VATH KORESHI SI NJERI I MADH / Nga: Mihallaq Qilleri

VATH KORESHI SI NJERI I MADH

Tashmë që kanë kaluar aq vite nga ikja e Vathit, sikur e ndjej gjithmonë e më shumë mungesën e tij, buzëqeshjen e tij, sigurisht letërsinë e tij të papërsëritshme. Ne na lidhte diçka sa e largët, po aq edhe e afërt. Vathi pat punuar në rininë e tij nëpër ekspeditat gjeologjike si specialist shpimesh, por jeta e përbashkët me gjeologët, bënte që shpesh të konsiderohej si dikur-gjeolog. E them këtë sepse, pastaj mbaroi fakultetin Histori-Filologji, e u bë gazetar e më pas shkrimtar i shquar, nuk e harroi kurrë atë jetë të ashpër malesh. Kur them i shquar ky është aspak një vlerësim apriori i imi, thjesht prej miqësisë me të, por bota letrare shqiptare e ka përcaktuar tashmë përfundimisht.. Vath Koreshi, së bashku me po aq të madhin Teodor Laço, i takon brezit të dytë të shkrimtarëve të shquar, sigurisht pas Dritëroit, Kadaresë, Petro Markos, Jakov Xoxës e të tjerë dhe ne, që erdhëm më pas, kishim tashme dhjetra burime ku mund të pinim ujin e fresket të një letërsie shqiptare që po konsolidohej.
Por nëse të gjitha këto i dinë shumë njerëz, më duhet të tregoj jo thjesht çastet e fillimit të miqësisë sime me shkrimtarin nga Lushnja, por edhe një klimë represie që mbërriti në letërsi e arte në vitin 1973, pas një atmosfere shumë liberale të fundviteve ’60. Shkaku…Është e vështirë të thuhet.. Ndoshta frika e madhe e rregjimit të kohës për përmbysje të mëdha pas ndarjes ideologjike edhe nga Kina..
Jetoja aso kohe në Gjirokaster, i transferuar nga Tirana. Sigurisht nuk kisha reshtur së shkruari, por një ndruajtje e pazakontë më detyronte shpesh t’i mbaja nëpër sirtare krijimet e mia. Së fundi vendosa t’i drejtohesha gazetës “Drita”,- më të madhes e më të rëndësishmes për krijuesit shqiptarë të asaj kohe,- duke dërguar në të tregimin “Jeta mbi shkëmbinj”. Titulli, konceptimi, atmosfera letrare do të ishin si një farë resumeje e romanit tim të parë e të sukseshëm “Jetë dhe dashuri”.
Nuk e dija aspak se redaktor i letërsisë në “Drita” ishte caktuar tashmë Vath Koreshi. Në Lidhjen e Shkrimtarëve kishte nisur një furtunë shkarkimesh e emërimesh. Pas shumë vitesh prof. Dh. Shuteriqi largohej nga drejtimi i saj si liberal (!!!!) dhe vinte Dritëro Agolli. Stuhitë e pas pleniumit të 4-t sigurisht nuk kisha aq kohë e mundësi t’i ndiqja nga afer. Punoja ekspeditave gjeologjike dhe atje një radjo me bateri, lodhja, kushtet e mjerueshme të jetës, largësia nga qendrat urbane, i shtonin pamundësitë e “anktheve” të tilla. Në shtepi kthehesha vetëm një herë në javë, në mos më rrallë. Dhe ja, pikërisht në një nga ato të diela, gjej të botuar në “Drita” tregimin tim “Jeta mbi shkembinj”. Gëzimi ishte i papërshkruar. Bleva dy copë gazeta dhe e lexoja dhe rilexoja punën time. Po më pëlqente shumë, sikur të mos e kisha shkruar unë. Gjithsesi, të hënën duhej të merrja autobuzin karakatinë e të mbërrija diku në male për të vijuar punët. Sigurisht në Sheshin e Çerçizit letrarë të mirë të qytetit më përgëzuan si për një sukses. Jo të gjithë mund të botonin në “Drita”. Nga larg, nga Tirana e kam fjalën, – nuk mund të më telefononte askush. Nuk kish sesi. As telefon stabël nuk kisha ende në shtëpi. Pastaj, kush më njihte! Këtë do ta ndjeja disa javë më vonë..
Kështu u përtyp ky gëzim i çuditshëm. Disa ditë më pas do të harroja gjithçka. Puna e lodhshme ndër male e bënte “Jetën mbi shkëmbinj” thuajse të pavlerë.
Kaluan disa javë. Po përgatitesha të nisja një tregim tjetër te “Drita”. Kisha shkruar shumë të tilla, të cilat me një redaktim të thjesht, siç do të provohej më pas, mund të bëheshin interesante. Befas një të diel mbërriti në shtëpi një lajm-thirrje, siç quheshin ftesat për biseda telefonike, nga dajoja im. Ndoshta kam shkruar fare pak për këtë njeri të cilin e kisha jo thjesht vëllain e nënës sime, por mik, konsulent, redaktor..Aso kohe Kozma Skarço ishte emëruar si gazetar në gazetën “Bashkimi”, një organ sivëlla i “Zerit te Popullit” dhe një vend atje, fill pas mbarimit të universitetit, nuk ishte gjë e vogël. Por në bisedën tonë telefonike të mbrëmjes ndjeva në zërin e tij një farë ankthi, mister dhe pasiguri. Më lutesh të merrja leje nga puna dhe të nisesha urgjent për ne Tiranë. Nuk bëhej fjalë për ndonjë sëmundje sepse njerëzit tanë të përbashkët jetonin në Vlorë. Pra diçka kishte ndodhur..Diçka që as mund ta imagjinoja..Dy ditë më vonë do të udhetoja me një kamion qysh pa gdhirë dhe do mbërrija në Tiranë diku ne mesditë. Hipa shkallët e redaksisë së njohur dhe sa hyra në zyrën e dajos tim vura re se ai kyçi derën nga brënda.
– Dëgjo, – tha pasi më pyeti për gruan dhe tim bir të sapo lindur. – Ndoshta ke dëgjuar për Pleniumin e Komitetit të Partisë së Tiranës.
– Sigurisht, – ia ktheva. Nga radjoja, kuptohet.
– E atje…- ai u përtyp një çast, më ktheu shpinën, pa nga dritarja, pastaj më tha tepër i trishtuar.- Atje u përmend edhe emri yt..
– Emri im? Po ç’ne? Ç’punë kam unë me Pleniumin?
– I deleguar ishte Mehmet Shehu, – shtoi mërmëritshëm sikur të donte të më shtonte ankthin.- Tregimi yt i botuar para ca kohësh në “Drita”, u konsiderua si reminishencë liberalizmi e paspleniumit. Raporti i Lidhjes së Shkrimtarëve.
U mpiva.
– Po unë e lexova fjalimin e Mehmet Shehut, – ia ktheva.
– Isha në sallë, – nguli këmbë- dhe dëgjova gjithçka. Sigurisht shtypi nuk boton çdo fjalë të fjalimeve a diskutimeve. Përzgjedhim, redaktojmë, ose më saktë na vijnë sugjerime nga lartë..
Mbeta pa fjalë.
– Dhe kush e tha fjalën për mua?
– Nuk ka rëndësi, tani, – shtoi ai me bezdi. – Por të thirra këtu sepse me telefon nuk bisedonim dot.
Kisha një dell proteste gjenetike prej tim eti. Letërsia për mua ishte një pasion që nga adoleshenca dhe mendoja se nuk do të më duhej në jetë për asgjë. Asnjë karierë a punë të rëndësishme. Unë kisha profesionin tim dhe as mund të mendoja se isha dikushi, se vleja aq sa të tërhiqja vëmendjen. Kjo përfshirje e befasishme në një vorbull të rrezikshme ishte aq e pakuptimtë, sa edhe kur dola jashtë pata përshtypjen se kjo mund të ishte një fantazi e dajos se sa e vërtetë. Por ai më këshilloj të mos i bisedoja me askënd këto fjalë. Ia ktheva se, derisa emri im ishte përmendur në një plenium aq të rëndësishëm si ai i Tiranës, me siguri e kishin dëgjuar disa qindra njerëz. Për fat nuk duhej të kishte drejtues partie nga Gjirokastra. Sepse ndryshe do të më thërrisnin ata të parët. Me ftoi ta kaloja darkën tek shtëpia e tij. I thashë nuk e di dhe dola…
Tirana më ngjau një qytet i pluhurosur, i zbehtë, i heshur, me kalimtarë nervozë që me shikonin të gjithë me inat. Së paku kështu e ndjeja. Diku te sheshi “ Skenderbej” ndjeva se më kërciti edhe një herë furrishëm delli i Vangjel Qillerit, tim eti, dhe u ktheva menjëherë djathtas.
Ndërtesa e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk kisha qenë asnjëherë brenda saj. Nga jashtë po, e shihja kur kaloja rrugës së Kavajës ose “Konferenca e Pezës”, siç qe riemërtuar. Kalova një oborr të ngushtë, ngjita tri a katër shkallë dhe, si për mrekulli, në parashkallën e pare dallova trupin e lartë e të hollë të Vath Koreshit…
Më duhej të tregoj se Vathin e njihja qysh nga “Zëri i Rinisë”, kur dërgoja atje reportazhe të cilat, jo vetëm pëlqeheshin, por emri im ishte ndër më të preferuarit. Madje vite në pas do zbuloja se arsyeja e vetme e transferimit tim nga Tirana në Gjirokaster pat qenë një korespondencë e gjatë e Komitetit Qendror të Rinisë, 0rgan i të cilit qe “Zeri i Rinisë”, me ndërmarrjen gjeologjike të Tiranës. Pat nisur hekurudha Rrogozhinë-Fier dhe shkrimtari e dramaturgu Loni Papa, caktohej si korespondent i përhershëm në hekurudhë. Në vend të tij nevojitej një redaktor. Aty qe diskutuar edhe emri im. Sigurisht emërimet në Tiranë, e sidomos në shtypin e kohës, ishin sa profesionale aq edhe politike. Por kërkohej edhe diçka tjetër. Individit i duhej pasaportizimi në Tiranë. Unë ende nuk e kisha, por duke qenë punonjës atje, mund të bëhej një tranferim, si të thuash, brenda për brenda Tiranës. Por kjo nuk ndodhi. Për koincidencë, apo enkas, më transferojnë në Gjirokastër me argumentin se tashmë i njihja shumë mirë fosforitet, për të cilat krijohej ajo qendër kërkimesh në Jug-perëndim të Shqipërisë..
Thashe se këto të gjitha do t’i mësoja më pas kur të më binte rastësisht në dorë dosja ime personale në zyrën e Kuadrit.
Nëse si shkrimtar nuk isha thuajse askushi, kisha bërë emër si gazetar. Këtu qe fillimi i njohjes sime me Vath Koreshin, si edhe me të talentuarin Luan Dibra. Edhe kur “Drita” botoi tregimin tim të parë, nuk e dija se një preferencë personale do të kisha edhe nga redaktori i sapoemëruar atje Vath Koreshi..
U përqafuam. Po dilte nga kafeneja e zhurmshme aty ne krah. Thuajse më mbuloi me gjatësinë e tij.
– Po ti këtu? – pyeti i habitur.
– Ja ashtu, – u përtypa unë..-me një hall. Po ti?
– Po unë këtu punoj tani, – ia behu ai.
– Me faqet letrare?
– Po, po, – ma ktheu.
– Pra ti e botove tregimin tim të para disa javëve?
– Sigurisht, – tha duke ngritur vetullat e holla. Faqet e zbehta ia pushtoi një kuqëlim i çuditshëm.
– Domethënë se e di se çfarë ka ndodhur në Pleniumin e Tiranës?
U përpëlit. Nuk jam i sigurt në se bëri një lëvizje befasuese dhe vështroi rreth e rrotull.Kanë kaluar afro 45 vjet.
– Pse çfarë ka ndodhur atje? – pyeti zëulët.
– Po ja..
Nuk mbarova fjalën. Më kapi për krahu dhe më zbriti përsëri në oborr. Kishte shumë lëvizje. Siç do të mësoja më vonë ajo sallë e ngushtë kafeneje dhe salla përbri do të ishin mjediset më europiane që mund të gjeje në gjithë Shqipërinë.
– Çfarë ka ndodhur?, – pyeti edhe një herë Vath Koreshi me këmbëngulje.
– Po ja…që tregimi im është quajtur si reminishencë e letërsisë liberale të botuar para Pleniumit të 4-t.
– Kush ta tha këtë?
– Nuk ka rëndësi, -a preva.
– Por këtë përgjegjësi e mbaj unë si redaktor e botues i tregimit, – ma ktheu ai disi nervoz.- Dhe unë e kam sqaruar këtë punë. Ti je diku maleve, dërgon një tregim, unë e lexoj dhe vendos nëse duhet botuar. Kaq. Derisa e botova unë e çmoj se çfarë niveli ka letërsia jote..
Turfullova. Pra gjithçka ishte e vërtetë. Mbaj mend madje se befas ne u ndamë duke lëvizur e larguar me shpinë nga njeri-tjetri, sikundër ndodh me dy gurë bilardoje kur dikush i godit me stekën e gjatë. Nuk e di përse ndodhi kjo. Ndoshta ne kishim nevojë të mendonim ndaraz. Por shpejt do ktheheshin drejt ballë për ballë. Unë kisha marrë një vendim. Edhe ai kishte marrë një vendim. Unë thashë menjëherë dua të takoj Dritëroin, ai më tha, jo, nuk ka arsye ta takosh. E kundërshtova ashpër. I gjthë respekti, pse jo, edhe ndrojtja që ndjeja para personalitetesh të tilla të letërsisë, u zhduk. Po rrezikohej seriozisht e ardhmja ime, ndoshta edhe e familjes sime. Këtë instikt ma shtiu ndër venat e gjakut një vetmbrojte e lashtë.
U ktheva, e lashë në oborr, ashtu me pëllëmbën e njerës dorë mbi fytyrë dhe iu drejtova përsëri thellësisë së ndërtesës. E dija se nuk do ta takoja më.
Në paradhomën e zyrës së Dritëroit qëndronte një grua flokëverdhë, jo nga ato që quhen të bukura, por shumë simpatike. Ndjeje menjëherë një ndjenjë mirësie në sytë e saj të kaltër aq sa inati im u mpi. Më vonë do mësoja se quhej Kristina. Iu prezantova. Me sa duket emri im nuk po i thoshte asgjë. Thashë se kërkoja të takoja me shokun Dritëro, se vija nga Gjirokastra dhe se…
Më vështri përsëri me po ato sy të heshtur e të mirë.
– Duhet të prisni, – tha pas pak.- Te kryetari është dikush tjetër.
Dola në koridorin e ngushtë. Lëviznin njerëz krejt të panjohur, gjithsesi me ca letra ndër duar me të cilat, – siç do mësoja më vonë, – do të hynin te daktilografistët, te korrektorët, te kryeredaktori, ndoshta edhe te..Dritëroi. Po të ishte klshtu edhe ai e kishte para-lexuar tregimin tim..
Dikush doli nga paradhoma e Kristinës, pasoi një ndërkohë disi e gjatë, ankthi im po rritej dhe ja, befas, te dera u shfaq koka e sekretares dhe me një lëvizje të syve të qeshur më ftoi të hyja. Kalova paradhomën dhe po ajo më hapi derën e zyrës ku qëndronte Dritëro Agolli. Ishte një mjedis i madh, i mobiluar rëndshëm dhe menjëherë aty të pushtonte ndrojtja e madhështisë.
Nuk njihesha personalisht deri atë ditë me shkrimtarin e njohur. Sigurisht unë ia dija fytyrën, librat, artikujt e deriatkohëshëm te “Zeri i Popullit”, por..kaq. Mbajta një lloj largësie prej tavolinës së tij të madhe.
– Hë, ç’kemi Mihallaq? – pyeti menjëherë ai sikur të ishim takuar edhe një ditë më parë.
– Po ju e dini, – thashë me nxitim. – Më keni kritikuar në një plenium aq të rëndësishëm, sa, them të drejtën, nuk ia vlente. Atje është folur për vlerat kombëtare të letërsisë e arteve. E kush jam unë?
Nuk m’u përgjigj menjëherë. Shkoi pëllëmbën e përthyer te dorës mbi mjekër, e la aty një sekondë dhe pastaj nisi të peshonte ndër gishtrinj një laps..
– Hë,…- nuk dinte se çfarë të thoshte ai..
Prita. E dija edhe vet se nuk duhej të flisja më shumë.
– Po, nuk është fare kështu, – ma ktheu qetë. – Unë e lexova atë tregim.. Dhe mendoj se ti je një letrar i talentuar. Një letrar që me siguri do të shkruash tregime të tjera e ndoshta libra…
– Në se do të më lejohet, – thashë i emocionuar.
– Sigurisht, sigurisht.. – Por ne e kemi për detyrë të tërheqin ndonjëherë veshin e dikujt qysh në fillimet e veta, për të mirën e tij.. Kaq kemi bërë.
– Unë mendoj se keni bërë më shumë, – ia ktheva me po atë rebelizëm, për të cilin ai do t’i ankohej sime shoqeje, Aleksandërs, 15 vite më pas në shtëpinë time. – Kjo do të thotë t’i vendosësh stërkëmbë dikujt që në shkallaren e parë të ngjitjes për në ndërtesën e letërsisë. Dhe unë bie, unë rrëzohem. Dhe kam frikë pastaj të guxoj të hipi përsëri.
Më vështroi disi me vëmendje. Nuk isha i sigurt nëse kisha thënë fjalët e duhura në ato raste. Por as nëse i pëlqyen ato fjalë. Goditi lehtë pëllëmbën dorës së majtë me lapsin që mbante në dorë, ngriti kokën dhe tha.
– Jo, nuk është kështu siç mendon ti..
– Unë mendoj se atje zhvillohej një forum i rëndësishëm dhe ju mund të merreshit me letërsinë e miqëve tuaj, të shkrimtarëve që i japin tonin letërsisë e jo me mua, qysh me tregimin e parë…
– Të thashë se mua më pëlqeu ai tregim..Më ka folur Vathi për ty..
– Ndoshta do thoshja se kini harxhuar një bombë atomike për të vrarë një mushkonjë, – shtova i emocionuar.
Më pa i habitur. Me sa duket fraza ime i pëlqeu shumë. Vonë, vonë do mësoja se kjo thënie do të bëhej proverbiale në koridoret e Lidhjes së Shkrimtarëve, sa herë bëhej fjalë për diferanca letrarësh të rinj dhe krijimeve të tyre të pabotuara.. Kuptohej që e shpërndau ai njeri..
U ngrit në këmbë, më vendosi dorën mbi sup, me tha se tani që do zbrisja duhej të takoja Vath Koreshin, sepse gjithçka ishte biseduar me të.
– Dhe ti shkruaj, shkruaj, – shtoi duke më përcjellë deri jashtë.- Asgjë nuk ka ndodhur..Të fala Gjirokastrës, kush të të pyesi për mua.
I zbrita shkallët i trullosur e dy e nga dy. Jashtë në oborr më priste Vath Koreshi, ashtu i gjatë, me shpatulla paksa të rëna, me fytyrën e mrehtë e me një tis kuqëllimi në të. Buzëqeshi.
– Hë, si shkoi? – më pyeti.
– Mirë, – thashë butë.. – Nuk e di..
– Do të kthehesh të të jap një kafe?
– Më duhet të nisem sonte për në shtëpi,- i thashë. – Ndoshta gjej ndonjë makinë. Janë në merak.
– E mirë, – më preku supin ai – Më dërgo ndonjë tregim tjetër kur të mundesh..
Fjalia e fundit m’i kishte thënë të gjitha..Isha shqetësuar më shumë se sa duhej!

 

Nga: Mihallaq Qilleri

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s