Poezi nga Xheladin A. Çitaku

Poezi nga Xheladin A. Çitaku

 

SHTERRPËSI KOHËSH

Mulatë të ringjallur, dehur e bërë xurxull dozash hipnotike
shkruajnë skedarët e turpit, atribuar damkash në spikamë
në procesion vitesh turpërimi vërshon ndër vena gangrenike
gjurmëron rrugash e shtigjesh e n`vetëdije të mahisur lë nam.

Në kostume princërish mashtrimi stoliset si rubin shkëlqimi
shpirtërash t`molisur lëbyrë vullnetin në ovacione gënjeshtrash
shpura histerizmi çirren megafonësh me tam-tame shfrenimi
se kohë eunukësh kutërbon krupshëm nga hareme pleshtash.

Përdredhur fytyrat në trajta mimikash t`cinizmit të shëmtuar
mendjet hipokrite e sentimente absurde mbarsur nën rrogoz
në ngjizje helmatisëse pasionesh neveritëse në revan harbuar
në shujta narcisoide ushqyer egoizma lajkatarësh kapriçiozë.

Buisur fjalë paranojash pleksur n`djallëzi pentagramesh t`nxira
orakuj të llastuar ndër miklime dehëse herezishë të kapardisjes
në dashuri shemrash gravuar shëmbëllime instiktesh të pështira
si trokëllimë krimbash gjëmon troku n`paskrupullësi të azdisjes.

Eksituar hamendësimesh kosmopolite e ndjenjash klandestine
ëndrrash fluide përngjitur në përthithje ushujzash t`pangishme
ngarendur njëtrajtshëm në shterpësi kohësh, n`paterica çelçurine
në bilance falimenti arratisur fanitje iluzionesh të pavetëdijshme…

 

ISO NË SFOND

Shpirti ngazëllehet në serenadë ndjesish
ndër tinguj brishtësie që në kitarë lozin 
e ndër nota të përthyera ëndrrimi grishë
imazhin imagjinar në dritare e vendosin.

Ashkla melodish, që intonohen në thellësi
si përndritje e zbehur në tise t`mugëtimit
në parmakë përplasin ritmin përulësisht
dendësitë e natës ndër vello të errësimit.

Iso të skaduara që nga sfondet dëgjohen
si këngë vjeshte me ngjyrë të zverdhëlluar
në portretin e mjegullt shikimet vagëllohen
thjerrëzohen lodhshëm si rreze në të shuar.

Heshtja përthyhet në shëmbllim zvetënimi
që rrjedh pavrejtshëm në vargje të hutuara
që dhuron kujtimet ndër shtigje ëndërrimi
në partitura vegimet zymtësisht t`akorduara.

Hyrjet patrokitur nëpër portën e shpresës
përkëdhelin mëshirueshëm yllin e zvetënuar
dhe syrin që njomet nga bulëza të pikëvesës
me tinguj të heshtur nga kitarë e rrëgjuar…

 

VROJTIM ZHGËNJYES

Hamendshëm hedh hapat
shtigjesh të thepisura
të vrojtimit zhgënjyes,
ndër skuta ëndrrash
ku meket ndërdija
e lëshon ofashama
vrushkullimë,
si oshtima kataraktesh
ku përplaset jeta
e thërmohet shpresa.

Vrushkuj iluzionesh
shkarë në trazime
shpirtërash të nemitur
ku pispilloset hipokrizia
në grime perfide
makiazhi të vjedhur
dhe krekoset krupshëm
në reflekse egoizmi.

Dërdëllitja vërshuar
në trokëllimë t`patrajta
ku flatron hutueshëm
frapullimë tallëse
e mendjes së azdisur
në skërkat e asgjësë,
e udhët përmbyten
në llumin e bërblitjes,
në zbrazje rropullishë
që mëtojnë melodinë
pa nota,
pa tinguj,
pa ngjyra…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s