IRMA KURTI : MJELMA ME KRAHË TINGUJSH… / Përgatiti materialin Iliriana Sulkuqi

IRMA KURTI 

MJELMA ME KRAHË TINGUJSH…

-fragment-

{Teksa marramendem në antologjinë e poeteve të qytetit tim, nga një poete te tjetra , që i takojnë datëlindjeve të ndryshme në kohë më vjen të ulëraaaas:”O dashuri, pse në të gjitha kohërat, Dhimbjen e bëre Shenjtëri…? (I.S)}

Irma, si vajza ime.
Takimet tona ishin të përditshme mëngjes apo buzëmbrëmje rreth një kafeje apo limonate …, por asnjëherë të zakoshme. Asnjë ditëmbrëmje nuk i ngjante tjetrës, ashtu siç nuk ngjan një gjerbë hardhie me rrëshirën e një pishe, edhe pse brenda tyre kanë diçka të përbashkët prej qarjeje…
Irma, e veshura e tëra me rroba të tejdukshme prej shpirti, të ofronte imazhin e një ikone Onufriane… Duhet ta njohësh që të kuptosh KUPTIMIN.
Irma, e një zë i hershëm poezi tingujsh, ku duartrokitjet ishin të dukshme dhe ajo… pas kuintave të ikjes…
… Dhe kështu ikëm, në kohën e ikjes …
Unë mora me vete një kasetë me këngë nga tekstet e saj, librin e saj të parë me poezi…dhe kujtimet e mëngjesmbrëmjeve me kafe e limonatë të shpërbërë në pika të mallta…
Ajo iku…, në ikjen e saj, për të prekur një ëndërr të pastër prej dashurie…
Por malli nuk të shqitet, kudo të marrësh arratinë. Se malli paska lidhje të pandara me kujtimet….

“Çfarë po kërkon në bregun e detit,/guaska të thyera apo kujtime plot?
Pulëbardhat sa larg kanë shtegtuar,/ e braktisën folenë e tyre me kohë….”(Pa Atdhe).
“Jam e lumtur sepse dita më përket,/me të unë mundem të bëj ç’të dua,
ta mbush me ëndrra, mendime drite, /si një glob ta rrotulloj në duar…”(Dita lakuriqe).
“Era do t’i flakë tutje petalet/, do të zbulojë vjeshtën tek unë,/
vyshkjen, perëndimin e bukurisë/e rininë e tretur në çdo rrudhë…”(Stinët e mia).

 

TË JEM GRUA

Kam harruar këto kohë që të jem grua:
të vishem me taka e me fustan elegant,
të përdor të kuq e të trukohem sa dua,
me hiret e mia të provokoj dikë pastaj.

Me pantallona xhins e këpucë sportive,
me flokët e prera fare shkurt si djalë,
me hapin e rëndë unë dukem si ushtari
që në strehëzën e tij kthehet me mall.

Veç shpirti, ai nuk ka ndryshuar aspak,
i gjerë, i thellë, s’matet as me detin,
naiv, konfuz, i prapë po mbi të gjitha
i dridhshëm porsi një tel instrumenti.

 

IMAZHI YT NË GISHTA

Një mbrëmje ne të dyja ecnim
pranë liqenit Nënë. Mjellmat
në dritën e zbehtë të muzgut
rrëshqitnin mbi ujë ngadalë,
ndërsa në fytyrën tënde hëna
reflektonte zbehtësinë e saj.

Por ty Nënë nuk të kam më.
Me portretin tënd të bukur
dhe me kujtimin e asaj nate
hëna lehtë noton nëpër valë.
Unë duart i zhys në liqen:
imazhin tënd në gishta mbaj.

 

I DASHUR, TI S’MUND TA DISH

Ti s’e kupton ç’do të thotë të jesh i huaj
në një vend të bukur e magjepsës si ky,
të të mungojë gjithçka, tek e fundit asgjë:
një copë kartë me emrin “leje qëndrimi”.

Ti s’e ke provuar të ecësh si hije në rrugë,
sepse emri yt s’ekziston në asnjë zyrë,
shikon ëndrrat të shkelen nën hapat e tu,
asnjëri emrin nuk ta shqipton, je anonim.

Të ëndërrosh syhapur të takosh të afërmit,
të mund të kthehesh veç njëherë në atdhe,
ta ndjekësh me vështrim një avion në qiell,
të flesh pak, se ankthi dhe malli nuk të lenë.

Ti s’ke provuar të të shtyjnë me forcë duart
e ushtarit në postbllokun që ndan kufijtë,
nëse një çast në sy do të guxosh ta shikosh,
atje zemërimi shkrep porsi një shkëndijë.

Ti nuk di se ç’do të thotë të nënqeshin me ty,
teksa fjalën e duhur rrekesh ta gjesh më kot,
se si ndihesh i vogël, pa vlerë, vetëm një hiç
e dëshiron në çast të zhdukesh nga kjo botë.

I dashur, ti s’mund ta kuptosh edhe sikur
pranë zjarrit të flas pareshtur natë e ditë,
se vuajtja nuk ka zë, as dhimbja gjithashtu,
ç’do të thotë të jesh i huaj, ti s’mund ta dish.

 

TEATËR NJERËZOR

Ky teatër njerëzor ndjenjash të shtirura,
me buzëqeshje të shqyera dhe sy pa jetë,
s’e di për sa orë e ditë do të vazhdojë,
di veç të them se dalëngadalë po më vret.

Jam e sigurt që diku do të ketë ndjenja
të dëlira si uji i burimit të kthjellët,
që të çlodhin e të magjepsin si muzikë,
qetësinë e përjetshme i dhurojnë zemrës.

 

Irma Kurti:
Ka botuar gjashtëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe dhe dhjetë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës: në anglisht, frengjisht, spanjisht dhe gjermanisht.
Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 38 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, në Shqipëri dhe SHBA. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. U shpall “Poetja Shqiptare e Vitit 2015” nga Qendra P.E.N e Shqipërisë. Bashkëpunon me gazeta të ndryshme në gjuhën shqipe. Jeton në Bergamo të Italisë.

 

Përgatiti materialin Ilirian Sulkuqi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s