Sinqeritet / Tregim nga Teuta Kodra

Sinqeritet

 

Tregim nga Teuta Kodra

Poshtë derës së shtëpisë time sot gjeta një letër.  U gëzova, kisha shumë kohë që nuk merrja letra nga askush. Gjithmonë më kanë pëlqyer letrat, më pëlqen ndjesia e grisjes së zarfit dhe leximi i fjalëve të lyera me bojë.

Të njëjtën ndjesi më dha sot edhe ky zarf, teksa e mora në dorë ndjeva që ky zarf duhet të mbante brenda një letër të ngrohtë, të dashur, një letër për mua… Grisa zarfin dhe nxora me kujdes letrën, e hapa dhe u surprizova, sepse aty nuk kishte shumë fjalë, shumë rreshta fjalësh, nuk kishte një zhurmshmëri shkronjash, të cilat unë i dua aq shumë… Aty ishte shkruar vetëm një fjali :” Nga sot lejohet dhe nuk është aspak turp që të qani kudo, nga pjesa prijëse e shoqërisë”.

Pasi e lexova, e gjithë kjo më tingëlloi si një njoftim, një njoftim i cili kishte ardhur vetëm për mua, e pse vetëm për mua…?!

Disa lot më rrëshqitën fshehurazi dhe pas tyre një varg i gjatë lotësh më lagën faqet, aq shumë, sa pëllëmbët e duarve u ndien të pafuqishme për t’i fshirë të gjitha.

Hyra në kuzhinë dhe nuk denjova më t’i fshihja lotët, të cilat tashmë nuk pushonin, edhe pse fëmijët po me shikonin të habitur dhe më pyesnin me sy se çfarë kishte ndodhur. Gjithmonë isha munduar që ata të mos m’i shihnin lotët, jo se këto të miat kishin ndonjë ngjyrë ndryshe prej të tyret, por doja qe t’i krijoja përshtypjen që të rriturit nuk qajnë më shumë se ata.

Ç’kishte ndodhur, paska qenë e vërtetë, na i paskan mbajtur lotët shtrënguar dhe ky urdhër na i riktheu në jetë?!

Ashtu me lot në sy nxitova që të bëhesha gati për në punë. Dola jashtë dhe përpara derës së ashensorit u përshëndeta me komshiun,  i cili nuk më përshëndet. Këtë mëngjes me lot në sy më tha mirëmëngjesi dhe teksa më fliste me shumë përzemërsi qante dhe në dorë mbante një shami. Kuptova që ajo letër kishte shkuar kudo, sepse jashtë pallatit një vajzë e vogël i lutej të ëmës që të mos qante më, se i vinte turp nëse atë do ta shikonin shoqet e saj të kopshtit.

Çudi… Njerëzit shiheshin në sy, lotonin, fshinin lotët prej syve dhe vazhdonin bisedat. Mjaftonte një kujtim, një qejfmbetje e vogël, një rrudhje vetullash dhe ata shpërthenin në lot. Qanin dhe vazhdonin e flisnin me njëri-tjetrin, pa pyetur se ç’ka ndodhur. Asgjë nuk kishte ndodhur, thjesht ata qanin, sepse ashtu ndiheshin, njëlloj ishte edhe kur qeshnin, ndiheshin ashtu dhe qeshnin, ndiheshin kështu dhe shkriheshin në vaj.

Qanin se ishin të rritur dhe nuk kishin guxuar të qurraviteshin sa herë që donin, qanin se ashtu donin, thjesht donin, thjesht qanin…

Në kafenenë e lagjes time shoh përditë një grua të re, e cila  rri gjithë kohës me syze dielli. Një ditë mendova se ajo ishte e verbër dhe pas këtij mendimi e mëshirova, por shumë shpejt kuptova se ajo nuk ishte e tille dhe mendimin e mëparshëm e zëvendësova me një tjetër mendim, ajo ishte një mendjemadhe që nuk donte të përshëndetej dhe të fliste me askënd. Sot atë e pashë pa syze, shijonte kafen dhe qante me shumë nga të gjithë, lexonte gazetën, pushonte pak dhe vazhdonte të qante, aq shumë sa shqetësoi dhe të qarat tona, sepse ne ishim shumë ngjitur me të…

Rrugës shikoje njerëz që edhe kur flisnin në telefon qanin, edhe shitësja e bukës ma ofroi bukën duke qarë, madje edhe policët rrugorë drejtonin makinat duke shfryrë e qarë dhe shoferët e shkrete shanin dhe qanin bashkë…

Shumë të tjerë i shikoje që lexonin letrën që kishin marrë  atë mëngjes dhe qanin, e lexonin dhe rilexonin me zë letrën, qanin dhe psherëtinin”ohh sa mirë…!”

Sa shpejt dhe mirë kaloi ajo ditë, sa shumë që u shijua ajo…!

Ra mbrëmja, në qetësinë e saj dëgjoheshin gjithmonë edhe më shumë të qara, të cilat të gjitha bashkë krijonin një vaj  unik, disi të frikshëm, edhe pse kjo nuk ishte ninullë, të gjithë fjetën të lumtur.

Mëngjesin tjetër, gjeta poshtë derës së shtëpisë time një tjetër letër, në të cilën shkruhej: ” Ndalohet e qara, keni abuzuar shumë me të!”

Mendova se kjo letër ishte vetëm për mua, sepse me të vërtetë abuzova shumë një ditë më parë, por unë faj nuk kisha, askush nuk më caktoi një limit qarje dhe unë qava sa munda, sa ndjeva…

Dola jashtë derës dhe si përditë para derës së ashensorit u ndesha me komshiun që nuk përshëndet kurrë. As sot nuk më përshëndeti, kishte marrë edhe ai, si gjithë ne të tjerët të njëjtën letër…

Gjithsesi, të gjithë u ndiem më mirë, të paktën për një ditë i qamë në sy njëri-tjetrit dhe ne të gjithë qanim njëlloj…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s