Një drekë Barjami  e veçantë  ( In memoriam, SABA  HASA ) / Tregim nga Përparim Hysi

Një drekë Barjami  e veçantë  

In memoriam, SABA  HASA

Tregim nga Përparim Hysi

  Dua  t’u them gjithë lexuesëve se unë vetëm dua të tregoj atë çfarë dëgjova në këtë drekë Barjami dhe nuk kam aspak qëllim, që të fyej qoftë dhe sado pak cilindo besmitar të fesë myslimane. Dhe,sado që për vete nuk jam besimtar i asnjë feje, kjo nuk do të thotë që të lëshohem me  anatema,për akcilën fe. Përkundrazi, në familjen time festohen të gjitha festat fetare: Barjami, Pashkët Ortodokse dhe Katolike dhe, po se po, DITA e VERËS dhe Novruzi se nga prindërit jam bektashi. Dhe për të qenë më i drejtpërdrejtë: imeshoqe është  ortodokse dhe nuse e djalit tim është katolike. Kjo është gjendja ime “sociale”, parë në këtë pikëpamje dhe sa mund të shajë buza hundën, aq mund të ndodhë që të atakoj një fe të caktuar.

*     *    *
Kjo dreka festive e DITËS së madhe të Barjamit, është ngrënë aty mesviteve ’50-të të shekullit që iku në fshatin PETOVË të Fierit. Fshati “Petovë” ishte fshati dhe, ngaqë kishte një shtrirje të madhe,qe ndarë dysh: fshati i madh quhej “Petova e vjetër” dhe  fshati më i vogël:”Petova e re”. “Petova e re” ( në këtë fshat kam lindur dhe jam rritur unë), kishte gati 33 shtëpi dhe, që të gjithë ne, banorët e këtij fshati, qemë jabanxhinj. Kosovarë, Boshnjakë, Skraparlinj, shqiptarë nga trevat e Malit të Zi dhe dy familje çame. Që të gjithë qemë myslimanë.
Familja jonë kishte ardhur nga Skrapari dhe  babai im (ndjesë atje ku prehet) i kish hobi lartësitë dhe e ngriti shtëpinë mu mbi një kodër dominuese ( në të njëjtën kuot lartësie me atë të MANASTIRTIT të ARDENICËS). Ngaqë Manastiri i ARDENICËS është një objekt kulti  që  njihet nga të tërë, për të patur një përfytyrim më preçiz,për vendndodhjen e shtëpisë sime, ju them që pa frikë, qe aq larg nga MANASTIRI, sa po të ecje, kur thonë myzeqarët”likthi” ( me nxitim),për 30 minuta ishe mu aty tek selvitë shekullore. Ne e ngritëm shtëpinë aty diku nga viti 1941 dhe, aty nga viti 1947, erdhën dhe ngritën shtëpinë e tyre të madhe një familje boshnjake. Jo, nuk qe familje, por një”republikë e vërtetë” me mbi 20 anëtarë,ku numëroheshin 6 burra me gratë e tyre dhe një karvan me fëmijë. Nëse bën”planvendosjen” e kësaj familjeje kaq të madhe, figurativisht sikur u vendosën në brinjën e kodrës dhe,po figurativisht, dukeshim sikur ata na mbanin mbi  qafë. Ardhja  e tyre si komshi, ka qenë si një ogur i mirë dhe i bardhë për familjen tonë. Kurrë nuk mund të gjenden komshinj aq të gjendur si ata boshjakët tanë. Të gjendeshin në hall,ditën dhe natën. U bëmë aq miq me ta që, nga njëzet hapa që ishim larg, pothuaj u bëmë një. As gardh ndarës mes nesh me “republikën Boshnjake” nuk kishte dhe kishim  një shkuarje për t’u patur zili. Ne, fëmijët, gjetëm njëri-tjetrin dhe, në atë kohë, unë imvëlla e motrat e mia,pothuaj kuptonim gjuhën e tyre.
 *   *    *
Familja boshnjake kishte mbiemrin MAKA (sot,që të gjithë janë kthyer MAKIÇ) dhe qenë aq punëtorë sa shokun nuk mund t’ua gjeje. U bënë nga më të dalluarit në prodhimet bujqësore dhe gati prodhonin më shumë se dy të tretat e gjithë fshatit. Pse qenë të tillë,”presidenti i republikës së familjes së tyre”,Barjam MAKA, u shpall bujk përparimtar dhe u thirr në takim tek Enver Hoxha dhe ky,personalisht, i dhuroi një kobure. Nuk qe pak,se kjo familje prodhonte vetëm grurë mbi 300 kv dhe, veç detyrimeve, në një vit i falte shtetit 80 kv grurë. Qenë tregues të rrallë për kohën,por tregimi im nuk ka këtë qëllim. Në i rashë pak larg e larg, e bëra jo pa qëllim. Dua të tregoj se kjo familje boshnjakësh edhe festat fetare i festonte me tagrin e një besimtari idulgjent. Vinte “Ramazani” dhe agjëronin:me meshkuj e me femra të moshës madhore. Veç atje të ishe, kur çelej “iftari” dhe ca më shumë:”syfyri”. Kur vinte Barjami, atëherë festa kish arritur apogjeun e saj dhe të dukej se në atë”republikë” po celebrohej një dasëm. Ne, fëmijët, tek të ngrënat i kishim sytë dhe,sa për të ngrëna, gatuhej sa për një fshat të tërë. Nuk ka patur njerëz më të pritur, më bujarë dhe më bukëdhënës se sa këta, MAKAJT!
*    *   *
Pse ishin aq bujq të mirë, kishin fituar edhe dashamirësinë e qeveritarëve dhe partiakëve në rreth. Atë kohë,sekretar i parë i komitetit të partisë për Fierin, ishte SABA  HASA! Aq mik u bë me këtë familje ky,SABA HASA, sa gruaja  e tij (më kujothet që sa kish lindur) vinte dhe bënte “vakancën” në shtëpinë e tyre. SABA HASA në vizionin tim, ka qenë një kuadër që ia vlen të shkruash. Qe i besës dhe aq sa fuqi kishte nga ana ligjore, kurrë nuk bënte keq. Qe krutan më duket dhe, nëse e kujtoj me nderim, është se besoj në qëndrimin ndaj familjes sonë (dikimi i  MAKAJVE dhe, sidomos i Barjam MAKËS) dhe shpëtuam pa u bërë kulak. Thashë që ishte bërë mik me MAKAJT dhe atje e pashë ballë për ballë në një drekë “Barjami”. Qe në odën e madhe të pritjes, SABAU në një anë ,krye të dhomës dhe, ballas me të, hoxhë YZEIRI apo EFENDIU që ishte i ftuar për barjamllëk. Para se të shtrohej dreka,EFENDIU i ftoi burrat që të bëni ato lutjet,siç e duan ritet e kësaj dite të madhe dhe,SABAU,sado mik, nuk mori pjesë.
-Eni,- foli Efendiu (ishte çam nga Margëlliçi),- ti je mysliman apo bektashi (ka plot krutan të sektit bektashi) dhe do shtiesh veten në gjynah që nuk lutesh.
Sabau veç buzëqeshi dhe i  tha Efendiut:- Efendi ti bëj tënden dhe unë,sado që nuk besoj, i  di të mirat e agjërimit,por për mua është ndryshe kjo  festa e shenjtë.
Eni,- shprehu habinë Efendiu,- e ku ka më ndrishe në punërat e Perëndisë.
Sabau qe njeri që nuk nxitohej,por as dhe të imponohej me detyrën që kishte ,por duke qeshur tha:- Ja se si e di unë këtë histori.
Kur tha kështu, ne, të vegjëlit, u bëmë sy e veshë, ndërsa të mëdhenjtë dëgjonin sa për politiesë. se që të gjithë ishin me Efendinë.
Barjami me Ramazanin,- filloi të tregojë ai,- kanë qenë vëllezër.Ishin të pasur dhe në një sherr e sipër me të madhin e vendit, Barjami nguli këmbë që të dëgjohej fjala e Ramazaniit se ai ishte shenjt.
Kalifi ( i madhi i vendit),shpotiti fjalët e Barjamit për Ramazanin, vendosi:- Do ta mbyll në burg Ramazanin për 30 ditë e net. Nëse duron pa ngrënë e pa pirë ujë kaq ditë,atëherë Ramazanin do ta shpallë shenjt. Kështu tha Kalifi dhe Ramazanin e mbyllën në qeli. Barjami, si i pasur që ishte,e bleu rojen e ndërresës së mbrëmjes dhe për çdo mbërmje,përmjet rojes së blerë, i çonte për të ngrënë dhe për të pirë. Pas mesnate,roja do bënte dorëzimet, i jepte përsëri për të ngrënë e për të pirë dhe, në krye të 30-ditëve,Ramazani qe gjallë. Kalifi e shpalli shenjt dhe,ditën që doli nga burgu, Barjami zbrazi topat për festë dhe shtroi një drekë të madhe  si kjo sot.Ndaj agjëruesit hanë “iftar” ashtu në të errur dhe “syfyrin” pas mesnate. Mbaroi  rrëfimin (ndoshta dhe vet nuk e besonte që kish ndodhur kështu) dhe ia dha të qeshurit për të parë se ç’do bënte EFENDIU.
U dja,- shprehu mllefin Efendiu,- dhe fëmijët nuk e besojnë këtë përrallë.
Ja,kjo qe ndodhia aty mesviteve ’50-të, por,sadoqë ajo që tregoi Sabau nuk qëndron nga ana fetare, po ka ca përkime të çuditshme: iftari,syfyri; dreka e madhe që finalizon pasagjërimin.
M’u kujtua dhe dini pse e shkrova? Më tha dikush:- Ore,ç’është kjo të ngrihesh në mesnatës për të ngrënë?Ju, qofshi (qe ortodoks ai që ma bëri pyetjen) dhe unë,ngaqë nga ana fetare nuk dija ta shpjegoja, i tregova këtë ndodhi dhe sikur e binda.
Sidoqoftë, të gjithë besmimtarëve myslimanë ju uroj:GËZUAR BARJAMIN dhe,sa për vete,mezi pres atë drekën që imeshoqe, pa dyshim, do ta bëjë me shumë shije.
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s