Kur takon zgjimin e ëndrrës ( Rreth romanit “” PRINCESHA E TRËNDAFILAVE TË BARDHË” të Blerina Proj) / Nga: Agron Mema

Kur takon zgjimin e ëndrrës
 
Rreth romanit “” PRINCESHA E TRËNDAFILAVE TË BARDHË” të Blerina Proj
 
Është e vërtetë se ëndrrat prehen në shtratin e heshtjes duke pritur çastin e zgjimit të tyre. Kjo ka ndodhur edhe me Blerina Proj dhe romanin e saj ”Princesha e trëndafilave të bardhë”. Në përfundim të leximit të romanit themi se kemi të bëjmë vërtetë me një talent të rrallë në letërsinë shqipe. Unë them se po. Jo se e them unë dhe kushedi kush jam dhe vendos këtë vlerë për autoren dhe romanin e saj. Por vet romani i Blerina Proj na detyron pas leximit ta kemi konstatim vlerësues. Në ditët e sotme , në morinë e shfrenuar të botimeve të librave, romani i saj “Princesha e trëndafilave të bardhë” të befason me prurjen dhe qasjen e sajë letrare. Befasohesh dhe në mendje të vjen sentenca filozofike se: ”Në kryeqytete vdesin edhe mediokër, në periferi edhe gjeni”. Është një ëndërr në humnerë që ngjyroset me dritëza reale të shpirtit. Ëndërr tanimë e zgjuar. Autorja Blerina Proj të befason me romanin e saj ku fantazia e shfrenuar ka krijuar një mrekulli artistike dhe të mos harrojmë se formimi arsimor i sajë është ai i detyrueshëm 8-vjeçar, ndaj dhe themi se kemi të bëjmë me një shpërthim të një talenti të çuditshëm që do ushqyer me përkujdesje drejt majave letrare. Ndaj themi se kemi të bëjmë me një gjeni të heshtur deri tani dhe papritmas shpërthen gjithë akumulimin në një cunam dhe uragan të fuqishëm e me një fantazi të shfrenuar. Megjithse romani nis me një atmosferë fshatareske, nuk mungon vizatimi real i natyrës me një mjeshtëri që sjell harmonizim të elementeve natyror me personazhet dhe vet subjektin ku ngjarjet sa vijnë e ngjeshen dhe kupton se e gjithë materja lëndore e librit është bërë shtëllunga-shtëllunga. Vet këto shtëllunga janë vendosur për t’u tjerrur në tri furka-kollona të librit; Furka e parë është ajo e natyrës herë indiferente dhe herë personazh me ngarkesë të fuqishme emocionale. Furka e dytë është ajo e magjisë ëndërrimtare e cila përshkon gjithë romanin dhe mban të ndezur subjektin , konfliktin mes tyre dhe pikën kulminante. Furka e tretë është ajo e vet autores që thurr e end tekstin letrar. Ka edhe një tjetër më të madhe, që nënkuptohet, ajo e Zotit i cili me fuqinë dhe madhështinë e Vet, end vet ligjet e jetës së personazheve. Fijet e këtyre furkave pleksen e shpleksen deri në kokolepsje me njëra-tjetrën, këputen, bëhen nyje të pazgjidhëshme. Nga sa shkruam më lart dhe vet profili letrar dhe arsimor i autores, romani shkakton edhe habi estetike. Kjo nga fabula? Narracioni rrjedhës? Personazhet? Gjuha gurgulluese? Apo nga ajo fantazi harlisëse që , ndërsa degët frushullojnë herë me një mister drithërues e herë me një vrazhdësi lakuriqe, por një rrënjë e sajë vjen e futet në humusin jetëdhënës për tu shëndoshur estetikisht? Besoj nga të gjitha pykëpyetjet që shtruam. Kemi një subjekt me një realitet të denjë për t’u bërë pjesë e letërsisë. Blerina ka mundur të shkruaj një Bibël të fëmijërisë dhe adoleshencës në një mënyrë rrëfimi me një sintaksë të pasur.
 
 
Blerina Proj
 
Një mendim që rrjedh e lëviz drejt së papriturës, drejt befasisë, një logjikë veprimi e, në fund të fundit, edhe një kompozim i shkëlqyer. Romani ka një gjuhë të pastër letrare dhe me një kujdes për të treguar se jemi njerëz të kulturuar e të qytetëruar për të mos lënduar njeri e për të mos lënë shije të keqe tek lexuesi i sajë. Ngjarjet zhvillohen në një fshat të jugut shqiptar që , qartësisht nga toponimia e përdorur, kuptohet që është vendlindja e autores duke treguar edhe lidhjen me vendlindjen dhe shtratin e ëndrrave të saj. Mes ngjarjeve vjen një jetë që ka dy anë: Një të dukshme që paraqet një botë të bukur dhe të këndshme dhe një tjetër të padukshme që paraqet botën e brendëshme, të mendimeve, ndjenjave, lëndimeve apo plagëve të shpirtit. Dhe ky personazh i padukshëm, por i kudondodhur, është vet zemra e autores.
Një vajzë e vogël që është e detyruar të kalojë ditët në një “liri” të çuditshme nën shoqërinë e qingjave dhe kecave, lëndinave të bleruara, duke i kaluar ditët në kërkim të zbulimit të pykëpyetjeve që trazojnë shpirtin dhe ëndrrat e sajë prej adoleshenteje. Ajo është bartëse e shumë ëndërrimeve deri tek ato të pamundurat që bëhen edhe thelbi i jetës së saj e kthyer në personazh kryesor të romanit. Ëndrrat dhe fantazia e saj vegjetojnë në kërkim të identitetit të saj krijues duke u futur në grishjen substanciale të lirisë dhe petkut të ëndrrës së parealizuar, por të diktuar dhe që do ta shqetësojë shpesh në jetën e sajë. Krakteret e këtij romani takohen mes tyre dhe nëpër rastësi e ngrenë jetën njerëzore me një të përditshme të gjallë mes absurdit dhe realitetit. Ngjarjet duken si një ekran që fokusojnë ngjarje nga dritaret e fëmijërisë së dikurshme, që përtej kureshtjes, e kanë ndihmuar të skanonte kohën në të cilën rritej vet autorja, duke sjellë plotë ngjarje, jetë, dramë, komedi, dhimbje, dhunë, dashuri dhe ethe padurimi nëpër spirale rrënqethëse. Mund të themi me bindje kur përfundon leximin se ky roman është një klithmë e fuqishme për lirinë dhe dashurinë. Kemi një ”Liza në botën e çudirave” me pikëvështrim dhe realitete shqiptare. Të gjithë grupmoshat e lexuesve, në faqet e romanit, mund të kthehen në retrospektivë dhe të gjejnë grimca të jetës së tyre; vuajtjet, po edhe rrezet e bukurisë shpirtërore që i ruajtëm të mos deformoheshin nga presioni ideologjik i kohës, ku në strukturën e romanit dalin herë-herë hije fantazmash të sagës së diktaturës.
Dashuria, ëmbëlsia e jetës, dhimbja, gabimi, pendimi, miqësia, kërkimi i identitetit, humbja, rikthimi, shpresa…vdekja…gjithshka që na mundon e na shtyn të mendohemi gjatë, e gjejmë në këtë roman, sa themi se mund të realizohet një film i bukur artistik me skenar të motiveve të këtij romani” Princesha e trëndafilave të bardhë” të Blerina Proj.
 
 
 
Nga: Agron MEMA
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s