E SHTUNA POETIKE – Petraq Kolovica / Përgatiti materialin Roland Lushi

Petraq Kolovica

Tashmë prej javësh rubrika “E SHTUNA POETIKE” duket si diçka e zakonshme, por që mua ma bën më të vështirë përzgjedhjen dhe sjelljen pranë miqve të poezisë së bukur e të vërtetë.
Këtë javë mendova të sjell për ju miqtë e mi, një inxhinier e arkitekt, një përkthyes të njohur e një poet të dashur: PETRAQ KOLEVICA
Petraq Kolevica, lindi në Korçë më 11.01.1934, kreu shkollën fillore dhe gjimnazin në Korçë. Gjimnazi i Korçës ishte pasardhës i Liceut francez dhe disa nga profesorët e mëparshëm vazhdonin të jepnin mësim atje. Ndër të tjera ishin këta mësues që ngjallën tek Petraqi interesin dhe dashurinë për artin e sidomos poezinë. Në ate kohë pati kontakt dhe me piktorët Vangjush Mio e Vangjush Tushi që ndikuan shumë në formimin e tij. Studimet për inxhinieri ndërtimi i kreu në periudhën 1952-1957 në Universitetin politeknik të Tiranës.
Punoi shumë vite si inxhinier dhe arkitekt. Gjatë gjithë veprimtarisë si arkitekt ai u mundua të projektonte ndërtesa moderne dhe funksionale. U kritikua shumë herë për ndikime të huaja nga partiakët e asaj kohe. Mbas një fjalëkëmbimi me Enver Hoxhën në ekspozitën “Shqipëria Sot“ u dërgua për të punuar si teknik ndërtimi në Valias. Që nga ajo kohë pothuajse nuk punoi më si arkitekt. Jetën e tij si inxhinier dhe arkitekt e ka përmbledhur në librin “Arkitektura dhe diktatura“.
Që në rininë e hershme interesohej për poezinë. Në vitet 60-te botoi përkthimin e poemës “Demoni“ të Lermontovit, që u prit shumë mirë nga lexuesi i atëhershëm.
Në vitin 1986, botoi librin me përkthime nga gjermanishtja “Poezi gjermane dhe austriake“
Është i vetmi që ka përkthyer poezi klasike japoneze, ndonëse jo nga origjinali.
Në kohën e demokratizimit të Shqiperisë, kontribuoi si deputet në parlamentin e parë pluralist të Shqiperisë dhe si pjestar i këshillit bozues të gazetës “Rilindja Demokratike“. Në vitet e mëvonshme, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, ai u tërhoq nga politika aktive por ka shfaqur shpesh mendimin e tij në gazeta të ndryshme. Në vitin 1992 u botua vëllimi i parë me poezi “Këngë nga koha e keqe”. Poezi të shkruara më parë prej tij por të pabotuara deri atëhere, kuptohet për arsye të përmbajtjes.
Më vonë botoi dhe vëllime të tjera me poezi. Së fundi në 2013 përmblodhi poezitë e tij origjinale në dy vëllimet “Të korrat e vona”.
Të rëndësishme në krijimtarinë e tij janë edhe librat për Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, të cilët i pati njohur personalisht dhe i lidhte një miqësi e ngushtë.

 

ECI RRUGËS ÇALË – ÇALË

Eci rrugës çalë – çalë,
Nën sqetull – çantën me poezi,
Kërkoj dikë të flas një fjalë,
Kërkoj, si Diogjeni, një njeri.

S’e gjej e kthehem çalë – çalë
Të hy në qypin tim – shtëpi,
Atje do mund të flas një fjalë
Me ty e ëmbla poezi.

 

LOTËT

Po edhe në sjell këto vargje që pata
S’i sjell për fitime në tregun e zi
(Në treg të gënjeshtrës, që sot bën kërdi)
S’më duhen lëvdata, as pare të thata,
Për vargjet që thurra me lotët e mi.

 

NOCTURNE

Tani, kur tërë bota fle,
O shpirti im, përse rri zgjuar?
Ç’të ngre kështu në shtrat sa bie.
Sikur me gjëmba është shtruar?

Më dhëmbin plagët, plagët, bre!
Që ditëpërditë janë shtuar,
Për këtë popull që po fle
Kështu, verbuar e shurdhuar.

 

TI

Në këto dit’ e këto netë,
Kur po kaloj nëpër tërmete,
Kur m’iu vu shkelmi gjith një jetë,
E vetmja Ti përkrah m’u gjete,
E dashur që, e dashur mbete,
Gëlltite lotët në vetvete,
Më hodhe krahun … U mbështete …
Atëherë ndjeva me gëzim,
Se jeta prapë kish kuptim.

 

SYTË

Një ditë ndoshta s’do t’ të shoh
Mund ti humb sytë që të dy
Po, brënda meje, domosdo
Do të të shoh përherë ty
Ti mos ma shih një lot në sy.

 

MERRMA DORËN

O, merrma dorën dhe shtrëngoma,
Ta ndiej më fort që të kam pranë.
Si n’ato vite që më s’janë,
Kur çelën lulet që u thanë.
Po, ne, në shpirt, na mbet aroma.

 

DALLËNDYSHJA

Fluturo, dallëndyshe,
Fluturo!
Shumë shoqe të shkuan më parë,
Shko dhe ti me ato,
Mos qëndro
Përmbi lisin e tharë.
Lisi, që mbi supe të mban,
Tek ti sheh ato hire,
Fshan
Dhe i kërrusur qan
Me lot të rëndë rëshirë.
Shko, pra, dallëndyshe,
Fluturo
Tok me shoqet, që shkuan më parë.
Lere lisin e tharë
Atje,
Me gjoks e me zemër të carë.
Dhe në takofsh ndonjë re,
Lutju,
Lutju t’i hedhë një rrufe
Edhe t’i verë zjarre!

 

VULA E DASHURISË

U puth, u përqafua,
Me nënën, me babanë.
U ndanë …
Tek dilte,
Portën puthi mënjanë.
Me burrin përkrahu
Ikën larg Shqipërisë.
Ikën, ikën ata.
Mirupafshim mama!
Dy buzë të kuqe la
Te porta e shtëpisë
Vulën e dashurisë.

 

DËBORË

I huaj në vend të huaj,
As vetë s ‘di pse vuaj
Në mendje çfarë s’bluaj!

Dëborë bjë, dëborë bje,
Si në qytetin tim,
Po s’di përse në shpirt më shtje
Kaq tepër dëshpërim.

Dëborë bje dhe era ngreh
Shtëllunga fluturim.
E shoh me nge si dikur, dje,
Dhe ndjej kaq mallëngjim.

Dëborë bje dhe gjithçka fle
Si n’ëndërr pa mbarim,
Po zemra rreh si ergjele
Që rend e s’gjen shpëtim.

 

BREZI NË IKJE

Dhe brezi ynë po shuhet ngadalë…
Po ikim të heshtur e të pafjalë.
Po ikim me mallin për të punuar,
për gjithë sa lamë të pambaruar.
Ah, brezi ynë, brez i munduar.

 

SHËN MARIA

E shoh kudo, ku ka semaforë:
Një grua e gjorë
Me leckën nv dorë,
Foshnjen në krahë
Përmes makinave shkon,
Vrapon,
Nget.
Xhama pastron,
Shikon, s’flet,
Pret t’i japin gjësend.
Po drita e blertë ndriçon
Dhe lumë veturash vërshon.
Ajo qëndron në vend,
Një monument i përkorë:
Grua me lecka në dorë,
Me foshnje në krah.
Grua pa burrë,
Foshnje pa baba.
Ku fle?
Ku ha?
Ku rri?
Shën Mari
Me foshnje në gji,
Mes katër udhësh,
Në Shqipëri …

 

DËBIMI

E dëbova qenin e mërdhirë
Që rrinte shtrirë
Te porta ime.
Ngadalë, ngadalë,
I dobët,
çalë, çalë, të ikte u çua.
Të mund të fliste ndonjë fjalë
Ç’do të më thoshte mua?
Hyra në shtëpi.
U ula të rri,
Po s’mundja që s’mundja ta harroja.
Ç’bëra! Ç’bëra! – thoja.
Dhe dola përsëri
Ta ndaloja, ta ledhatoja,
Po ai kishte kaluar udhës permatane.
Makinat shkonin me furi
Ta shihja më s’më Ianë …
Bobo, – thashë,- bobo!
Kështu i dëbojnë kudo,
Në çdo anë,
Kështu i dëbojnë dhe njerzit tanë …

 

Përgatiti materialin: Roland Lushi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s