LIDA LAZAJ DHE PERLA – Nga Fjala te Fjala / Përgatiti materialin Iliriana Sulkuqi

LIDA LAZAJ DHE PERLA – Nga Fjala te Fjala

– 1 Qershori festa e tyre e përbashkët.

“Rritmë gjyshe , të të ngjaj…!” –

(…dhe i tha maji qershorit: ditët dhe ora ime mbaroi. I thuaj Perlës, në ditën tënde të parë, t’i thotë nënës së saj poete, se librin UJI QË ESHTË UJË do ta shohë e do ta prekë, sapo ajo( Perla), t’i ketë treguar tre përrallëza nga të sajat, mëngjeseve të zgjimit… )

… se qershiat , janë edhe dyshe-dyshe jo rrallë, Si dashuria me dashurinë – binjake shpirti …

Nuk besoj se në fëmijërinë e vajzave, të mos ketë ndodhur që , sapo kemi parë me sy qershia dyshe, pa i provuar ende, i kemi vendosur si vëthë… Një ndjellje instiktive vajzërore, për të qenë gjithnjë vetë i dytë, me dikë që të bëhet njësh me shpirtin…

Se qershiat dyshe janë edhe dashuri mbi dashuritë, si në rastin gjyshe – mbesë…

“Pikoi loti kristal i Perlës
dhe zemra-shegë,

në njëqind kokrriza të kuqe m`u nda.

Kraharori-pavion i bardhë spitali
me njëqind pacientë me zemra të sëmura,
që sapo ti prekësh bëhen rrëkeza
njëqind pacientë,

që s`i shëron asnjë bar e terapi,
që ka shpikur shkenca.

shëron gishti i vogël i Perlës
dhe këngëza e saj:

“Ditëz’ për ditëz’ rritem një gishtëz’’.

Nëse më shihni të ec duke u lëkundur,

si varkë, pa busull
mes dallgëve të detit,
kursejuani syve mëshirën,
në atë çast jam karusel,
që kolovit ëndërrat e Ninës…

( Kontratë me diellin)

Nuk ka poete të mos i ketë kushtuar poezi nënës , babait…, duke pasur në udhë jetën e saj porositë, këshillat , përkujdesjen dhe hapësirat e trasmetimit të mesazheve prej tyre te vetja, nga vetja te brezat…

Dha ja mesazhi, nga i cili Lida Lazaj, e bën kryefjalë – Titull të librit të saj: “UJI, QË ËSHTË UJË”, ku këto pak vargje janë refreni i një poezie të plotë, të arrirë artistikisht, me metafora që të emocionojnë thellë në shpirt.

“Uji, që ka lindur të këndojë s’bëhet moçal
lëre të shkojë
e gjen vetë shtratin,
thoshte ati im…

MIQËSIA DHE POEZIA…

Në ardhjet e mia të çdo vjeshte në vendim tim, takimet e mëngjesit ishin me Lidën.. në një kafene , ku mund të kishte edhe internet…

Kafja jona jonë , ishte “sebeti”, se ftohej e ftohej, e mbase asnjera s’e mbaronte… Kishim shumë ”thashetheme’ që nuk u a gjenim fundin. Asnjë nuk shanim,vetëm veten tonë… , në lidhje me poezinë tonë,që a do ta bëjmë ndonjë ditë të jetojë?…

Takimet me Lidën, ishin njëherësh lëvizjet tona –aventurë, sa nga një autobuz në tjetrin, sa një jë fugon në tjetrin, me c135anta librash dhuratë për kudo që udhëtonim… Elbasan, Durrës, Shkodër, Tetovë, Shkup, ….

Takimet tona ishin ndihma ime prej Zoti, kur përgatisja , Kalendarin për autorët e Fjalës së Shkruar, të Elbasanit.. kur mua shpesh më mpihej dora dhe vetëm flisja e Lida mbante shënim e më pas m’I sillte të shtypura , duke gdhirë natën e saj në kompjutër…

Takimet me Lidën kanë shumë miqësi të patundshme me lot dhe gëzime, por, por por…

Nga çasti kur unë do të isha redaktorja e librit të saj poetik ”Uji që është ujë”, midis meje dhe Lidës, nuk kishte më Ti dhe Unë, sëbashku. Jo. Kishte vetëm Poezia dhe redaktori. Se poezia nuk është këngë që këndohet duke pirë e duke vallëzuar në një dasëm. Ajo i takon lexuesit. Është pasuri KOMBËTARE.

Poetja e përtej kufijve…

Shumë nga ne e dijmë që Lida është e njohur në hapësirën e miqve të internetit, ku herë pas herë lexojmë dhe përgëzojmë poezinë e saj.

-Por, a e dijmë të gjithë se, Lida jonë, si edhe disa nga krijuesit Elbasanas të Haik – ut (falë të ndjerit Milianov Kallupi), është e njohur nga lexuesi japonez hajkut?

-A e dijmë të gjithë se, një esse e LIDA LAZAJ për Haik -un, të përkthyer në anglisht, poeti i mirënjohur Tomislav Bilosniq, ia ka bashkëngjitur si pasthënie librit të tij me haiku?

Pjesëmarrëse në disa antologji me haiku dhe poezi në Shqipëri, Maqedoni, Kroaci! Botuar periodikisht në të gjitha suplementet letrare të të përditshmeve në Shqipëri, si dhe në revistat: Obelisk dhe Illz, e botuar në revista të ndryshme në Kroaci, Maqedoni, Greqi…, është edhe kjo vajza jonë –gjyshe – poetja LIDA LAZAJ

Lida Lazaj, Autor…

– Me zërin tënd- poezi 2005 Sh. Botuese “Egnatia”, 2005

– Rruga për nesër – Haik (shqip-anglisht) Sh.B “Egnatia”, 2008

– Gishti i dheu të dhembshur – poezi Sh. B. “ADA, 2008

– Syri i së dielës – poezi Sh. B. “ADA”, 2014

– Uji që është ujë – poezi SH.B “ADONIS”, 2018

….

…dhe libërthat përrallë të Perlës:

1.Miushja mbretërore, që futej në telashe.

2.Pesë qenushët guximtarë.

3.Hildi dhe kafshët e zhurmshme.

4.Motrat muzikante.

5.Djali, që donte të bëhej dikush-i

 

uji që është ujë

 

VAJZA MBI URË

Vajza e vogël mbi urë
e harroi këshillën e gjyshes,
të qëndronte e vogël
me kaçurelat e verdha
nën kapelen me kordelet e gjelbra

E harroi.
dhe filloi ti pëlqejë gënjeshtra

Sytë ja vodhën arabeskat
kapelen ja mori era
kordelet u bënë udhë
dukurpadukur nëpër mjegulla
njëra anë në dorën time
në dorën tënde tjetra

Vajza e vogël e harroi këshillën
dhe nisi ti shijojë gënjeshtra,
dhe u tradhëtua…
u tradhëtua…
u tradhëtua…

 

DY QERSHIZA

Plot lëng e shkëlqim në agshol
çukitur nga zogjtë, kafshuar nga jeta
ngrënë ditënetët dhe njëri tjetrin deri në bërthamë
ne të dy-dy qershiza në një rrëfanë.

Si dyllë i ngrirë në fund të shandanit,
kur qirinjtë digjen deri në palcë.

E mjegulluar kujtesa,
kur gishtërinjtë me një prekje ndiznin kurmet.
dhe flakët fashiteshin
në fytyra të lumtura vocërrakësh.

Dy duart tona pranë e pranë,
dy gaforre të vogla,lëvizin mbrapsht.

Ç`po ndodh kështu me ne o mik,
zgjerohen hapësirat,
apo ne u mpakëm?

 

DIELLI NUK MBAHET NË PËLLËMBË

Një mbi një i kam hedhur shtatit
rroba dimri e rroba vere,

Si topa bore shkuar në shtizë
lulet e qershisë.

Peizazh i zhgaravitur
nga penel i patalentuar
kjo ditë pranvere.

Dielli nuk mbahet në pëllëmbë,
por një rreze prej tij mund do ta përdorja
siç përdor gërshërët kopështari me hardhinë,
si kube akulli të shtatë vargmalet do ti shkrija
të shtatë detet si kupë çaji do t`i pija.

 

TRËNDAFIL

I vogli trëndafil
të mëkova me ëndërra
me ujë sysh, me kafshata të mira nga jeta
me përralla e ninulla sa m`u sos fryma
e të përkunda, deri sa dora m`u bë cung.

Si t`u mbush mendja
t`i çelësh petalet
të kundërmosh përmbi humnera
tani që zemra s`më ka guxim?

 

MALL

Mall i thinjur
monedhë e gëlltitur padashje.
mbështjellë me pergamenën e mijëvjeçarëve ,

As syri i Zotit, s’ta përcakton vendndodhjen;
më kot ka mote
shkëlqen në diell një bisturi.

Gjallon mes të gjallëve
e s’u bëre kurrë njeri.

 

DITË MOJ

Amebë, pa shije, aromë e trajtë
shtrin trupin nga agu në muzg.

Kur e kur më mbështillesh kurmit
këmishë najloni,
kur e kur në pëllëmbë të dorës,
më bën pirueta – balerinë virtuoze,
në çast ma shkel syrin
nga cepi i mantelit te zi
i zonjës misterioze.

Ditë moj,
ta kam bërë benë
me pak kripë, piper e rigon
mbledhur në një lëpjetë të gjelbër,
përpara se të më hash
do të të ha.

 

NJË DALLGË QUMËSHTI MË NXJERR NGA SHTRATI

Rrënjët e thinjura të flokëve
ndiejnë gurgullima
dhe më thonë ,
se kur gjiri i Rozafës u trajtësua,
gur si gurët e tjerë në mur
qumështi gjeti rrugët e tokës.

Teksa shkruaj receta barnash
e numuroj nyjet e gëlqerizuara të gishtërinjve,
një dallgë qumështi
më hedh përpjetë nga shtrati.

S`kam kohë të mëdyshem
teshat dhe këpucët
vijnë më veshin e më mbathin.

Përtej syrin ma shkel një tufëzë lulesh fshati.

 

SYTË E MËNGJESIT MOS I TRISHTO

Është koha të qeshim,
koha, që asgjë tjetër nuk do .

Harruar i ka ajo
rrugët e përbaltura
pabesitë, që ndeshi.

Dhe ti mos trego
për shputat e përgjakura
rrugët e ashpra
hirin e ftohur të ëndërrave
shtruar në to.

As supet krenarë,
flokët e zinj,
pulpat e këmbët elegante
nuk janë si më parë.

Por ti mos nguro
nga kthina e kujtesës
nxirri sandalet e lehta të verës
mbathi dhe shko.

Mbërriti ora të qeshim.
ora, që vjen pas
di vetë se ç‘do.

 

NË GOJË TË ERËS

Ja, tek jam
sikundër më doni e më mësuat

duke ju buzëqeshur
e duke urryer veten,

që s`bëhem dot britmë e ulurimë.

Ja, tek jam
siç më mëkuat që në ngjizje
manual i plotë kodesh e rregullash
e denjë për bibël e kuran.

Teksa njëra faqe shpullohet

e gatitet për shpullën e radhës tjetra
hesht e mbledh perla ,
dhe mendoj, se sa grimca rëre ka anëdetit
arsye kam

të bëhem britmë e ulërimë
e zërin ta çoj deri te yjet.

Ja tek jam,

njësoj sikur të mos isha
mbledhur si duna rëre britma e ulurima
e ulur në shesh të mendjes i shkruaj vjersha
dhe i lëshoj në gojë të erës,
si pema gjethet e zverdhura.

 

UJI, QË ËSHTË UJË

Uji, që ka lindur të këndojë s’bëhet moçal
lëre të shkojë
e gjen vetë shtratin,
thoshte ati im.

Një vijë e hollë uji,
nga livadhi i gjelbër

plot blegërima luledelesh i fëmijërisë,
pasi m’a përshkon zemrën
merr ngjyrën e gjakut,
rreket të shembë një mur të trashë,
në fund të qënies.

E frikur nga shembjet
dhe bota pas tyre,
e mbledh në pëllëmbë
dhe bëj përçapje e mikloj
ta kthej në gardalinë,
në një kafaz të artë.

Përsëri rrugëve të gjakut
dëgjoj zërin e atit,
si këngë uji…
“Uji është i gjallë.

 

LETËR VËLLAIT
(kushtuar shqiptarëve,
që kanë fituar llotarinë amerikane)

Ti, gatit ikjen
mua më vijnë lotët
dhe avionët më ngjajnë skifterë,
që zhgarravisin trishtimin në tokë.

Ti, gatit ikjen
e mua më djegin lotët,
ndën plloçën e oborrit,
zogori liliputësh bari t`lig
mezi presin të ftohet tymtari,
që ta pushtojnë e me gjith pullazin
dhe ta shembin përtokë.

Ndërsa ti po ikën
dhe mua m`u terën lotët,
një krimb i vockël bullafiq
bren zemrën time
dhe mishin e drunjtë të portës.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s