Përroi i Djallit / Tregim nga Lek Gjoka

Përroi i Djallit 

As vetë Tonin Kola nuk e dinte se si pas tre muaj pune i lidhur me litarë po i jepte jetë skulpturës së Zojës Shën Eufomia tek Përroi i Djallit. I ulur mbi një shkrep tek Firusha në një lëndinë mbi Gurrën e Madhe ku shpërthente burimi kryesor i Përroit të Djallit sodiste tërë fushën e gjerë që shtrihej poshtë bjeshkës deri në afërsi të detit Adriatik ku dallgët e tij përziheshin me ushëtimën e përroit dhe krijonin një lloj melodije të veçantë sikur donin të tregonin për një mori historish dhe legjendash që ishin freskur mbi këtë tokë të lashtë ilire. Në një moment iu shfaq fytyra e ëmbël e gjyshes së saj…
.. – Eh mor biri im, ky përrua dhe kjo bjeshkë ka qëndruar me shekuj të tërë në këmbë, në gëzime dhe tragjedi por kurrë nuk është gjunjëzuar por tani…
– Çfarë ka ndodhur nana gjyshe?
– Si çfare mor bir a nuk e shikon?!
– Jo unë shikoj, por nuk kuptoj asgjë!
– Ajo kishë si të katra kishët e katundit ishte shpresa e vetme e për ne, ishte lidhja me Zotin që na lehtësonte dhimbjet dhe varfërinë ndërsa tani ..
– E di moj nana gjyshe por s’kemi çfarë të bëjmë keshtu erdhi kjo kohë, ky dreq sistemi komunist, nuk kemi asnjë rrugë dalje.
– Po more bir ka, si nuk ka!
– Si?
– Të gdhendësh Zojën Shën Eufomi tek shkrepi i Gurrës së Madhe, tek Përroi i Djallit se atëherë ajo do ta ndihmojë të gjithëve.
– Po pse e ka këtë emër ky përrua kështu, “Përroi i Djallit”?
– Ka një histori të dhimbshme aq dhe reale që im shoq pra gjyshi yt e ka përjetuar. Dikur quhej “Përroi i Qershive” por..
– Qershitë janë përsëri, – e ndërpreu Tonini, – bile shumë të mira megjithëse tani që i kanë rrethuar ato të kooperativës nuk mundemi të hamë asnjë kokërr.
– Tani ka hyrë kjoftëlargu tek zemrat e njerëve sikur i kishte hyrë dikur Zef Markut.
– Si i paska hyrë djalli, mos është rrenë moj gjyshja ime?
– Jo bir jo!
– Pastaj si ja hoqën e vranë bashkë me djallin.
– Jo jo, Dom Luigji, prifti i katundit ia nxorri nga shpirti e trupi kjoftëlargun.
– Si?
– E ke parë një gropë tek oborri i Kishës së Madhe?
– Po.
– Aty ishte një man, dhe atë man ia dha dhuratë dom Luigji kjoftëlargut. – Përse,kur dhe si?
– Ishte një ditë e bukur pranvere. Një i ftohtë të priste si brisk. Përroi i Qershisë ishte i tej mbushur me ujë pas një shiu të fuqishën që ra një javë rresht. Si mbaroi mesha e të dielës Llesh Marku qëndronte tek pragu i kishës dhe bërtiste në kupë të qiellit që kjoftlargu të mos hynte dot në kishë. Dom Luigji me parinë e katundit ku bënte pjesë edhe gjyshi yt si dolën në oborr e moren Lleshin për krahu. Prifti i drejtoi biblën dhe kryqin Lleshit dhe duke iu lutur Zotit i bërtiste me të madhe kjoftlargut: – Kjoftëlarg dil nga shpirti i Llesh Markut!
– Jo nuk dal, – dëgjohej zëri i Lleshit, – dua dy furra me bukë.
S’kaluan as pesë minuta dhe djalli hëngri plot dy furra bukë që ishin për pesëdhjetë burra.
– Dil tani se të dhamë atë që kërkove!
– Jo jo nuk dal se dua më..!
– Dua Marien e Franit më të hijëshmen femër të katundit!
– Per emën të zotit nuk ta jap dhe ti ke për të dalë nga shpirti i Lleshit!
– Jo nuk dal, më jep kalin tand të shalës!
– As atë nuk ta jap se edhe kali ështe qenie me shpirt por dil!
– Jo nuk kam për të dalë pa më dhënë diçka! Djalli në sytë e Lleshit shikoi manin e madh në oborr të kishës. Poshtë tyre qëndronin në hije tërë burrat e katundit.
– Dil të thashë, zoti i madh ka për ta ndihmu shpirtin e Lleshit dhe e ke të kotë se nuk ke për të qëndru gjatë!
– Po dal! – bërtiti një zë i fuqishëm nga buzët e Lesh Markut, – por më jep manin në oborr të kishës, manin ku bëni kuvendet e katundit.
– Merre! – foli me të lehtë Dom Luigji, – e marrsh edhe përroin bashkë me të.
Pa një e pa dy qielli i errësua sterrë. Një oshëtimë e fuqishme sikur erdhi nga bjeshka. Një hije e zezë nisi të dalë nga shpirti i Lleshit. Si doli me furi u nis nga ana e manin dhe si e rrethoi pemën me vargoj e shkuli dhe me zhurmë e potere i nis nga Përroi i Qershisë…
– Po pastaj gjyshe si ndoshi?
– Askush nuk di më tepër por kjoftëlargu iku nga shpirti dhe trupi i Lleshit . Dikush thotë se ka hy tek Gurra e Madhe atje ku buron përroi ndaj ia ndryshuan emrin në “Përroi i Djallit”…
… Një prekje supesh nga prapa sikur e shkundën Tonin nga kujtimet. Ktheu kokën prapa kur pa Marie, i dha një përqafim dhe e mori në prehër.
– Po ti çfarë do këtu?
– Isha në një mbledhje.
– Ku?
– Tek kryesia e kooperativës.
– Dhe, çfarë?
– Dikush të ka parë duke punuar skulpturën dhe të ka paditur në Parti por nuk ka arritur të të njohë. Më mori edhe vëllai në telefon dhe më tha të ruhesh sepse të arrestojnë dhe mua nuk më duhet gjë jeta pa ty, pa dashurinë tënde.
– Ajo është një vepër arti, ato duhet të më falenderojnë, kam punuar tre muaj i lidhur me litarë.
– Vepër arti do të ishte ose mund të jetë po qe se komunizmi ky djall që ka hyrë në Shqipëri të vdesë, tani është skulptura e Zojës Shën Eufomi dhe djalli ti e di se nuk e do as Zojën, as Zotin e as Krishtin ai do vehtën vehten e tij.
– E di e di, – tha Tonini mendueshëm, – por më duhet edhe një ditë ta përfundoj ose më saktë edhe pak orë.
– Mbaroje tani sepse nesër është shumë vonë.
Pa u menduar më gjatë Tonini zbriti ngadalë poshtë Firushes tek Gurra e Madhe. Mori çekiçin dhe daltat dhe si u lidh me litar zbriti poshtë në shkrepin e thepisur dhe ia nisi punës. Nga sipër Maria e shikonte me një shikim tejet të ëmbël duke ia lehtësuar lodhjen. Pak pa u errësuar mbaroi punë. U ngjit lart. Njëherë deshi të hidhte çekiçin dhe daltën në mbrendësi të burimit por ndërroi mendim. U ngjit ngadalë nëpër litar drejt Maries…
Pas dy-tre ditësh ra një shi i fuqishëm me breshër e erë të tmerrshme. Sekretari i Partisë dhe Kryetari i Këshillit e kishin parë skulpturën por kishin rënë në hall të madh. Ta prishnin me tritol kishin frikë se thahet i vetmi burim i pashtershëm edhe në verë për fshatin.
– Djalli e marrtë Përroi e Djallit! – foli me zë të lartë sekretari, – si t’ia bëjmë që ta largojmë?
Asnjeri nuk fliste. Një heshtje varri i kishte mbërthyer të dy. Pinin duhan në heshtje kur pas krahëve dëgjoi një zë të njohur. Ktheu kokën kur dalloi fytyrën e dashur të nënës.
– Hë nënë! – i foli me një frymë Sekretari, – çfarë të solli këtu?
Ajo u afrua dhe nisi të bënte kryq. Sekretari i Partisë u skuq disi dhe iu afrua më afër të ëmës mbi nëntëdhjetë vjeçare por që gëzonte shëndet të plotë.
– Nënë, të kam thënë se nuk ka zot, Partia, komunizmi është zoti ynë.
E ëma e shikoi si me habi. Dy pika loti i ranë nga sytë. – Biri im çfarë të ka ndodhë? Dom Luigji është në burg dhe duhet ta nxjerrësh të të shpëtojë!
– Nënë më dukesh e sëmurë, nuk je në rregull…!
– Ehh mor biri i nënës, zëri është i joti por dreqi po të komandon ndaj duhet se s’ban me thirrë dom Luigjin me ta nxjerrë kjoftëlargun nga shpirti, apo jo o Palok, – iu drejtua Kryetarit të Këshillit, – a e morët vesh se ç’farë ka ndodhë?
– Jo! – foli Paloka si i zënë në faj.
– Stuhia që erdhi pardje nuk ishte shi e breshër i zakonshëm. Jo, jo!
– Ç’farë dreqin ishte? ! – ia priti i biri.
– Dreqin e ke ti në shpirt e duhet me ta nxjerrë, por erdhi Zoja Shën Eufomi në tokë dhe e largoi shejtanin nga gurra e kur iku la edhe shenjën e vet në gurë. Hapni sytë mirë. I gjithë fshati e di. Shikojeni hyjneshën sa me shikim të ëmbël lutet për ne në shkëmbin e gurrës së “Përroit të Dreqit”.
– Nënë, duhet më thirrë ambulancën me të dërgu në spital.
– Në spital dërgo vehten dhe atë që na ftohu shpirtin e u mundua të na largojë Zotin e Krishtin e në vend të tij të vijë vetë. Atë punë vetëm dreqi, kjoftëlargu e bën se vetëm ai donte të dilte përmbi Zotin dhe Zoti ia dha dënimin nëpër përroj tuj tërheqë vargje hekuri pesë tonësh, e tuj ndejtë gadi me gjetë njerëz si ti o biri im me iu hy në shpirt. Nuk ka Parti mbi Zotin, Zoti asht i plotfuqishmi i gjithë botës, i të gjithë shpirtrave që ai iu jep frymë dhe kur vdesin ka qejf me i marrë në parajsë por ky dreq dreqi që ti po punon iu fut ndërkamzën do t’ju hedhë në ferr.
Ajo e shikoi edhe një herë me shumë dhembshuri të birin dhe u largua drejt shkëmbit. Pa bërë disa metra me dhjetëra e dhjetëra fshatare po shkonin në të njejtën rrugë tepër të ngushtë që më parë nuk kishte ekzistuar fare por dikush kishte punur tërë natën dhe e kishte rregulluar deri të skulptura që kishte gdhendur Tonini, skulpturë që në shpirtrat e fshatarëve kishte larguar djallin nga gurra e “Përroit të Djallit”.

 


Lek Gjoka

Marrë nga libri me tregime “Përroit të Djallit”.
Tirane 2013

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s