Poezi nga Iliriana Sulkuqi

Poezi nga Iliriana Sulkuqi

 

 MOS MË DUAJ, VENDI IM…!

Të ika kuturu, vendi im
sikur të ma kishe fajin ti…
Ende nuk e kam mësuar
kuptimin e arratisë prej teje …
as pse ende të dua
gjer në përgjërim…

Mos më duaj qyteti im,
mos më duaj!
Si ta harrova kalldrëmin,
ku, për t’më rritur
më rrëzoje ditë e për çdo vit…?
Si m’u thanë bulëzimet e ëndrrave fëminore
ku sumbyllur vrapoja
dhe nuk humbisja askund…?

Mos më duaj shtëpizë e tim ati,
mos më duaj!
Në DITËN që t’u prishën themelet
ndërtuar prej eshtre,
unë “fluturoja”
mbi rè të asgjëje…

Ika…, po ku?
Te cili nga fëmijët
pa adresë në dy gjysmat e globit…?
Ku? Për ku?
Cilin më duhej ta mbuloja
kur ta ngrinte nata?
Urinë e cilit do të ushqeja
me qumështin e shpirtit
me bekime nga nëna…?

Mos më duaj,
as ti shteti im i papushtetshëm,
mos më duaj!
Për ty, s’më dhemb
asnjë molekulë prej dhimbjeje
-kurrë, mai, potè, never…!
Në të gjitha ndërrimet
e ngjyrave të kolltuqeve të tua
më bërë bashkëfajtore me veten…
Mos më duaj!
T’i kam grisur e djegur me mendje
të gjitha gradat, medaljet, çmimet
dhe titujt e tu,
para se të shkoj e paqtë në botën tjetër…!

Mbase nesër, dora ime
mund të mos shkruaj më…,
Por në zarfin e (pa)hapur
të kam lënë një amanet:
Mos më duaj!
Më ruaj në Harresë,
Vendi im,
Pa kujtesë!

 

MOS U DASHURO ME MUA…

Mos u dashuro me mua,
nëse nuk ke lindur binjak me dhimbjen!
Se, përshembëll,
njëherë më jep Zoti detyra shpirti për t’i kryer,
njëherë poezia më bëhet rrodhe pa arësye…
dhe, deri sa të të them “Mirëmëngjes”
tek ty ka zbritur nën qepalla,
një tjetër ëndërr për zgjime…!

Mos u dashuro me mua,
nëse nuk mund të jetosh
me gënjeshtra të vërteta!

Mos u dashuro me mua,
veç lermë të të ndjej si të Shenjtë,
pa më dalë Fryma!

 

SHSHSHËËËT…(mos…), BOTA PO FLE…!

O miku im,
ende zgjuar?
Të zbardhi jeta nëpër fletë…
Bota po fle,
për kë po shkruan
dhe cila ëndërr ty të pret…?

Zgjuar me ty
kur Bota fle
ka dhe të tjerë,
Ah, sa të tjerë…!
Mbi gjumë të botës
fshehin paratë
bankë më bankë, kuletë më kuletë…

O miku im, ende zgjuar?
Gridesh me veten e natën e çjerr…
Veç për një fjalë shpirti të dhembka,
veç për një rrokje që tepër të del,
i gris, i djeg letrat e tua
dhe lapsin shtërnguar mban nëpër dhëmbë
sikur një vidë në mengene…

Shshshëëët…, mik i dashur,
mos fol me vete,
se Bota fle, po fle, po fle…
Në fund të fundit
ç’i duhet botës
një zgjim pa ëndrra,
një zgjim pa shpresë…?

Shshshëëët, mik i dashur…!
Fli edhe ti
pa ëndrra në letra
me botën e mjerë…
Veç kokës me grushta
Mos i bjer…!

Iliriana Sulkuqi- Sot e përgjithmonë
29 qershor, 2018, Brooklyn, NY

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s