BEATRIÇE BALLIÇI- NJË STOL KU PUSHOJ TË MARR PAK FRYMË

BEATRIÇE BALLIÇI- NJË STOL KU PUSHOJ TË MARR PAK FRYMË

-Fragment-

“Do të doja të isha një qiellbore,
Të qaja me lot të bardhë.” (B.B)
{Unë herë pas here do të ulem për t’u shlodhur në një stol-prehër të vargut tuaj lisharse ëndrrash , miket e mia, për të mos ndjerë shpejtësinë e akrevave të orës së prapthi të ditëve të mia! (IS)}
(përgjatë përgatitjes së antologjisë femërore të poeteve të qytetit tim Elbasan).

***
Ec e ec nërpër vargje e poezi të poeteve të qytetit tim prej mëme…
Nuk më këputen gjunjët. Më ndalet herë pas here fryma.
Dhe kërkoj të ulem diku, te një stol imagjinar, ku gjithçka të ka lodhur të shlodh sërish… Të mbush me oksigjen, nga ai që nuk e kanë klinikat e botës, por vetëm poetet.
Dhe ku ka më bukur se të ndalesh për të pushur te stoli qetësues i Betit, vajzës së “HARPA”, ku në të gjitha vargjet e saj ti ndjen se gjishtrinjtë e një femre i bien telave të harpës poetike, ku dridhet e flatërohet shpirti.
Beti, ajo , emri më i njohur dhe i lexuar i qyteti tim, më e kënduara këngë e Alfonc Balliçit me tekstet e saj; Beti, vajza, gruaja, nëna , mikja ”serioze” nga hapi deri në përkushtim ; Beatriçja e shumë vëllimeve poetike, përkthimeve, studimeve dhe teksteve mësimore…, me “seriozitetin” dhe brishtësinë e saj femërore , me aq humanizëm të thotë: “…Më fal, nëse të bëra të vuash./
/Por unë për ty i bëj të gjitha/Qaj që të qesh,/Bie që të zgjohem prapë,/
Iki që të vij përsëri…”(Poemë për vete dhe për të tjerë).
“…Nganjëherë ndjej/Se trëndafilit të shpresës
M’i këpusin petalet/Dhe m’i lenë gjembat.
Ti mos më lër! (Ti mos më lerë.)
………………..
Beatriçes të :“Kush m’i fali manushaqet”…,
sot duhet t’i them: Nuk e di kush t’i ka falur, por pranoji nga unë dy fjalë me fytyrë manushaqeje, mikja ime e fëmijërisë, mikja e bashkëudhëtimit tonë sa të bukur , aq të vështirë, për t’u kuptuar dhe pranuar me fjalën tonë të kahershme!

GRATË E PALUMTURA

Ironi e fatit shpesh është martesa,
Grua e palumtur një ditë u zgjova.
Të rri me ty – është e padrejtë,
Të rri pa ty – jam e pazonja.

Ecim përkrah, por pranë s’të ndjej
Dhe kalimtarët heshtjen lexojnë.
Të rri me ty – është e padrejtë,
Të rri pa ty – jam e pazonja.

Tërhiq – lësho, gjer kur të vejë,
Jetojmë bashkë si në një lojë.
Të rri me ty – është e padrejtë,
Të rri pa ty – jam e pazonja.

 

FATIT TONË TË VONUAR

Më thuaj shpejt e shpejt
Diçka të lehtë,
Një fjalë si kalores,
Një fjalë si verë,
Një fjalë që fluturon nëpër erë,
Se fjalët e mençura
Kokën na e lodhën
Dhe në breg s’na nxorrën asnjëherë.

Më thuaj shpejt e shpejt
Diçka të lehtë
Dhe mbushma përplot gotën!
Dhe mos u pendo, miku im,
Që në jetë ne ishim muskëtierë,
Se kurorë dinjiteti kërkuam,
Kurorë lirie të vërtetë.

Por fatit s’ke ç’i bën!
Fatin tonë ne s’e patëm kurrë në duar.
Fatin tonë idiot,
Fatin tonë të vonuar!

 

KISHA KUJTUAR

Kisha kujtuar se ky qytet,
Nuk do ta mbante dot
Dashurinë time.

Nuk e di, a të dua,
Por di se pa ty
Gjërat nuk janë ashtu siç i dua.

Ky qytet i pranon të gjitha:
Dhe ftohtësinë e heshtjes,
Dhe rrahjet e zemrës në minuta të kthjellta.

Nuk e di, a të dua,
Por di se pa ty
Ndjej përpara vetëm mure.
KJO GRUA
Kjo grua vështrimhumbur,
Me flokë të purpurt në manushaqe,
Me zë melodioz, si të mëndafshtë,
Që sa herë flet kur është pranë teje
I çel tek buzët trëndafili i kaltër,
Doemos që do të jetë nga fisi i Safos,
Gjak poetësh do të ketë ndër deje….

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s