Poezi nga Xhevahir Cirongu
Porta e vjetër
Tek gurët e portës së vjetër
Dhimbjen e mallin aty i gjeta,
Loti s’ishte tharë, pas kaq vitesh
Eja, bir më tha, me dhimbje
Aty te rrasa e gurit me myshk
Me frymën tënde kam fjetur.
Ja, edhe mani i bardhë te ai kopsht
Ty të ka pritur kaq vite me radhë,
Frutat e ëmbla kurorë në degë
Këngën e mallit zogjtë këndonin
Çdo ditë tek ai parmak
Sigurisht që ti të ktheheshe prapë.
Sipër çatisë së prishur me rrasa
Pjergulla me rrush varur bistak;
Atje kishin ndërtuar fole zogjtë
Dhe luteshin tek parmaku i vjetër
Zogjtë e dallëndysheve ditë e natë.
Pas kaq vitesh u ula dhe unë pak
E ndjeva dhimbjen në çdo qelizë;
Te gurët e shtëpisë së vjetër
M’u ndezën si yje vitet mbi gurë
Dhe me këngën e tyre zogjtë bënin lutjen:
O bir, mos ik, por rri edhe pak
Nga ky çast yjet filluan të fshiheshin prapë.
Tek porta e gurtë të shtëpisë së vjetër
Pikoi loti e u bë sërisht dritë ;
Iku diku dhe me vete mori ditëlindjen
Me shpresë se do kthehet përsëri një ditë
Por…aty la gjithë mirësitë.
Durrës, 31 maj 2018