Muzë e zgjuar çdoherë / Nga: Sevëme Fetiqi

Nehat Jahiu

Muzë e zgjuar çdoherë

Nehat Jahiu padyshim është një ndër poetët me produktiv të dy dekadave të fundit, i cili në krijimtarinë e vet të begatë, shkruan satirë, prozë, poezi, tregime si dhe ngjarje që e preokupojnë botën e tij të jashtme. Ai është i vetëdijshëm, se nuk mund ta linte asnjë çast muzën të kotet dhe të largohet nga shkrimet e tij të pasura, me të cilat ai sjell në letërsi shpirtin e vet.

Nehat Jahiu si në tërë krijimtarinë e tij të deritashme, ashtu edhe në këtë libër “Gjaku im të qoftë falë” përdor me sukses dhe mjeshtri lirikën, por edhe epikën letrare, ku i bashkon të dyja në një tërësi poetike të ndjeshme me rrëfim reflektues. Mirëpo, në këtë vëllim letrar, ai tenton dhe ia arrin qëllimit, që përmes jetëshkrimit të tij  ta reflektojë, edhe çdo ndjenjë përcjellëse, dhembjen, dashurinë, kurbetin, mallin, dramat jetësore fëmijërore, dëshmorët e luftës së fundit, e deri te varret e të parëve të tij. Me këto, Nehati vetëm e bën të begatë dhe e pasuron vargun, i jep një ngjyrë të pashlyer mendimeve dhe e ndërton rimën me mjeshtri metrike.

Libri me poezi “Gjaku im të qoftë falë” përbëhet nga katër cikle: Cikli i parë “Autoportret“, cikli i dytë“, „Portreti i atdheut“, cikli i tretë „Idil katundi“ dhe cikli i katërt „Gjaku im të qoftë falë“.

Katër ciklet janë të lidhura mes tyre, plotësojnë njëra-tjetrën, por në anën tjetër, kanë dhe karakteristikat e veta të veçanta në të cilat poeti Nehat Jahiu shpalos frymëzimet e veta momentale, kujtimet dhe ngjarjet më sublime emocionale, gjatë etapave të ndryshme të jetës së tij. Duke i transmetuar këto emocione, ai e mban të zgjuar dhe të interesuar tërë kohën lexuesin. Një ngjyrë poetike, që i karakterizon poezitë e këtij vëllimi është edhe prania e folklorit shqiptar e qëndisur me mjeshtri në vargjet e tij të rimuara, folklor i cili e begaton dhe i jep koloritin domethënës dhe autokton, rrëfimit të vargut, ku me keqardhje jepet mesazhi, se e sotmja ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me të djeshmen, duke tentuar të linte porosi te gjeneratat e reja për vlera dhe virtyte të larta, që populli shqiptar kishte gjatë tërë ekzistencës të tij.

Në poezinë “Dikur“ të ciklit “Autoportret“ ai me pak rimë dhe fjalë i qan ato tradita, të cilat gati sa janë zbehur dhe njerëzit i gllabëron koha: „Dikur fëmijëve u këndoheshin ninullat/ burrat e lidhnin besën nëpër kulla/ besën për fis komb e gjak /atë që kishim e shtronim në konak“…

Këto vargje flasin sa njëmijë fjalë e tregime.

Dhe, kështu me radhë, poezitë e tjera shpalosin kujtimet e tij fëmijërore dhe rinore, ku autori paraqitet dëshmitar i vogël dramave jetësore, në kohën kur dëbohet familja e tij nga vendlindja dhe shpërngulet në Turqi, …poezia “Lotët e një fëmije”. “Babain e shikoja fytyra i ishte bërë nur/ i lodhur nga mërzia ishte mbështetur në mur / si një qiri që shuhet shkoi e u tret /se pa më të dashurit e tij vetëm mbet”. Këto vargje që shpalosin përjetimet e një fëmije qartazi tregojnë sa me ndjeshmëri mbeten skenat e hidhura në shpirtin e poetit dhe krijojnë një imazh dhembjeje në atë shpirt, i cili më vonë i shpreh në vargjet e tij.

Në ciklin e dytë “Portreti i  atdheut”, Nehati preokupohet për mërgimin, plagën e vjetër dhe më të dhimbshme shqiptare, ku shpalos në mënyrë të suksesshme, mallin e mërgimtarit, duke bërë një sintezë të shkëlqyer mërgimtar-vendlindje-atdhe dhe këndon kthimin e tyre. Atdheu është i shenjtë. Nehati e ngre zërin poetik dhe i fton të kthehen, sepse askund nuk është më mirë se në vendin e tyre: Vargjet “E shtrojnë bukën me një lugë më pak në sofër / shtëpia ka mbetur pa zjarr në votër, / nëna pret e heshtur te pragu i shtëpisë / vasha në gjergjef kthimin tim qëndis” dëshmojnë më së miri mungesën e mërgimtarëve.

Edhe pse ky sublimitet dominon në shumë poezi të këtij vëllimi, një freski optimiste dhe një fllad çapkën, e kaplojnë ciklin e tretë “Idil katundi”, ku Nehati me një nostalgji të madhe, përkujton ditët e rinisë, dashurinë e parë, martesën, jetën e bukur në fshatin e tij Orizare, duke i sjellë frymëzimet e tij ashtu të freskëta si në ato ditë kur janë përjetuar ngjarje të çmuara të jetës së tij. Njëkohësisht sjell një idil autokton katundi në këtë libër. Duke i lexuar poezitë e këtij cikli, lexuesi do të provojë përjetime të ëmbla dhe do të ndjehet si në këtë fshat, nga edhe autori merr frymëzimin duke theksuar çdo detaj nostalgjik të përjetuar, nga muza shumë e pasur e tij. Vargjet: “Këmishën thurur me fije ari/ kur të shihja më digjte malli, /gërshetin dredhur pas shpine / lidhur flokun fije-fije / më dukeshe si një hyjneshë / trup e qafë si pëllumbeshë, /në dorë bylyzyku të kishte hije / veshur me atë fustan nusërie” na sjellin një pikturim të bukur me fjalë, të një idili katundi dhe dashurie rinore.

Në ciklin e katërt, “Gjaku im të qoftë falë”, autori me një fjali, përpiqet të na përcjellë mesazhin, që askush nuk mund ta shkelë gjakun e dëshmorëve. Ai pasqyron dhe mbron idealet e larta kombëtare për një përparim dhe qytetërim të plotë. Gjaku i dëshmorëve është garanci e paqes dhe e lirisë, ardhmëria e brezave të rinj. Në poezinë “Gjaku im të qoftë falë”, autori rrëfehet në vetën e parë … “Vendi im s´të harroj edhe në amshim/ jetën time për ty e bëra flijim / le të jetojë në liri ky popull mbarë/ për të gjaku im qoftë falë….”

Në poezinë e fundit autori në vetën e parë, përmes monologut të dëshmorit, lutet që të ruhen varret e tyre…Dihet se varret janë kultura e një kombi. Krenaria dhe respekti ndaj dëshmorëve Nehat Jahiut i sjellin frymëzimin në vargje të shkëlqyera të poezisë, “Varret na i ruani” kur thotë:  “O vëllezër të vendit tonë/ juve që ju lindi e njëjta nënë,/ nëse neve nuk na doni/ amanet së paku varret na i ruani”.

Përshkrimin e ambientit, ndjenjat, emocionet, drithërimat, dhembjen, gëzimin, dashurinë, mallin, vajin dhe revoltën e tij ndaj padrejtësive dhe robërisë, që përjetuan të parët e tij dhe vetë ai, të gjitha këto autori Nehat Jahiu me mjeshtrinë e vargut e të rimës arrin, që me sukses t’i sintetizojë në një tërësi poetike dhe përmes kësaj tërësie t’u transmetojë mesazhin e drejtë dhe bindës gjeneratave të reja për ruajtjen e traditave shqiptare, për ruajtjen e dinjitetit njerëzor,  respektin ndaj prindërve, ndaj flamurit, atdheut, miqve dhe ndaj më të dashurëve. Me këtë Nehat Jahiu edhe njëherë dëshmon aftësinë dhe përvojën e tij në edukimin e shumë brezave të rinj në shkolla, si dhe përmes vargjeve  autoktone, aftësinë e tij në thurjen e vargjeve me mesazhe edukativo- pedagogjike.

Libri “Gjaku im të qoftë falë”, padyshim se do t’i pëlqejë lexuesit, deri në poezinë e fundit, do ta mbaj lexuesin zgjuar dhe të emocionuar, sepse ky libër është shkruar në formë të një tregimi në kohë dhe përjetimeve jetësore të autorit. Nehati, duke përjashtuar ndjenjën vetjake, jep çdo gjë nga vetja, që lexuesi të gjejë vetveten në këto vargje, të mishërohet me interesimin e tij. Padyshim, çdo lexues pas leximit, do të dëshirojë ta vizitojë Orizaren, vendlindjen e autorit dhe të magjepset me bukuritë natyrore të këtij fshati, të cilat e pasurojnë muzën e autorit. Uroj që edhe shumë poezi të reja të lindin nga kjo muzë e begatë, për ta pasuruar edhe më shumë letërsinë shqiptare dhe bibliotekat tona.

 

Nga: Sevëme Fetiqi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s