Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

NË PREHRIN E HËNËS

Më ka marrë malli për Nënën,
Ka kohë pa i shkruar një letër.
Nga dritarja çmallem me hënën,
Nëna është në galaktikën tjetër.

E ka zgjatur rrugën e mallit, nëna,
Që unë të rri shumë në këtë botë,
Por edhe sikur me njëqind zemra,
Do vij, nënoke, këtu bën shumë ftohtë.

Dritën nga dielli hëna e ka dhuratë,
Dhe Nëna pa diell s’do ishte e vërtetë
Ndryshe ky planet do të quhej Natë,
Ose edhe më kobshëm, ” i Pajetë”…

Sa shumë më djeg malli për nënën,
Tani dhe në ëndërr rrallë e takoj
Sa herë që troket porta e zemrës
Zbathur, drejt derës fluturoj.

Por janë takat e verdha të hënës,
Është gazi i qielltë i saj
Vjen të më shuaj mallin e nënës,
Në prehërin e hënës ulem e qaj!

 

ËSHTË E DJELË

Është e djelë,
nuk di pse ndjehem i trishtuar,
trishtimi nuk njeh pushim.
Minutat dhe orët
akoma nuk janë zgjuar,
unë jam ngritur që në agim!

Është e djelë,
edhe yjet
kanë shkuar në piknik.
Kam ftohtë
të shetis vetëm nën diell
ndjej ngricë, …ndjej ngricë.

Është e djelë,
por jo si të djelat e tjera…
Kur mungon ti,
e dashur,
ç’më duhen të djelat!

 

KA ÇASTE

Ka çaste, kur humbas i tëri në sytë e tu,
ndizen shkëndijat si dikur. Të kujtohet?
Dhe ajri, dhe fryma bëhen si deti blu,
dallga kërkon shkëmbin të thërrmohet.

Ka edhe çaste që vlejnë sa një jetë,
ashtu siç ka jetë që vlejnë sa një çast,
ka qiej, ka yje, ka këngë dhe poetë,
ka dhe shpirtra që lundrojnë në flakë.

Ka çaste, kur ndihem tjetër njëri,
aq sa nuk e besoj që jam i vërtetë,
humb në ty, tretur në dashuri,
nga vitet e tua marr vite me jetë.

Ka çaste, kur vërtet dua të humbas,
edhe sikur të jetë humbja finale,
është më mirë të digjesh në flakë,
sesa të ruhesh nga këto zjarre.

Ka çaste që kërkoj shpirtin e arratisur,
kafazi i kraharorit gufmon lot,
e di ku ka shkuar, e di ku është nisur,
oh, sa e vogël më duket kjo botë!

 

KJO BOTË

Thonë se po afrohet fundi i botës,
Madje kanë parashikuar një ditë!
Kësaj bote i vjen mendja rrotull
Ka më shumë halle se perënditë!

Thonë se edhe hëna do arratiset,
Si politikanët do ndrroj qiellin,
Por yje të tjerë do të rindizen,
Këtu i dërgon si dhuratë Dielli!

Thonë, kjo botë është ndërtuar keq!
Të ishte kështu nuk do kishte lule,
S’do kish zogj, s’di kishte as bletë
Por varre dhe kështjella pa mure!

Pyesni poetët, këngët e pakënduara,
Pyesni gjithë shpirtrat që vuajnë
Pyesni të urtët, vuajtejt e mërguara
Pyesni dhe zemrat që ëndërrojnë!

Thonë se kjo botë tani u plakë,
Dhe nuk ka moshë për dashuri!
Ata që thonë duhen hedhur në flakë
Njerëz! Ta jetojmë këtë botë-mrekulli!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s