të ndërtuar, dora nuk prekte gjë. Vazhdoja ta zgjatja putrën, por dhe nderja e saj e kishte një kufi dhe kufiri ishte pika ku duhej të kishja kujdes: aty më vihej në rrezik ekulibri e për pasojë dhe jeta. Kështu, kujdesi për veten më lejonte të shkoja me zgjatjen e dorës, deri aty ku vija re se humbja ekuilibrin dhe pastaj në fillim për instikt e pastaj për zakon, ndalesha.
Isha i sigurtë që materialet për murin e frëngjinë ndodheshin diku aty pranë, madje herë herë dhe i shihja qartë sa me vështrim e sa me mendje, problemi ishte se nuk mund të rrezikoja veten, zgjatja e dorës mund të më kushtonte jo vetëm ekuilibrin por dhe vetë jetën.
Në burg, të them të drejtën, nuk më mungonte gjë shumicën e kohës, por nganjëherë më mungonte gjithçka dhe kur pamjaftueshmëria e gjërave arrinte kulmin, nuk e di çfarë më ndalte të mos provoja të arratisesha. Kur nuk më mungonte gjë, haja e pija, mendoja e jetoja për mrekulli, kur më mungonte gjithçka bëja grevë të përgjithëshme, sa qimet e kokës bheshin gjemba iriqi.
Në burg gjërat nuk alternoheshin, siç më kishte ndodhur sa kohë kisha qënë jashtë. Thjesht në burg mund të alternohesha vetëm unë. Nuk kishte mëngjez, drekë e darkë aty. Kohë me diell apo breshër e tramundanë. Nuk kishte zhurmë e as aroma. Për ta patur, gjithçka duhej ta imagjinoja me forcat e mia. Në fakt unë për këto gjëra që po them, kujtohem vetëm tani sepse kur bëja jetë burgu, isha thjesht një i dënuar dhe kur je në statusin e një të dënuari, të tjerët, të padënuarit, nuk kanë interes që i burgosuri të shohë e të mendojë përtej hundës së tij e të japë intervista. Sepse njerëzit e lirë jashtë, e sidomos konstruktorët e qelive e dinë mirë se një që fillon të ketë interes të shohë përtej hundës së tij, fillon e ushtron imagjinatën dhe të ushtrosh fantazinë në burg është gjë me rrezik, për faktin e thjeshtë sepse fiton mundësi reale e praktike për ta qeverisur vetë veten, pavarsisht çfarë kanë programuar të tjerët për ty.
Vitet kalonin dhe unë dalngadalë fillova të ndryshoja në burg, pak a shumë njësoj si kisha ndryshuar dhe në liri. Nuk ankohem, ndryshimi në burg ishte i thellë, sa mentaliteti im u bë shmëplanësh. Një herë burgun konsideroja lirinë time, ndërsa birucën një vend të mrekullueshëm zgjedhur nga unë vetë. Madje arrita deri dhe të mendoja, se burgu im eksistonte thjesht sepse e mbaja unë peng, ngaqë nuk kisha rrezikuar që të humbja ekuilibrin e të imagjinoja mure, kangjellë e frëngji e jo më të filloja e ti ndërtoja me duart e mia si janë burgjet e vërteta. Dikur fillova të mendoja ndryshe. Aq sa ndryshimi im erdhi e u poq plotsisht, sa buka e uji filluan të mos më pëlqenin si më parë, sidomos liria aty ishte shumë e ngushtë për mushkërite e mendjes time. Për të marrë veten, kërkova të më nxirnin ca minuta në ajrim. Thirra rojen, që në fakt nuk ishte bërë i gjallë gjatë gjithë burgosjes time dhe me fjalë të varfra, i spjegova se ç’doja.
Rojen nuk e pashë, por dëgjova një zë i cili nga jashtë më tha: “ Fillo e bëju gati, po vijmë…”
Hodha sytë andej nga dëgjova zërin dhe nga ana e murit që më mungonte më shumë, dy njerëz vërtet po vinin drejt meje. Mezi mernin frymë, kishin mbi supe një arkivol.
Ishte një qivur i rëndë, i cili po i lodhte për vdekje. Më erdhi keq për to. Për të dy, edhe se nuk i kasha parë kurrë më pare. Më tej nisa të bëja kryqin, edhe se nuk isha i krishterë dhe kohën tjetër né burgun tim e përdora duke lutur zotin, të mos ishte për mua ai arkivol.

Petrit Sulaj
Shëputur nga libri me tregime të shkurtëra “QIELLGËRVISHTËS PA THEMELE”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s