FLUTURA AÇKA – PËRTEJ DHIMBJES…, MBETET GJITHÇKA… / Përgatiti materialin Iliriana sulkuqi

FLUTURA AÇKA – PËRTEJ DHIMBJES…, MBETET GJITHÇKA…

-fragment- jo vetëm në vend të një homazhi…-

“Moj Kulla bukë dhënë, uratat ç’tu bënë nëmë…!”(popullore )

• “Doje dritë, o diell, more Dritën time…” ( Çajupi)

• .….Shtëpa ime e vjetër,
e virgjëra
u kthye në kuvlinë,
e ëndrrave të mia
të vdekura…(Flutura Açka)

***
Përtej dhimbjes, ose nuk mbetet asgjë, ose gjithçka, për t’u
bërë peshë e rëndë e një Fjale nga prejardhja – në amanet, për të RIBËRË JETËT …

Heshta, nga dita e një lajmi të kobshëm. Nga dita që m’u kthye në natë, nga dita që edhe fjala nuk kishte Farën e Fjalës …
Por tashmë, jo, nuk mund të hesht. Vetë Fjala nuk më le, vetë Ajo, Flutura, nuk më le dot më, pa thënë dy fjalë, ashtu siç ajo vetë, Fjalën e ka të Parë për ta thënë e për ta ndarë me ne, edhe kur GJËMA i ka çjerrë e shpirtin…
… Dhe unë e mora Fjalën, me shpirt nëpër dhëmbë, duke marrë forcë nga Forca e saj stoike, duke marrë amanetin e një Biri, duke vazhduar kësisoj, vazhdimësinë e një buqete prej fjalësh poetike me zërat e rralla femërore të qytetit tim, të qytetit tonë, të qytetit të mbarë Kombit tonë – ELBASAN. Se, Flutura, e Elbasanit është, edhe pse është e gjithë botës së Fjalës.
Pas emrave të mëdhenj, historikisht të skalitur në Obeliskun e GJUHËS SHQIPE, që nuk i takojnë vetëm Elbasanit, por të gjithë Kombit tonë e më gjerë, të cilët u sakrilegjën për Fjalën Shqip, për Dijen e Kulturën e një qytetërimi , ka edhe emra të përveçëm, madje me Zë femërorë, që vazhdimësojnë prejardhjen dhe bëjnë jo vetëm Elbasanin, por mbarë hapësirën shqiptare të lexojë dhe të kuptojë shqip. Dhe një nga këto emra të përveçëm është edhe FLUTURA AÇKA.
Përtej dhimbjes, ose nuk mbetet asgjë, ose gjithçka për t’u
bërë peshë e rëndë e një Fjale nga prejardhja – në amanet, për të RIBËRË JETËT.
Flutura, e gjitha e endur me hoje fjalësh, e gjitha e ardhur prej majaje shpirti prej dashurive të mëdha.
Nuk ka nevojë të përzgjedhësh poezi te një poete.
Në pamundësi për të zgjedhur, lexoni pak, paksa pak nga poezitë e saj :

 

QYTETI IM…

Të gjjtha rrugët ku eci
Nga gjëmbaçe dyshimesh janë plasaritur
Si mbijnë kështu papritur
Pa pyetur për sinore durimi.
Dhe qyteti
Qytetthi im i vogël i dhimbjes
Nga lakadredhjet e urtheve
Ndjehet diabolik
Herë pa mëngjes
Herë pa mesditë…

I telefonoj një sendi të kotë
Ç’kënaqësi më japin bisedat pa fjalë
Dhe jam gati të puth çdo të marrë
Mjaft të jetë një orë njeri!
DIKUR

Kur numëroja psherëtimat
fustane basme vajzërie mbaja,
gjer i grisja,
në yje kërkoja
“fajin” që nuk e njihja.
Tani fustanët e paveshur ankohen,
si “fajet”… s’pata kur t’i vishja.

 

DUKE DËGJUAR RËNKIMIN E SHIUT

Andej nga gjoksi i detit erdhi shi,
trastat e varura të reve
lëshuar si gjinj të nginjur mbi breg
drejt tokës epen.
Thekur,
Si trup i pergjumur
në përcellimën e vapës
shkëmbi.
Avullimi i madh pushoi,
hordhia e shiut po vjen
me batërdime e poterë të hirtë,
nga etja të shuajë dhenë.

Ҫ’pushtim i çuditshëm ky!
Ҫdo nerv,
Të hapur,
Gjen.

Tani kalatë mbrojtëse bien,
Vetë natyra lëshohet,
Si në një shtrat dashurie të pritur kohësh.

Erdh’ shiu,
Poret e athëta u mbushën.

Tani çdo çast quhetdashuri.

Klith hapesira,
si mish,
si ethe,
si rënkim njeriu
ky shi.

 

INTERMEZO 1

Dikush si unë
ëndrra ka lënë këtu.
Dikush si unë
Shpirtin e humbur takoi këtu.
Kush e di
sa të marrë të tjerë
si unë
malli do t’i sjellë këtu.

 

Flutura Açka – MJESHTRE E MADHE

Librat e botuar

Poezi:

-Tri vjeshta larg, poezi, Elbasan 1993
-Mure vetmie, poezi, Elbasan 1995
-Festë me ankthin, poezi, Elbasan 1997
-Kurth’ i diellit, poezi, Tiranë 2002
-Zbathur, poezi, Tiranë 2007

Prozë:

-Vetmi gruaje, roman, Tiranë 2001, ribotuar 2002/’03, 2012
-Kryqi i harresës, roman, Tiranë 2004, ribotuar 2008
-Hiri, roman, Tiranë 2006, ribotuar 2012
-Ku je?, roman, Tiranë 2009, ribotuar 2012
-Kukullat nuk kanë Atdhe, roman, Tiranë, 2013
-Të ftuar në Rrethin e Dhjetë, roman, Tiranë, 2017
të tjera
-Kënga e Aretuzës, poezi, Prishtinë 1998
-Stinë e ullinjve të thinjur, antologji poetike, Tiranë 2000
-Poezi, vepra poetike 1993-2003, Tiranë 2003
-Lutje dimri, poezi të zgjedhura, Tiranë 2008
-Rënkimi i shiut, vepra poetike, Tiranë 2011

Flutura Açka (1966) është poete dhe prozatore e periudhës postkomuniste, autore e tre romaneve dhe gjashtë vëllimeve poetike. Gjithashtu ka përpiluar një antologji (“Stinë e ullinjve të thinjur”), ndërsa për të janë përpiluar dy antologji (“Kënga e Aretuzës” dhe “Lutje dimri”). Është pikërisht antologjia “Lutje dimri” ajo që na e risjellë subtilitetin dhe bukurinë e poezisë specifike dhe novatore të kësaj autoreje, që njëherësh është njëra ndër shkrimtaret e rralla shqiptare që kanë arritur ta sfidojnë “diskursin fallocentrik”(J. Derrida) të letërsisë shqipe. Gjinokritika do ta përcaktonte këtë autore si female, por kurrësesi feministe, pasiqë vepra e saj, po t’i referohemi studiueses Patricia Beer, nuk është një përmbledhje traktesh. Poezia e saj nuk është feministe, sepse ajo, në fakt, është thellësisht humaniste. Edhe pse subjekt lirik i kësaj poezie është femra, objekt dhe destinacion është njeriu. Pra, poezia e Flutura Açkës është poezi femërore për specien njerëzore.
Për më shumë: lirika e Flutura Açkës është një libido e letërsisë shqipe. Ajo duhet vlerësuar veçmas për lirinë që ia sjellë lirikës në temë, formë dhe stil.

Dromce antimundimi

(Kjo poezi është shkruar nga Flutura Açka më 10 prill 2018, kur duket se jeta lufton me ikjen e fundme dhe zemra e Nënës po plas prej dhimbjes, por ka shpresë. Ajo ka të drejtë kur e revoltuar jetën e quan një tregtore ku gëlojnë padrejtësitë që lejojnë vuajtjen dhe ikjen e Engjëjve! Vuajtja e saj është kulmore. S’ka kulm të lartë se ky që provon zemra e Nënës!)

Në tregtoren me emrin jetë,
hyjnë e dalin tani pasiguritë.
Fantoma të flurta,
xhepazbrazur nga udha e gjatë
këqyrin vitrinat
dhe dhezin ndër drita aortat
e qytetit metaforik të dëshpërimit.
Tani
bollëku shterp fermentohet qilareve
të pamjaftueshme për antimundimin.

Ç’shije paska dhimbja e shkëlqimit të ftohtë!

Ah,
fantazma të mjera ngjyrëuji
helmuar nga gjaku i zhbërë
ende enden kthinave të akullta,
ashtu zvarrë,
në kërkim të zgëqin ku të topiten
zjarrit imagjinar.

Humbja,
në eshtra e kapilarë veç ulërin,
e vikat si era
nëpër brendësinë.

Pezuli dridhet,
kanatet përplasen,
nga zemërimi i ajrit çatrafilohen qelqet,
ca mentesha shkulur
anojnë timen flegër.

Kur të bjerë stuhia,
nëse do të bjerë ndonjëherë,
ky sulm i egër,
e ndreqim…
…….

 

Iliriana Sulkuqi –
Brooklyn, NY. 7qershor, 2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s