Poezi nga Vullnet Mato
MADHËSHTORJA MBI TË GJITHA MADHËSHTITË
Dashuri, ti bashkon gjallesat në tokë e dete,
ti qetëson, ose egërson dallgëzimet e jetës,
ti na bën të kemi një tufë engjëjsh me vete,
por dhe engjëjt i ndan, pas një tjetër martese.
Dashuri, je perla në guaskën e shpirtit mbyllur,
për ty krenohemi, apo përflitemi më gjatë,
për ty grindemi dhe qajmë me lot të hidhur,
vritemi me armë, çahemi me sëpatë.
Dashuri, ti na rrëmben mendjen, kohën, gjumin,
ti na vjel fjalët, shëndetin, gjakun dhe paratë.
Dashuri ti i bën njerëzit, nga sytë të na humbin,
lind diellin në mbrëmje, të na ngrohë në mesnatë.
Dashuri, ti je bujku dhe ara e begatshme e jetës,
ku mbillet fara e gjakut dhe mbijnë filizat njerëzor,
je djepi shekullor i familjes, ku fisit i zgjaten degët
dhe varri i lakmitarit, të nxitur nga verbimi epshor.
Dashuri, ti bën të mos e kemi përherë trurin me vete,
të marrim udhët e botës, deri largësive të mëdha,
ti bën të na duken malet fusha, lëndina me bar, detet.
Dashuri ti na shkrin akujt, ose na sjell dimrin në behar.
Dashuri, ti na e bën të bukur, apo të shëmtuar fytyrën,
bën të shembemi përtokë, apo të fluturojmë përpjetë,
ty të përkëdhelim, të pështyjmë, të heqim ngjyrën,
të hedhim nëpër plehra, ushqim të tepërt për qentë.
S’dihet nga kanë dalë për ty, këto epitete të tmerrshme:
të themi “Kurvë” e “kurvar”, kur ti bën zgjedhje të lirë,
ndryshe, kur je femër e ve, ti mbetesh “e ndershme”
pranohesh pa pretendime virgjërie, quhesh e dëlirë.
Dashuri, je oksigjeni që i duhet gjakut, për t’u pastruar,
të kapim si zog të artë e të lëshojmë si balonën për retë.
Je madhështorja, mbi madhështitë, që duhen nderuar,
por, në asnjë kohë s’ta kemi ditur, vlerën e vërtetë!…
ARRATISJE NGA KOLERA
Trumbetarët thanë, virusi është zhdukur,
bashkë me varrmihësit e mortjes lindore.
U zgjidhën fashat e filtrave të pambukut
nga frymëmarrja e pastruar nëpër hundore.
Qeshën fytyrat me lundrimin diellor në sy,
shpërthyen zërat e ndrydhur prej llahtarisë,
gëluan fustanet shumëngjyrësh në lirshmëri,
brofën peshqit, nëpër kofshët e djalërisë.
Kolera u shua, në kujtesën e gjithsecilit,
filluan të pluskojnë ëndrrat e ardhmërisë,
erëmuan aromat e këndshme të trëndafilit,
gjelbëruan gjethet, nëpër degët e miqësisë…
Por papritur ndodhi zhgënjimi i tmerrshëm,
viruse të shumuar, në thelpinj fshehtësie,
u përhapën nga zgjimi i tufanit të djeshëm,
dhe pllakosi paniku, me dridhma lemerie…
Vdekja e ringjallur bashkë me veladonin e zisë,
mprehu kosën e ndryshkur për viktima të tjera,
tmerri çau shtigjet e ajrit dhe ujërat e arratisë,
për të braktisur pragjet e infektuar nga kolera…
Kur duhet të krijohet sërish qëndresa e bashkuar,
të dezinfektohet vendi i infektuar nga epidemia,
për t’i vënë bartësit e kolerës në karantinën e izoluar,
pa braktisur tokën e shenjtë, trashëguar nga lashtësia.
BURRË E GRUA RRËFEHEN PËR NË PARAJSË
Ai:-
Ah, sa të bukur jemi unë dhe ti moj grua!
Druaj, kur të vijë koha të shkojmë në Parajsë,
do gjej belanë me femrat, që do më qepen mua
por dhe ti me meshkujt, që do të ngjiten pas…
Se thonë atje mes sekseve, ka liri absolute
dhe s’kemi të drejtë të bëjmë refuzime toke.
Atëherë ti për mua do bëhesh xheloze akute,
unë do tërbohem keqas, nga tradhtia jote…
Ajo:-
Këto shitja ndonjërës, që do vijë me ty në Ferr,
për tradhtitë që ke bërë disa herë pas shpine,
po unë nuk të kam rënë në sy ty asnjëherë,
se s’desha vlerën tënde ta rrit mbi veten time…
Ai:-
Edhe unë diçka di, nga intimitetet e tua,
por nuk ta kam tjerrë, se më ka ardhur zor.
S’je qelibar siç dukesh, për në Parajsë ku thua,
po ec të lutemi bashkë: O zot, na ço në Purgator!…