Regëtima  e pulëbardhës dhe kaltërsitë e Jonit! (Vështrim mbi përmbledhjen “Regëtimë pulëbardhash , të Marjeta Shatro Rrapaj) / Nga: Adem Xheladini, Kërçovë

Regëtima  e pulëbardhës dhe kaltërsitë e Jonit!

(Vështrim mbi përmbledhjen “Regëtimë pulëbardhash , të Marjeta Shatro Rrapaj)

Ka kohë që provoja të ndaja mendjen të ulesha e të sistemoj mbresat nga rrëfenjat e “Regëtimës së pulëbardhave” që vjen si libër i tretë i autores nga qyteti buzë Jonit, Marjeta Shatro-Rrapaj. Nuk ndjehesha i sigurt se mund të thoja atë që duhet, ndaj iu rreka përsëdytas leximit të këtyre rrëfenjave të thurura me kaq mjeshtri rrëfimi.

Ndonëse, tregimet nisin me titull paksa dëshpërues.  Zhgënjimi, bartja nëpër situata përgjatë gjithë strukturave të rrëfimit të gllabëron dhe të mban me një frymë, dhe vetvetiu të krijon përshtypjen se ndodhesh pjesë e ngjarjeve që ngërthehen brenda atyre rrëfimeve të ngritura me kaq dell prej rrëfimtareje.

Herë-herë, kundruar nga prizmi i lexuesit, nganjëherë edhe të paanshëm, apo edhe të rastësishëm, të duket se ngjarjet kanë të bëjnë me një botë të brendshme, e cila përpëlitet në rëniet dhe ngritjet që jeta na i sjellë përditë.

Rrëfimet përmbajnë ngjarje kaq të zakonshme, sa autorja duket se ka mëtuar të sjellë një realitet të përditshmërisë, e cila përplaset nëpër labirinthet e përpjekjes për të jetuar.

Ngjarjet janë të përditshme, ndërsa personazhet u përkasin të gjitha shtresave, qoftë atyre shoqërore, të moshave të ndryshme, apo edhe të kamurive të skajshme mbase edhe skamjes së pacipë.

marjeta

Marjeta Shatro Rrapaj

Dashuria e çiltër prej fëmijësh (koha shëron gjithçka…, dëgjo zemrën…), mëtutje rrënimi i planeve (kthimi në atdhe…), personazhet e rastësishëm (i dehuri…), pendimi (grindja…), vetmia (azili…), ekuilibret (në kërkim të vetvetes…), nostalgjia (keqardhja…), skamja (…lypësi i vogël…), liria, frymëzimi (përballë njëri-tjetrit…), detajizimet (mësuesja e re..), e deri tek flijimi i pulëbardhës e “një ditë nga ditët e mia”, paraqesin tabllo besnike të një vërtetësie të të jetuarit në kohën sot, por mjeshtërisht të skalitura nga penda dhe imagjinata e autores, të krijojnë përshtypjen se këto novela të shkurtëra në pamje të parë, kanë një vijë, domethënë ato vijnë të njëtrajtshme, e lexuesi s’bën dot pa qenë i vëmendshëm, dhe të ndjekë me përpikmëri situatat që po ngërthehen veç e veç në çdo novelë, dhe sëbashku njëkohësh, për ta fituar kënaqësinë e leximit. Rrëfenjat e përmbledhjes “Regëtima e pulëbardhave”, ngjajnë në shkallë dhe ato duhet kundruar njëra pas tjetrës, sepse po e humbe njërën s’e ngjit dot shkallën vijuese, sepse vetvetiu diçka do të mungonte përbrenda këtij rrëfimi, si koncept i përgjithshëm i ndërtuar me kaq mjeshtëri, sa lexuesi mbetet gojëhapur nga të papriturat që venevijnë në botën rrëfimtare të autores Marjeta Shatro Rrapajt.

Përmbledhja e tregimeve do të sublimohet me novelën “Nën dritën e Hënës”, ku autorja na sjell kaq mrekullisht një tabllo fshati, ku personazhet bëjnë ecejaket e përditshmërisë. Karakteret e tyre janë të ndryshme, pothuaj aty kemi gjithë një gamë të karaktereve tëpersonazheve, por rrëfimi bartet përmes një “dashurie të fëmijërisë”, (thuajse autorja ka qenë e vëmendshme që të sjellë triumfalisht Denin, personazhi strumbullar i rrëfimit nën dritë të hënës, i cili kthehet për ta kërkuar një dashuri, dikur të pashfaqur, por të ndjerë fuqishëm, aqsa kujtesa ka ngrirë aty ku Ana i kishte buzëqeshur çilimisht, atëkohë kur atij i duhej të braktisë fshatin, e të shkojë për çështje shkolle në qytet. Tashmë i kthyer si inxhinier Deni, gërmon nëpër kujtesë të kaluarën, duke e ruajtur siluetën e Anës topolake me dy gërshetat që ia hidhte era sa herë ajo vraponte livadheve. Megjithatë, koha është tjetër, dhe Deni tanimë ndodhej pranë saj, pranë shtëpisë së saj, ku intuita ia dridhi këmbët posa e çoi nëpër kujtime.

I ndodhur në këtë gjendje brishtësie, me të rrahura të shpeshtuara të zemrës, sidomos në çastin kur ajo tanimë nga kujtimet u shndërrua në siluetë të vërtetë prej shtojzovalleje. Megjithatë, këto kujtime prej fëmijërisë, ky realitet prej shtojzovalleje, do të përfundojnë me zhgënjimin sublim, kur Deni do të merr lajmin se tanimë Anën e kishin fejuar, dhe tashmë gjithçka po merrte fund. Megjithatë, një zë i brendshëm, atë sikur e zgjonte nga kllapia dhe ndjehej fajtor për largimin që kishte bërë. Ndonëse rrëfimi duket imagjinar, autorja është përkujdesur që të detajizojë skenat, sa ai të marrë përmasat e një realiteti, i cili jetohet edhe në ditët tona. Lufta në mes të kurbetit, dhe ruajtja e çerdhes së të parëve, është pjesë e pashmangshme e këtij rrëfimi, por autorja futet kaq thellë në psikologjinë e personazheve, sa di të shpalosë fuqishëm edhe botën e tyre të ëndrrave. Ndonëse, bashkimi i trupave duket i pamundur, dy të rinjtë, të dashuruar që në fëmijëri, bashkohen si hije, dhe triumfalisht dy hijet u shndërruan në një dhe vazhdonin të zhyteshin nëpër krahët e pemëve, të cilat përkundeshin nën dritën e hënës dhe vezullimin e yjeve.

Duhet thënë, se rrëfimet e përmbledhjes “Regëtimë pulëbardhash”, dëshmojnë se autorja ka shfaqur me mjaft sukses përpara lexuesit, talentin e saj, tashmë edhe prej rrëfimtareje, dhe dëshmon se di të skalisë fjalën e shkruar me dinamizëm, t’i japë asaj frymë, ta mbajë të gjallë, dhe ta ngjyrosë me ngjyrat e jetës.

Adem Xheladini, Kërçovë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s