K U J T I M E T  E  M I A  P Ë R  “M A E S T R O N” / Nga : Leonard Bixhili

K U J T I M E T  E  M I A  P Ë R  “M A E S T R O N” 

 

Nga : Leonard Bixhili

Mbas rreshtave të shkruara nga një penë e “fortë” e “Mjeshtrit të madh”, profesor Miho Gjinit për Alqi Lepurin,* pena ime që i ngjan asaj të nxënësit të klasës së parë fillore të kohës sonë që ngaqë e shtrëngonte shumë i thyhej bishti dhe detyrohej ta lidhte me penjë për të mbaruar detyrën e bukurshkrimit, nuk do të jet e aftë të përshkruaj me nivel e të nxjerrë në pah, atë ndjenjë të thellë dashurie e respekti që ushqej për “njëriun e mirë” në rradhë të parë dhe pastaj artistin Alqi Lepuri.
Me një valixhe druri, në shtator të vitit 1971, morra rrugën për në Tiranë për të ndjekur shkollën e mesme artistike, duke realizuar kështu dëshirën e madhe që kisha që fëmijë. Që në ditët e para të shkollës, unë akoma i pa ambjentuar, dëgjoheshin emrat e më të mirëve e më të talentuarve. Një nga ata që lakohej më shumë ishte ai i Alqit. Kjo të binte dhe në sy mbasi kush kishte ndonjë paqartësi në zbërthimin e partiturës muzikore ose probleme të vështira të teknikës së ekzekutimit në instrument ose thjesht për të dëgjuar e dhënë mendim, thërisnin Alqin. Një vit më vonë, më kujtohet si tani, na mblodhën në mencën e konviktit gjithë nxënësit, por dhe personelin mësimor, për të diskutuar (si shkollë artistike që ishim) rreth shfaqjeve të huaja në festivalin e 11 të këngës në R.T.Sh. që është folur e shkruar kaq shumë. (22-24dhjetor 1972). Bile kishte ardhur dhe një i deleguar nga Ministria e Arsim dhe kulturës. Mbas fjalës së drejtoreshës dhe 2-3 pedagogëve, ne prisnim me padurim të dëgjonim ç’do të thoshte Alqi. Diskutimi i tij ishte ai i një muzikanti të formuar dhe jo një nxënësi. Vërejtjet e tij për muzikën dhe mbështetjen e saj, anën ritmike, për orkestimin dhe orkestrën, për kompleksin dhe interpretimin etj. kishin vënë pikën mbi ì-në, siç thonë. Ne të gjithë hapnim veshët. Në sytë e të gjithëve shkëlqente krenaria. Mbas kësaj personaliteti i tij sa vinte e shtohej, por kurrë s’i mbeti “koka përpjetë”, vazhdoi ashtu kokulur, i qetë, i matur, i thjeshtë dhe serioz. Dy mollëzat e faqeve që i skuqeshin kur fliste, i shtonin simpatinë fytyrës së tij imcake. Më vonë krijuam dhe bandën frymore të shkollës nën kujdesin e profesorit Sotiraq Nimali, në atë kohë dirigjent i bandës së ushtrisë. Unë morra mësime për veglën e baritonit por më vonë e lashë, ndërsa pati nga ata që vazhduan. Alqi ishte dirigjenti i saj me të cilën parakaluam me kuadratin e shkollës në festën e 1 Majit para tribunës së udhëheqjes. Tanimë të gjithë flisnin për Alqin dhe talentin e tij. Dukej qartë si në garat e vrapimit, ai ishte shkëputur nga “turma” dhe i afrohej finishit. Dy vjet më vonë, ai student në Institutin e lartë të Arteve, drejtoi orkestrën simfonike në festivalin e këngës në R.T.Sh. Ne ishim mbledhur gjithë shkolla në sallën e televizorit për të parë festivalin, por mbi të gjitha për të parë “Alqin tonë”. Na përshkonte nga brënda një ndjenjë krenarie, mbureshim të nesërmen dhe diskutonim, tanimë më të pjekur nga ana profesionale, se sa mirë drejtoi dhe sa me sukses kishte bërë dhe një “figurë” në mbyllje të këngës. Sukseset ndiqnin njëri-tjetrin edhe me Ansamblin e Ushtrisë (1977 – 1992) ku punoi më vonë kur mbaroi studimet. Pikërisht, n’ato vite e takova, kur me këtë ansambël udhëtonte për një seri shfaqjesh në rrethin e Sarandës dhe ndaluan pak në Vuno, ku unë isha atëhere përgjegjës i shtëpisë së kulturës dhe u çmallëm pak, mbasi pjestarët e tjerë bënin ca fotografi në lapidarin e fshatit.
– “Ç’bën këtu more Nardi,më tha. Ku humbe, pse s’erdhe në institut ” ?
Unë, ashtu i ndrojtur e kokulur fillova të murmuris ca fjalë pa kuptim, por nuk i hapa zëmrën për pengesat që hasja për të dhënë konkurs. Ai pa dashur të më lëndojë më shumë, ma preu drejt :
– “Kur të jesh gati, ç’farë nevoje të kesh, e di ku do më gjesh”. Unë mbas ca vitesh, në formë autoditakte, dhashë konkurs por nuk fitova. Por Alqit nuk i “trokita” në derë, as bashkënxënësva të tjerë, një pjesë ishin student në vit të fundit kurse të tjerë kishin mbaruar dhe kishin bërë dhe ata emër, sepse doja të provoja forcat e mia nëse meritoja.
Vitet rrodhën shpejt. Kaluan plot 40 e ca dhe në 9 gusht 2015 në një takim brezash të shkollës së kulturës në ish godinën e shkollës sonë, u takuam përsëri. I dola përpara se e dallova nga larg duke ardhur ngadalë, qet – qetë, i urtë, i matur, fjalëpak e me thjeshtësinë që e karakterizon. Aty mësova edhe për një fatkeqësi familjare. U preka shumë, e kaloja në mëndje shpesh, sepse avash-avash u ritëm dhe e dimë mirë ç’është të humbasësh shoqen e jetës, por me sa u informova, shokët tanë të shkollës i qëndruan afër në ato momente të vështira dhe kjo më ka mallëngjyer shumë. Ne kulturistët,(kështu na quajnë ne të gjithëve që kemi mbaruar atë shkollë) kemi qënë dhe mbetemi një familje e madhe, pjestarët e së cilës jeta i shpërndau “ca këtu” e “ca atje”, por qoftë edhe kështu, nuk i kemi humbur lidhjet, e ndjejmë dhe e jetojmë njëri-tjetrin nga afër. Këtë e vërtetojnë një sërë ngjarjesh siç është festa tradicionale e trahanasë që shokët tanë me banim në Tiranë dhe më afër, mblidhen në shtëpinë e Bardhylit e Bardhës, dy shokëve tanë të shkollës të cilët dashurinë e atherëshme në bangat e shkollës e konkretizuan duke krijuar një familje të shëndoshë. Na bëhet zëmra mal ne të tjerëve që jemi largë, kur i shikojmë fotografitë ose ndjekim videot e postuara, ashtu bashkë ulur në sofër rreth një tepsie të madhe. Në krye gjithmon qëndron Alqi, ai vënd nuk zihet nga të tjerët. Ky është “Artisti i Merituar” Alqi Lepuri..!
Sot ai ka ngjitur shkallët më të larta të artit muzikor. Ai është mëshirimi i talentit dhe i punës së palodhur e metodike, i njëriut të zellshëm e të disiplinuar, por mbi të gjitha : i “njëriut të mirë” që menjëherë të bën për vete me thjeshtësinë që e karakterizon. Dirigjenti Alqi Lepuri sot është një nga emrat më të vlerësuar në drejtimin e orkesrave simfonike. Ai shquhet jo vetëm me orkestrën e studentëve të Institutit të Lartë të Arteve si drejtues e pedagog, por edhe në shumë koncerte për publikun me orkestrën e T.K.O.B. me pjesë nga krijimtaria më e mirë e autorëve të njohur botëror dhe shqiptar.
Me Alqin ka pse mburet Saranda, studentët e tij por edhe ne që patëm fatin të ishim bashkënxënës me të. Ai do të mbetet një nga ato “yje” që përbëjnë krenarinë e brezave të Shkollës së Kulturës.

Leonard Bixhili Athinë 17.6.2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s