MANUSHAQJA (TOROMANI) –JO AJO E NAIMIT: “…pse s’ngre kryet përpjetë.…”. Manushaqja e kësaj poezie me dinjitetin e vetvetes / Përgatiti materialin: Iliriana Sulkuqi

MANUSHAQJA (TOROMANI) –JO AJO E NAIMIT: “…pse s’ngre kryet përpjetë.…”. Manushaqja e kësaj poezie me dinjitetin e vetvetes:

 

Qyteti im

vite larguar prej teje,
harruar larg,
shpesh për ty kam mall.
Dashurinë e parë ta rrëmbeva
ashtu fshehur mos bëhesha me fjalë,
dëshirave në mbrëmjet
pa hëne e yje.
S’ju vura dot fre,
ndaj të bukura mbeten ditënetët
jetuar rrugëve të tua.
Ka kohë
Tiranës puthem, dashurohem
smogut e rrëmujës
pa pyetur për frikën e pa anë.
Jetoj shpenguar jetën time
“Lirinë”, që vitet e tua s’ ma dhanë
e prap për ty më zë mall.
Qyteti im,
ëndërrvrarë larguar prej teje,
me shpresën se diku tjetër do t’i ngjall.
Të mallkova ditën që u largova,
por dije, pa shpirt, veç me fjalë.
Kryeneçe tek ty mësova të jem
e të mos i bindem fatit tim
shpesh mjeran,
dhe dinjitetin, dinjitetin që më dhe
me vete mora
e para të panjohurave, vështirërsive
si më mësove Ti, s’ u gjunjëzova.
Kam mall për ty, qyteti im.

E Lindur në një nga shtëpitë e Qyteti tim me hapësira gjithëstinëshe, në një shtëpi me lule e pemë dhe me një pus që jo vetëm “lahej” vetë, por lante edhe sytë e Manushqes, shuante edhe etjen e saj prej vajzërie…
Manushaqja, edhe pse ka vite në Tiranë, poezia e saj nuk është metropolitane, as ajo vetë JO.
Fëmijëria e shëndetshme është si themeli i një ndërtese.
Kështu dhe me Manushaqen tonë.
Liria e një natyre me stinët e tua të rritjes të bëhet Kryefjalë për muzën përgjatë udhëtimit të jetës tënde. Të bëhet Liri e vërtetë e shpirtit tënd krijues dhe jetik. Kësisoj, poezia e Manushaqes mori vetiu fytyrën e saj prej luleje të brishtë, duke u rritur e duke lulëzuar në çdo kopësht botanik ( takime poetësh)
Manushaqe Toromani, e njohur thuajse nga të gjithë lexuesit e poezisë është binjakja e poezisë së saj, ku të dyja sëbashku pijnë një gotë verë apo raki për të mbledhur miqtë e duhur, për të trokitur një gotë në emër të Fjalës më të bukur që quhet Dashuri, Miqësi, Poezi!
Fjalët e mëposhtëme, i mora nga Botimet Atunis, ku u ngazëlleva tek lexoja :-Manushaqe Toromani(Elbasan).
“Manushaqe Toromani ka lindur në qytetin e Elbasanit. Pas përfundimit të arsimit të mesëm kreu Universitetin “ Dhimitër Xhuvani”, Dega Gjuhë- Letërsi . Pasioni për poezinë ka qenë bashkëshoqëruese e jetës së saj, aq sa arti i shkruar u shndërrua në domosdoshmëri dhe lajmotiv për të shprehur gjithë botën dhe vizionin në referim me gjithë proçesionin shoqëror. Nata, shiu, idili, mungesa, malli, erosi, brenga, trishtimi, ankthi, lagia (shiu ka lagur gjithçka), drita e akullt, zhveshja (më zhvesh me sy), këmbimi i pamjeve, imazheve, trajtave, kohëve, në një karsul ndjesishë të befta, e bëjnë poezinë e Toromanit të lexueshme me një frymë dhe nxisin reflektimin e thellë rreth aktit të saj poetik. Si një autore e gjendjeve impresioniste dhe moderniste, plot fantazi dhe kompleksion figurash e trajtash do arrinte që poezia e saj të kapte përmasat e duhura dhe të prezantohej e njihej jo vetëm në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni por dhe shumë më gjerë , si një art estetik dhe universal. Gjendjet e saj janë kujtesat, emocionet, përjetimet, ankthi dhe vetmia që poetja i ka marrë nga përjetimet individuale dhe i mbart si një kredo e anatemuar e brezit të saj, e kohës dhe bashkëkohësisë së saj.
Poezia e saj është një poezi e trazimeve dhe dyshimeve ekzistenciale, e mungesave dhe përjetimeve moderne, e ritmeve të përndezura që sjellin një kontrapunt gjendjesh dhe emocionesh të denja për një poezi që buron nga shpirti i thellë njerëzor dhe shkon drejt këtij shpirti, për të ushqyer pemën e tharë të tij…
Poezia e Manushaqe Toromanit gjallon ndjeshmëri, mall dhe kujtesë, ëndërrim dhe klithje, trazim dhe etje. Ajo është një poezi që lexohet me një frymë dhe përjetohet po me një frymë si një zbulim, si një risi që sjell poezia e re shqipe, kudo që shkruhet dhe lexohet, në fonetekën e madhe të Letërsisë Shqipe.

Botime të autore:


– Eja, të pres… ( poezi)
– Ishte kohë për Dashuri… (poezi)
– Ëndërr e mërguar (poezi)
 

RRUGË E GJATË

Këpucët, ato më të lehtat do vesh
Rruga e gjatë këmbet mund të mi vrasë
Diku në një kodër është një pemë e thatë
Do ndalem të më bëjë hije trungu i saj.
Kur të jem shplodhur do marr të tatëpjetën
ngadalë do i a nis, po s’ di si do më marrë,
si të zbres, aty kalon lumi
do zhytem të lahem, nga pluhuri që mbaj.
Përballë një lëndinë
Do mbledh dhe ca lule
Kurorë t’ ia bëj vetes,
të më duket princeshë.
Ja kam dhe një mal të zhveshur, të thatë
Më tutje një pyll i dendur
Do lodhem t’ia dalë
Veç egërsirat, tjetër gjë s’ më tremb,
se kur të kafshojnë
dhe shpirti të dhemb.

 

MOTIV I LASHTË

Diku aty jam unë
në një cep të ditës,
ku rrallë ndodh të kthejnë kokën e të më shikojë.
Jam në një çast të natës duke pritur yllin tim.
(Të gjithë thonë kanë yllin e tyre)
Jam në një copëz qiell gri,
ku diellin vonon të arrijë.
Duhet të jem në buzëqeshjen e harruar,
që aq shumë më mungon.
Ndoshta jam motiv i lashtë
ëndërr e çdo kompozitori
e prapë mbetur pa melodi.
Jam…!
Ndoshta jam e tëra harrim
I përkas të shkuarës
e pres më kot të nesërmen të vijë.

 

VETMI…!

Avuj trishtimi më mbështillen
Vijëzoj me gishta si piktori abstrakten
Vetëm bardhë e zi,
pa ngjyra
qielli është në gri.
E kaluara apo e ardhmja
më kalon tangent në mendje?!
Sot jam këtu
Vetëm, por e tëra
avujt përthahen
e unë shoh përtej xhamit.
Nata ka kohë që më bën shoqëri.
Në vijëzimet e mia shoh veten.
 

NOSTAGJI

Përtej xhamit shiu varet litar
brenda avujt e kafesë kërkojnë të sfidojnë
dhe unë mbështillem e tëra
nga një pëlhurë kujtimesh.
Çudi!
Kështu ndodh gjithmonë me shiun
lan pluhurin që i mbulon
e i sjell kaq të pastra nga larg
dhe ndodh të shkosh kushedi se ku,
ashtu e përhumbur mes kujtimesh.
Here don të ndalesh,
herë tjetër trishtohesh pa fund,
se në fund të fundit
kujtimet nuk janë gjithmonë të bukura.

Botime të autore:
– Eja, të pres… ( poezi)
– Ishte kohë për Dashuri… (poezi)
– Ëndërr e mërguar (poezi)

 

Iliriana Sulkuqi-fragment:-Ndjesi për Manushaqen,libri në proces botimi për zërat femërorë të qytetit tim, Elbasan
Brooklyn , NY, 2018

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s