VALBONA BOZGO MUSAI – E MËRGUARA E PAMUNGUAR / Përgatiti materialin Iliriana Sulkuqi

VALBONA BOZGO MUSAI – E MËRGUARA E PAMUNGUAR

-fragment-

{ Unë nuk marr përsipër të bëj analizë të mirëfilltë të krijimtarisë së poeteve nga Elbasani , por me modesti i bëj thirrje kujtesës së qytetit tim, lexuesit të ri, se poetet e mërguara nuk duhet të mungojnë në sytë e leximit të tyre; se sa kohë jemi bashkëkohës, duhet të dijmë diçka për jetën dhe biografinë e tyre, për të kuptuar më mirë lidhjen midis krijueseve dhe krijimtarisë së tyre, për t’i dashur dhe kuptuar më mirë ato – njerëzoret poete ; se Elbasani nuk e ka të mbyllur kulturën e tij me emrat e mëdhenj që firmosën në shekuj lavdinë e emrave të letrave shqipe; se Elbasani vazhdon të ketë pena që koha do t’i shënojë në historinë e një qyteti që ka lindur për të qenë Obelisku i Fjalës edhe për Femrën krijuese}.
***
Shumë e shumë nga ne, në një vit të pakuptimtë, morëm udhën e mërgimit. Më së pari për në vendin më të afërt, apo te fqinja(siç i themi ne në Elbasan), për t’u fshehur dhe për të prekur një ëndërr, për të siguruar jetën dhe për ta rindërtuar nga fillimi… Shkuam për t’u fshehur, por ramë në “grackën” e një fshehjeje tjetër. Fshihu për të mos u “fshirë” nga “fshesa “ e fqinjës sonë Greqi…
Por , stoicizmi shqiptar është i pashembullt, aq sa bën edhe të ndryshojë rrethanat social-politike. .. Shumë e shumë , me durim dhe sakrificë i dhanë vendit ku u strehuan gjithçka që mundën, potencialin e tyre fizik dhe mendor për t’u bërë urë lidhjeje midis kulturave të dy vendeve…

Po ndalem pak te vajza jonë nga Elbasani, e cila , si të shumtët mori udhën e mërgimit drejt Greqisë – Valbona Bozgo Musai.
Motër e vëllezërve, që shkruajnë, të njohur edhe nga lexuesi, por që askush nuk i ngjan tjetrit në individualitetin e tyre krijues.
Valbona, e heshtura, e pabujta, mbështjellur me tisin e dhimbjeve të jetës mërgimtare, mërgimin e saj e ktheu në krijimtari, për të mos qenë e munguar në qytetin dhe vendin e saj…
Thotë një fjalë “ sipas vendit dhe kuvendi”. Ashtu ndodh edhe me poezinë. Ajo shkruhet nga ç’ka përjeton, në rrethanat e tua në kohë dhe hapësirë dhe jep mesazhin e duhur për lexuesin…
Teksa lexoj , rilexoj e përtyp vargjet e Valbonës, ndjej ngjyrat që vijnë nga e bardha e dëborës, që të duket sikur ngrin nga i ftohti, por në fakt digjesh nga një zjarr poetik që të bën të lëshosh një gulçimë për të pushuar shiun, erën, thatësirën, vjeshtën e lagësht nga lotët, pranverën e mardhur… Ndjehesh midis baticës e zbaticës, ku edhe pse i ndan një muzg e një ag, pagjumësia t’i ka bashkuar dy fenomenet natyrore në të njejtin çast… dhe pastaj…? Çfar ndodh, mëpastaj…?Kapërcime pindarike, si në këto vargje të Valbonës:
“Dëbora, qoftë edhe për pak, /u jep të gjithëve të njëjtin fat,/
si nxënësve në shkollë uniformat….”

“…Bora shkriu mbi tela telefonash.
Pikat e mardhura ranë qetësisht.
Ç’zë i ngrohtë e shkriu borën?
Zëri i malluar i cilës vajzë ish’?”

“…Po ta jap o Njeri
një nga krahët-
lëng e jetë.
Ngrohe gjakun tënd me timin
pa unë dhembjen
e mbys vetë!…”

Ja edhe një prelud që të këndohet në vetvete, sepse vetvetja e secilës Poete, por edhe poet, por edhe thjesht një lexuesi, patjetër i ka ndodhur: “… seç u ndez një zjarr në përrua,/siç u ndez ashtu u shua…”

Dritëro Agolli:
“…Vjershat e saj (Valbonës) janë si këngë me ritme dhe rimë plot muzikalitet.
Vargu tradicional dhe popullor nëse shkruhet me mjeshtëri është tepër sugjestionues me elegancën dhe muzikalitetin e tij. Këtë përpjekje bën dhe autorja.
Në vargjet e natyrës sociale ka humor, ironi dhe sarkazëm, që të bëjnë të buzëqeshësh, madje, ndonjëherë hidhur. Por, tipari kryesor i vjershave është lirizmi, shprehja e ndjenjës së dashurisë dhe miqësisë, gëzimi dhe hidhërimi, që burojnë prej tyre dhe synimi drejt sinqeritetit dhe bukurisë”.

 

SEÇ U NDEZ NJË ZJARR…

Seç u ndez një zjarr në përrua,
siç u ndez ashtu u shua.

Nuk e di, se kush e pa
sytë a mendja që më la.

Vashë, mjergulla e bardhë
e shoi zjarrin të më mardhë.

Por, s’u shua prush i valë,
pallton gri hodhi ngadalë.

Dhe, kur era e zbuloi
dhimbshëm zemra përvëloi.

Ku ke shkuar ëndërra ime,
dil njëherë e bëhu trime.

Nuk të tremb e nuk të ngas,
hiqma shpirtit një maraz.

Ja më ndez ti kraharorë
ja më hedh jorgan me borë.

Seç u ndez një zjarr në përrua
siç u ndez, ashtu u shua…

 

BORA

Në vendet ku rrallë bie borë,
kur qëllon që zbardhet një ditë dimri,
nuk është nevoja
të funksionojnë shoqatat për mbrojtjen
e të drejtave të njeriut.

Dëbora, qoftë edhe për pak,/
u jep të gjithëve të njëjtin fat
si nxënësve në shkollë uniformat.

Njerëzit i harrojnë shqetësimet
dhe i buzëqeshin njëri-tjetrit
duke shkelur drojtur të bardhën e brishtë.

Por, ah, dikur ajo fillon të shkrijë
dhe zënë e shquhen konture objektesh…

 

PYLLI

– Pylli madh
drurëshumë.
Bën kaq ftohtë,
thava,
mardha!
Një degë dua sa të ngrohem,
e pastaj
un’ shpejt largohem!

– Çdo degë imja
është një krah.
Dhembje e madhe më pushton
kur prej meje ato bien
Trupi gjethet kreshpëron!

Po ta jap o Njeri
një nga krahët-
lëng e jetë.
Ngrohe gjakun tënd me timin
Pa unë dhembjen
e mbys vetë!

S’kaloi shumë,
fatkeqi iku
dhe pas zjarrin la të ndezur.
Përmes flakësh tundte pylli
degët-flokë
marazçmendur.

-Çfarë më bëre
bukëshkalë!
Të dhashë jetë
të dhashë një krah.
Nga gjymtyra që të fala
më shkrumbove
Satana!

 

ALI ASLLANI

Ah, kujtim i shkretë, më shfaqet në mjegull,
Si drita e diellit, mes gjethesh në pjergull.

Koha shkon e shkon dhe e vesh me ar
Ëndrrën e shkuar mes dritash të larë.

Kur mendjen s’e kam më shfaqesh papritur,
Zë e ndriçon prapë dritë e venitur.

 

PERËNDIM

Një gjethe e vyshkur, një gjethe e tharë.
Nata pa sy, dita e marrë.

E vyshkur tash’, veçse për pleh.
Dita rri zgjuar, nata po fle.

Plehrofsh në mundsh një trëndafil.
Nata e shurdhët, dita një trill.

Pranverën sjelltë aromë e tij.
Dita e bardhë, nata në zi.

Gjethe e tharë filigran
Dita po qesh, nata po qan.

Kuaj kujtimesh ngasin revan.
Dita me diell, nata pa hënë.

Një gjethe e vyshkur, një gjethe e tharë.
Kuaj që bien me gjunjë të vrarë.
Nata pa sy, dita e marrë.

 

FTOHTËSI

Shumë nxehtë!
Dielli ka plasur dhe copëra llavash dërgon mbi tokë.
Në tunelin e shpirtit tim bën ftohtë.
Sa ftohtë…!

 

MË MIRË

Nëse larg teje shkoj
para se dashurisë dehja t’i ketë dalë,
mos qaj!
Më mirë një vuajtje nga pambarimi,
Se sa një thatësirë
Ne mbarim të saj…!

 

LOTI

Fjalë e rëndë që të thashë
syrit, lotin ia pikoi.
Lot i ndritshëm, diamant
tejpërtej trupin m’a shpoi.
Për një fjalë që thashë pa hir
më shkërrmoqe pa mëshirë.

 

VO:
Valbona Bozga Musai e lindur në qytetin e Elbasanit
Mbaron studimet në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike, në degën e filozofisë, më 1989 – tën.
Pas përfundimit të studimeve punon si arsimtare në rrethin e Elbasanit.
Në vitin 1997 – të emigron bashkë me familjen në Athinë, ku edhe jeton ende.
Vargjet e para të saj janë botuar në gazetën ”Zëri i Rinisë”.

 

Botimet

”Trazim” poezi 1996 shtëpia botuese Onufri.
”Binjakët” novelë për fëmijë 1999 ” ” Egnatia.
”Monologu i kryqëzimit” roman 2002 ” ” Toena.
”Vila e zonjës Leni” tregime dhe novelë 2006 ” ” Class
”Pa stinë” poezi 2010 ” ” ideart
”Krevati i pambaruar” roman 2015 ” ” LOGOS-A

Krijime të shumta të saj janë botuar në revista të ndryshme letrare.
Ka kontribuar edhe në fushën e publicistikës.

 

Përgatiti materialin Iliriana Sulkuqi

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s