Cikël poetik nga Agim Desku

Cikël poetik nga Agim Desku
 
 
ZOTI IM
 
Mos më bën ta urrej veten
Kur krijove Evën
Unë mbeta kujtim i fjalës se shejtë.
Me atdheun kurrë nuk u takuam të lirë
Vetëm si heronj apo humbës të lirisë.
 
Jemi marr vesh me ty Zoti im të flasim shqip.
Edhe atëhërë kur s´mund ta zë
Titanikun.
 
Gjuhën time e vras vetë
Nëse më bëhet fytyrë djalli.
 
Luleve iu janë rikthyer tradhtitë
Mbrëmjet u shndërruan serish në fantazma.
 
Cili luftëtar do të jetoj nëse ia vjedhin lavdinë
Me cilën peshë e matim drejtësinë e popullit tim.
 
Më ëndrrën për lirinë e bashkimit jetoj dhe vdes
Çdo ditë dhe vit bëhem barrë e çmendorisë se yjeve
Kur atdhuen ma matin me shpatën e Apokalipsit.
 
Kurrë nuk më lanë të protestoj para zemrës sime
Më mallkuan takimet e dehura kur festonim për lirinë
Për mue paskan porosit ashtin e trollit të lashtë sa vetë Zoti.
 
Zoti im rikthehu të ngritim dollinë e lirisë
Sebashku me luftëtarët e atdheut të pijmë .
 
A nuk mjaftoj që jetuam pesqind vite pa ty
Të sharë dhe në dyshë të ndarë pafajësisht.
 
 
 
UNË E SOLLA ZOTIN
 
Unë dikur kisha Zot
Nuk e di se si më kishte humbur
Pasi më dëgjoj mirë lutjet e mija
Vendosi të shndërrohet i tëri në Një Shqipëri.
 
E rikthyen nëntë palgët e Gjergj Elez Alisë
Kur në të njëjtën kohë u bë rikthimi i Gjergj Kastriotit
Besoni a mos besoni në çfarë kohe po jetojmë
Asnjëherë nuk e kalova Evropën me pasaportën time.
 
Shejtëritë me të cilat u krenova për burrërinë time
Po vdesin të gjalla pa pasur ndonjë varr kujtimi
Dhe u ngrita edhe unë bashkë me Zahir Pajazitin
Nuk e lamë të vdes Marie Shllaku që mbrojti Shqipninë.
 
Ja Zotin tim ia riktheva Shqipërisë sime pa asnjë kusht
Mollën e Adamit asnjëri nuk e kafshuam që të mbetemi mëkatar
Flisni nëse nuk e dëshironi jetën mbretërore aq sa yjet qëndrojnë lartë
Unë ju betohem në njeriun kur dëgjon hymnin që thurëm për tokën.
 
 
 
E ZËNË
 
Ç´m´u zu pick fjala
Ajo me të cilën udhëtonim bashkë
Një jetë pa asnjë betejë të humbur.
As edhe një fytyrë të skuqur për Zotin.
 
Kam mendue se dielli ngroh drejt
Fytyra ime le të mbetet flakë e diellit
Tradhtarët me cilat fytyra dallojnë nga ne
Promethetë janë kthyer udhëkryqeve të Shqipërisë.
 
Jam zënë ngusht me emrin e një miku tim
Nuk është traditë e shqipeve,as gjysh e stërgjyshi
Që në njërën gotë lutet e me tjetrën ferr ma bën jetën
Besën e kanë lidh me jashtokësorë dhe Apokalipsa.
 
Dhe bota tanimë ka marr një epidemi çmendore
Besojnë se lindjet nëpër eproveta ia shtojnë jetën vetes
Kjo farë e ndyrë na ka ardhë maje koke dhe hunde
Çmendorisht na bëjnë të pa aftë të llojt njeri.
 
Përse zotnat kanë humbur fuqinë para një shekulli majmunësh
Zërat e zanave mbetin e vetmja fuqi që bashkë e gjëjëm emrin tim
Jami me fat që i shpetuam pesëqind shekuj të Gjergjit
Sot i ruaj si relikt të fjalës sime edhe po vdiqa njëqind herë në ditë.
 
 
 
Ç´T´U BËRA MUZË
 
Fitoren e Pirros nuk e kemi takue as në betejat për jetë a vdekje.
-Njëqind herë për të njëjtën dashuri jetoj.
Jeto për sa kohë dielli na ngroh njëjtë
Kur fjalën ia lash peng kujtimit që s´kthehet ma
Njëqind herë për të njëjtën dashuri jetoj
Atdheut i vëj pikë para se ta ngriti në gotën e dehur.
Kanë nisur perandorët t´i festojnë fitoret e Pirros
Vrasësit dy gurë bashkë nuk i lanë mbi tokë
A jemi edhe ne të mallkuar për mbytjen e Titanikut
Apo duhet prit kur kohët e demonëve të ikin nga faqja e dheut.
Për aq herë sa përqafova zotnat që më falën emrin e tokës
Unë mbeta i vetmi kalorës i rojeve të zërit të zanave
Kur në secilin gjeth trëndafili po e shkruaj nga një fjalë të lirisë
Nuk më mërzitin asënjeherë Ufot që bashkëjetojnë me lirinë e njerit nga ne.
Në një gjysmë gotë të krisur
Herë vjedhur t´i kam sytë Eva
Nepër ëndrra jetën e bëra ferr
Nëse takimi me ty betejat m´i bën fitore.
 
 
 
KROI I DASHURISË
(Kroi i Brainës)
 
Këtu vitet djaloshare vjedhnin buzëqeshjet e sybukurave
Për betejat e dashurisë shtyheshin kush i zë më parë ato takime
Vdekjet kurrë nuk kanë ekzistuar kaq shumë sikur sot
Me ujët e bekuar lante sytë edhe mbretëresha e jonë Ularica.
 
Sa herë kemi vrapue për ta ndalue kohën para shkatërrimit atomik
Kemi sharë ëndrrat e një mijë e një nëtëve të mëkatit të njeriut
Pafuqinë time për t῾u ngritur në dashuri atdheu nuk e ndaluam ne
As kujtimet për faculetat ku shkruhej për dashurinë e vrarë.
 
Nuk kam takuar as parë kurrë dashuri të marrë
Nëse zemrat ruhen nën thellësitë titanikiane
Ku toka dridhet nga vullkanet e Etnas
Dhe rrëfehem para gjykatësve të Apokalipsit.
 
Kam me jetue tërë jetën më mëkatin tim të fjalës
Përse edhe unë piva në një gotë me jshtë toksorët
Ëndrrat prapë ndoshta rikthehen për t῾i zënë betejat
Ndoshta dikur liria i ka lënë në gjysmë pa asnjë fitore.
 
.
 
GJUHA E GJARPËRINJVE
(Plisit që mbijetoi ferrin e demonëve)
 
Rikthejnë prapë në kohën time demonë e perandorë
Për të ma rrëmbye fjalën e lirë që shtrejtë e pagova
Në mua i mendojnë zjarrët që fiken para janarëve vrastarë
Rrugët pak sa janë ende me flakë lufte,nuk di a ia dalin.
 
Nuk i fajësoi pse gjejnë dritare të hapura të kopshtit të lirisë
Ca fytyra njerëzish kanë gjetur veten aty si demonët e tradhtisë
Hynë m῾u në shpirtin e luftëtarëve të atdheut këta mjeranë
Ku grimcat e lirisë kanë nisur t῾i bëjnë hi e pluhur.
 
Njëqind herë në ditë bëjnë lutje për vdekjen e atdheut
Në dhemb krokodilësh më mbajnë si në shpatën e Satanit
Ende nuk e di përse buzëqeshin si lakuriqët e natës
Nepër oda burrash mendojnë se askush nuk i njeh këta ,, Promethe’’.
 
A ka farë më të keqe se ky lloj i njerëzimit të ndyrë
Kur mikun e pret në besë dhe fjalët ia vranë sikur të ishte djall
Dhe kokat e shumëta ecin pas tyre si delet pas ugiçit prijëstar
Kjo e keqe i ka kthye njerëzit në gjarpërinj helmues e përfitues.
 
Çfarë është me e zeza nga të zezat e mjera të botës
Kanë vjedhur nga shqipet plisin që ferrët i mbijetuam
Kokat e demonëve po i stolisin me flamurin e kryqëzimit të shejtë
Zoti im më zgjo nëse koha ime është bërë ëndërr e vërtetë.
 
Pse nga oda e shqipeve nuk shikoni, a mbanë dikush plisin e atdheut
Njerit nga ju mbi kokë i rri gjuha dhe fytyra e Anakondës njeri
Tjetri me ç῾zë perandorësh rikthehet e çjerrët si mik shkuar miku
Kënga e tij më shumë i ngjanë armikut se sa një burr kreshniku.
 
Njeri nga ne duhet të vdes përpara se plisi im të shëmtohet
Nga ca koka të çelbura që pasardhësit e tyre nuk do lindin më njeri
Vendin e tyre e zënë Anakonda e llojët e fisit të tij gjarpërinj
Të përulëm plisi im me ty në zjarr nëse e mbaj emrin shqiptar.
 
 
 
Ç῾GJUHË FLAS
 
Eci andej kah fryenin erërat e lirisë
Ndaloj ku gjuhën e kam bekim perëndish
Fjalosem me veten nëse fjala më humbë parasysh.
 
Ç῾gjuhë më kanë lënë relikt zanat
Kur gjysh e stërgjysh luftonin perandoritë
Mua më lanë t῾i përfundoj betejat me demonët.
 
Sa më fat jam që linda në kohën e Prometheut
Deri sa jetën e krijova në lirinë time të pa liri.
 
Jetoj i lirë vetëm atëherë kur flas gjuhën e shqipeve
Deri në ozon krijova dikur dashurinë për atdheun e vrarë.
 
Nuk më falët asnjëherë po mbeta fjala e pathënë
Të heshtë përballë ferrit që na krijohet çdo çast të jetës
Kur shoh fytyra e qeshura demonësh që prapë janë rikthye.
 
Djall u bëfsha nëse Lahutën e Fishtës e kam harrue
Në një mijë ëndrra flej edhe metropoleve evropiane
Në gjuhën time në secilën kohë kam me ligjërue.
 
 
 
GJUHA E MËKATIT
 
Vjen si skllave
dhe më robëron .
 
Në fatin tim të lirë
Më hyn mes thonjësh
kur groposi varrin e luftëtarit.
 
Për ta shpëtue atdheun
nga ferri i demonëve
U ngrita në çmendorinë
e panteonëve kryeneq.
 
O Zot ndalu pak në pafajësinë time
Ose më nxjerr nga fundi i Titanikut
Kur u hodha bashkë me ty
Për t῾i puthë dashuritë e detit.
 
Dhe purgatorët tani më kanë pushtue ëndrrën.
 
Nuk di nëse gjuha e mëkatit tim është fjala
Për të cilën i bëra njëqind luftëra me shekujt.
 
Tani nuk kuptoi përse ma vranë të vërtetën
Pse shejtërisë sime askush më nuk i besoi .
 
Ah,sikur të isha vetë djalli
Do më kishin thurë hymne
lirie.
 
Po e kuptoi gjuhën e mëkatit tim
dhe të fjalës që vdiqa për të.
 
Fajin e kanë gjysh e stërgjysh
që na kanë fal e rritë me besën.
 
Miqësinë nuk e gjën çdo çast të jetës kur ti e do.
 
Është sikur Hëna kur të buzëqesh
dhe ikën nga furtunat e shiut.
 
 
 
MËKATET E FATIT
 
Nuk jemi në të njëjtën jetë duke e jetue
Nëse njeri nga ne nuk lind dhe vdes për fjalën.
 
As atëherë kur s῾ke fuqi shpirti
Të përballosh ferrin e jetës.
 
Cilët nga mëkatet i mora në jetë
Gjatë udhëkryqeve të saj.
 
Fjalën që vdiqa për të
Apo jetës që i qëndrova besnik
Ashtu si gjuhës se Zotit.
 
Të shumtë janë njerëzit që më falën mëkat
Në vend të fjalës me aromë trëndafilash.
 
Mbi fuqinë time që i desha më shumë se veten
Ngritën bunkerë regjimësh të nazizmit
Këta janë demonët që sot nuk zgjedhin mjete
Të arrijnë puthadorash mbi majet e Olimpit të mëkatit.
 
E di që fatin tim më duhet ta ndaj nën qiellin e njëjtë
Por toka kah shkelin këta bajlozë deti i vie rëndë
Dhe shtatë pashë poshtë dhe shtatë pash lartë
Ngrihet pluhuri i topuzit të Gjergj Elez Alisë.
 
 
 
ME PLISIN ECIN SHQIPET
 
Deri në frymën e fundit të jetës
Ecni shqipe me plisin mbi sy
Ballin ngritne deri në Ozon
Mbi fytyrën time pa tradhti.
 
Këtë plis sa herë ma shihni në kokë
Më besoni vetëm atëherë flas me shqipet
Betejat për jetë a vdekje e di ku i kam
Nuk kam frikë më nga asnjë demon.
 
As kur perandorët ma vranë e ma shanë plisin
Kurrë nuk e pranova të jem një palaço për fisin
Eca Purgatorit dhe përjetova mbi pesë shekuj ferri
Me jetën të peshova aq sa për ty vdekjen e përjetova.
 
Nëse besoni në plisin tim që vetëm shqipet e mbajnë
Sa hije u ka luftëtarëve kur nisën betejave të lirisë
Ikin pa u gdhirë në kujtim të shpatës se Gjergjit
Me mallin dhe lotin për të bukurën e detit dhe tokës.
 
Por këtë plis është mëkat ta bartin kokat që nuk e vrasin tradhtinë
Ato fytyra që jetën e jetojnë në njëmijë mënyra bastardiane
Dhe të puthi o plis nëse nuk të shoh kurrë të asnjë pis
Më mirë bëhu një lis ku të qajmë pse nuk të mbajmë orë e çast.
 
Tani dhe çdo ditë nuk di ku të mbajë më mirë se në emër
Mbështjellur me flamurin kuq e zi sa mirë më rrini në zemër
Shqipërinë nuk e mendoj ma pa plisin e Fishtës dhe gjuhën e Naimit
Në kullat tona secila natë është Nata e zjarrëve e plisit të bac Ademit.
 
 
HERONJTË
 
Liria nuk erdhi sot
Edhe para Adamit dhe Eves
Ishim robër të dashurive.
 
Të vetmit janë gjyshërit e mij
Donzhuanët e lirisë
Që vranë dhe zhdukën ferrin.
 
Heronjtë e lirisë flejnë me tokën
Në zemër ju shkëlqen drita e Diellit.
 
Nuk ka vdekje që i mund
Heronjtë e lirisë
S῾kanë errësirë as dhembje
Janë më të bukur se trëndafilat.
 
Në shpirtin tim falën liri
Ty të dhuruan ardhmëri.
 
Jetojnë me dritën e diellit
Nuk dinë për tradhtinë.
 
 
 
RIKTHIMI I TROJËS
 
Në një vend ndaluan orët e liga
Në pafajësinë time vritët jeta
Askush nuk shpëton nga vdekjet e çmendura
Kur udhëkryqt më moren peng lufte.
 
Shekujt m῾i ndërruan vetëm padronët
Çdo njëqind vjet pësova varje
Rrugës Via Egnatia vizatohej kafka ime
Vetëm sytë më shpëtuan nga vërbimi.
 
Sa u mësova se si të ruhet Troja
Me këngët e atdheut jetova sot për nesër
Emrin vetëm pse e kisha pellazg
Më afruan Purgatorin e Dantës si shpërblim.
 
Dhe toka nuk ikën se më takon mua
Në të njëjtën ditë lindëm bashkë me Adamin
Thuaj se vetëm ti je Eva dhe askush tjetër
Dashuritë donzhuane i harruam për betejën e Trojës.
 
Më thuaj kur do të çlirohemi nga ëndrrat perandorike
Lufta për tokën dhe pafajësitë titanikiane nuk përfundojnë kurrë
Askush nuk di të dashuroj po nuk mbetët hero lufte
Edhe njëherë do të qaj për betejat e rikthimit të Trojës sime.
 
 
 
NË ZHDUKJE
 
Çdo ditë
Dhe sa vite bëhën
Kohërat vdesin
A zhdukën.
 
Krejtë njëjtë
E shikojnë botën.
 
Promethetë rrallohen
Në vend të njerëzve
Lindin djajë.
 
 
 
VRASËSIT E PENGUT
 
Më kapën në udhëkryq kur ju fala diellit
Fjalën e dhënë ma mbushen dhembje
Me plagët e mija i kënduan jetës se krisur
Zëra të çmendur shetitin mbi ëndrrat që s῾kthehen më.
 
Edhe atdhe dhe fe vranë e shanë
Vetëm të fitonin dashuritë e marra
Cili është ky vrasës i pengut të fjalës
Gjuha e Zotit nuk di për fytyrat e tradhtisë.
Nuk vdes nga vrasja e djajëve dhe miqve të tyre
As nga ferri që demonët e shkruajnë në ditar
E di më shumë se asnjë tjetër jam unë në radhë
Si t῾i falim o Zot këta hordhi fytyrash që ngjajnë në karpatianë.
 
Fikni dritat e e ditës sa herë të luftoni djajtë
Në ëndrra nuk ju rri liria asnjë çast të jetës
E vërteta një ditë dhemb dhe shëmb fytyrat demoniane
Besoni këngës se Doruntinës kur jetoi me sy luftëtari.
 
Sot nuk dua ta shëmb Kalanë e tradhtisë
Lë të mbrëtëroi bota rreth fjalëve si zjarri yt
Vetëm unë t῾i di këngët tua kur këndoni me zë korbash
Sa jetë hidhërake qenka kur të dyve na tretë bota e vdekur.i
 
 
 
QAJ
 
Qaj pak nga pak pse po mbetëm i huaj
Në tokën time ku zotnat fal më kanë pak atdhe
Gjethet e trëndafilave po treten çdo ditë e më shumë
Shoh se si fshehin aromën dhe buzëqeshjen edhe nga unë.
 
Më çuditin yjet kur si rrufeja zbritën një ditë në tokë
Sebashku me shiun krijuan kurora lulesh për liri
Sa më afër tokës më varfërohet fuqia e Prometheut
Qajë pse ështrat e luftëtarëve nuk u bënë relikti i atdheut.
 
E ndjej fajësinë pse nuk ëndrrova jetën si kalorës venedikian
Më mirë mbeta ta marr dorë për dore atdheun e lirë prekazian.
Të nisëm diku ku asnjë ferr më s῾do ma prangos lirinë e tij
Kaq e shejtë është lidhja ime me tokën e gjyshërve të mij.
 
Nuk dua të qajë asnjëherë me lotët e dashurive që s῾kanë fund
Të gjitha i ruaj në thellësitë titanikiane ku heshtja dhe vdekja janë një
Në një det që ka të ngjarë ende ruhen të bukurat more
Jeto pra nëse të jetohet pa atdhe dhe me dashurinë e vrarë të tij.
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s