Shpirti i Poetit / Poezi nga Sinan Vaka

Posted on May 31, 2018

0


Poezi nga Sinan Vaka
 
 
Shpirti i Poetit
 
Shpirti im spiunon rrënimet e jetës së lakuriqtë,
si thika e pakëndshme e helmuar nga dhimbja,
sepse kur Zoti ngriti e ndërtoi mrekullitë,
po kaq Djalli ngriti të zjarrta mëkatet.
Mendim i trishtë !
Bota është pafundësi lulëzimesh në agoni;
Lind fëmija, por vëzhgo të Atin që mbulon të Anë.
Vizione të kota në mjerim pasuesish…
 
Te poeti i heshtjes jeton këngëtari i errët,
sepse paqja e thellë përkund djepin e vdekjes,
por unë kam ende dritëza mendimi nga rinia
dhe vetëm zemrën kam të qetë, por jo të përulur.
 
Ndjek zhurmat që kapin kufijtë e jetës,
duke mohuar violinat që joshen nga qiejt e qetësisë
dhe rrekem nga trombat e luftës dhe të ngasjes.
Jam i dashuruar me atë që jeton
edhe pse mund të jem vetë i pajetë.
Mendimin e quaj të thellë kur zhytet e zhbiron
dhe shpresoj të jem një i marrë shenjt,
edhe pse nuk shkoj drejt amëshimit.
 
Fati ynë s’është veç një plak mendimtar i fshehur,
që laget nga lotët e virgjëra të ikjes,
por nuk gjendet kurrë ky libër i mistershëm .
çdo mundim i ëndërrt mbaron kur fillon realja
një grusht dhe që bie mbi arkivolin mortor.
 
O Zot që më paguan çdo ditë shpirtërisht për të qenë i gjallë,
luftoj me sëder e nga sedra vdes,
tek rinia ime shikoje si ndizej flaka,
por tani shikon si ndizet drita,
dje shikoje flokët e mi të bukur,
por sot ballin e mençur
edhe pse,
qyteti i të gjallëve më përçmon, më vret
dhe të vdekurit nuk e duan këngën time përmatanë.
Posted in: POEZI