Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

EDHE NJERËZIT JANË TË TILLË

Për çudi
Sa pak statuja paska ky qytet
E sa shumë njerëz
Bredhin rrugicave të ngushta

Shiu këtu asnjëherë
Nuk i merr për dore sokakët e mermertë
Edhe atë ditë kur bie
Zbret nga qielli si pendël korbi

Më thanë se gjithmonë
Shiu ka qenë i mirë këtu
Ky qytet i shenjtorëve
Përherë i prite të reshurat blu

Edhe njerëzit janë të tillë
S’janë të shenjtë
Por as të mallkuar nuk janë
Qëndrojnë diku mes të mirës dhe së keqes.

 

VETËM TALLAZET E DINË KËTË
FSHEHTËSI

Sonte dua që mes këtyre vargjeve
Ta vendosi shpirtin e qytetit
Të bisedoj
Me ato pak statuja të mermerta

Dua të dëgjohet zëri i heshtjes
Dhe ai zë i së nesërmes
Këto rrugë të kripura me shekuj
I ndjejnë hapat e piratëve të njohur

Një zë i lashtë sa vetë koha
Tregon se kurrë këtu
Nuk pat etje
Vetëm tallazet e dinë këtë fshehtësi

Më tha edhe një mik Sarandjot
Se njerëzit e këtij qyteti
Shumë u ngjajnë shenjtorëve
Dreqi le ta hajë sa shumë u ngjajnë.

 

NJË ZOG NDOSHTA I ZI

Më duhet të eci përtej çdo mundësie
Këtëudhë të gjatë
Më duhet ta kaloj për njëmijë vjet
Kurse kalldrëmet ilire
Po u ngjajnë sfinksave të lashtë

Kjo kohë e mbrapshtë
Po i tejkalon të gjitha durimet
Lart në qiell
Dëgjojmë lehjen e hënës
Kurse në tokë s’ndalen lukunitë e tërbuara

Një zog ndoshta i zi
Një kohë të gjatë mbeti pa çerdhe
Po ashtu edhe lejlekët
S’patën se ku t’i vendosin vezët
Një kohë e ligë na e zuri bishtin me derë.

 

NGA KJO PEMË E SHENJTË 

Nëpër shtëpi s’shoh njerëz
Rrugët janë të boshatusura
Asnjë turtull
Nuk shoh mbi plepin e lagjes

Sonte më dhemb koka
Nga duart e mi pikon sterra
Kush hyri në ëndrrën time
Që troket me kaq rrëmbim

Ju nuk ishit këtu
Kur unë mësova për zjarrin
Nga kjo pemë e shenjtë
Me shekuj huazova dritën

Sonte sërish po më kujtohet
Ardhja e juaj
Kurrë më nuk pashë njerëz si ju
Ishit të tërbuar si kafsha e uritur.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s