HARAÇ I HIDHUR / Tregim nga Panajot BOLI

HARAÇ I HIDHUR

 

Tregim nga  Panajot  BOLI

Pashai u shtriq edhe njëherë duke gogësitur. Donte të flinte dhe pak akoma, por gjumi i kishte ikur. Kishte gjithë ato ditë qe i dilte herët. Kërkonte atë ‘’diçka’’ që s’e linte të flinte rehat, por nuk e gjente. Sa kishte shkelur në këtë vend për çudi , gjumi i ishte prishur. E bënte copa-copa dhe i dilte herët. Dhe sa e deshironte atë gjumë të mengjesit! Tani këtu shpesh shihte edhe endrra të liga. Ky vend është i çuditshëm, kjo tokë është e mallkuar,-pëshpëriste kushedi për të satën herë. Kjo i ishte fiksuar në tru. Kishin të drejtë kolegët e tij. Padashur i ngriheshin nervat, dora i shtrëngohej dhe një lëmsh mllefi e zinte në grykë. ’’ Me mua s’do të bëjnë shaka, do t’i shtrydh, do t’i pjek të gjallë.’’ Instiktivisht dora e djathtë i ngrihej pak deri në brez e shtrënguar duke kërcitur edhe dhëmbët, sikur i kishte përpara. ‘’Dua të fle edhe pak’’,- tha më nervozizëm dhe u kthye në krahun tjetër duke mbyllur me zor sytë. Por gjumi as qe i qasej për qamet. Trupin e ndjente të dërmuar dhe dyshoi për të ftohtë. Edhe kockat i therrnin. Edhe thëllimi, edhe lagështia këtu janë të hidhur, mendoi. ‘’Ç’dreqin kam keshtu? Në vend qe të gëzohem , në vend qe të fle rehat, se këta pisa arnautë i vura poshtë, i sakatova, ndjej ankth? Pres tani përgëzimet e Stambollit dhe zilinë e kolegëve qe e kishin pësuar keq në këtë vend. Vërtet do të më kenë zili. Dhe unë… Dyshime të kota. Fitorja është e imja. Dhuratat dhe lavdia më takojnë vetem mua…vetem mua’’. U shtriq edhe njëherë duke tendosur fort këmbët. Në çadrën e tij po hynte agu i mengjesit dhe mugëtira po rrallohej pak nga pak. Ai u kollit. Roja futi kokën dhe pyeti: -Doni gjë Pashai im? Ai u ngrit dhe roja e ndihmoi të vishej. Edhe rojës i bëri përshtypja zgjimi i tij kaq herët. ’’Diçka e mundon. S’ka si ndodh ndryshe’’ -mendoi. Roja tjetër kur e pa te dera , u step për një çast. Ngeli si statujë , pastaj u përmend dhe me një përkulje të thellë e përshendeti. Pashai hodhi veshtrimin nga kampi. Ishte i heshtur dhe bënte gjumin vjeshtak. Vetëm rojet lëviznin poshtë e lart të mpirë nga thëllimi i natës. I ftohti i mengjesit i rrahu fytyrën dhe një rrënqenthje i kaloi në trup. Tutje male, në horizont përmasa gjigante e maleve të tjerë. Vijat e tyre të lakuara, diku zigzake, e futnin në meditime.. .Male… Përseri male…’’Këto male janë si koka gjigante qensh. Sikur duan të më shqyejnë. Çudi. Kështu më ngjajnë. Të ftohta si gojë ujqërish, të frikshëm, të llahtarëshme. Ç’dreqin malesh janë këta. S’kam parë male të tilla si gogola. Po unë do të behem më gogol se ata. Do t’i shkel, edhe ato, do t’i shtyp edhe ato ’’ Vendi ishte mbuluar nga një bimësi e shkurtër dhe e dendur. Në dimër bën shumë ftohtë në këtë vend- i kishin thënë, Në këtë luginë era të vë përpara. E ftohta është e hidhur dhe të depërton deri në kockë. Nga kjo pikë dominuese për terë zonën malore , shumë e egër i dukej atij. Humbi shikimin në luginën e cila sa vinte e ngushtohej në thëllësi e këtu atje dukeshin kullat misterioze të këtyre arnauteve të çuditshëm. Përreth male me shkembinj të thepisur e gjysëm të thata. Në këtë përhumbje , vuri re një zog të stërmadh të fluturoj krejt papritur në qiell. Ai drejtohej nga lindja drejt malit përballë qe binte thikë nga pjerësia. E ndoqi me sy për disa çaste. Pastaj iu kujtua se këta, s’donte t’ua premendte emrin, e kishin për simbol, për zogun më të dashur të tyre. I thonë shqiponjë dhe gjoja mundohen t’u ngjajnë atyre. Gjepura. Ç’pret nga njerëz primitivë e të egër. Jo më kot e kish ngritur kampin në hundën e tyre. Solli në mend atë javën e parë qe luftoi në këtë grykë. Çuditej si rezistonin ai grusht malësorësh me një kokëshkrëtësi e tërbim të paparë. Kjo i ngrinte nervat dhe donte të rendëte me kalin e tij me atë inatin e papërmbajtur, të futej mes tyre dhe t’u shtypte kokat me thundrat e kalit të tij. Kishte marrë forca të shumta nga Qendra. Parardhësi i tij ishte kthyer me turp dhe Porta e alarmuar nga këta rrebela kish dërguar atë si më të zotin. Gjëja e parë që bëri sa arriti, u dërgoi një kasnec që të dorëzonin armët. Kërciti dhëmbët si kalë kur dëgjoi përgjigjen: ’’Pa i provuar edhe mbi kokën tënde, o Pasha, ne nuk i dorëzojmë’’. Pastaj pështyu dhe shau si me hungërrimë: -Pis milet! Kacafytja ishte e ëgër. Ajo grykë për një javë i hëngri shumë ushtarë. Kishte urdhëruar që asnjë ushtar nuk do të bënte prapa i gjallë. Dhe ia arriti t’i mund…. I hynë përsëri të rrënqethura në trup. U kujtua se po të vazhdonte të rrinte ashtu, do të ftohej , ndaj u kthye prapë në çadër. Hanëmja e tij akoma flinte. Gjithë ato ditë as i kishte hedhur sytë. I ishte merzitur. ’’Dua një arnautkë. Më pëlqejnë se hiqen të egra. Dua natën tjetër te fle me një nga ato.’’ Por gëzimi iu fanit shpejt. I erdhen ndërmend disa histori që tregonin se këto arnautka ishin dinake dhe të pabesa. Kanë mbytur dhe kanë vrarë në gjumë oficerë qe kanë dashur të kalojnë natën me to. Ngeli disa çaste në mëdyshje. Ngjyrat e bukura të qilimave persiane sikur ia zbutën atë vrazhdësi të shpirtit të tij. Çadra për një moment iu duk si mikropallat. U shtri mbi krevat dhe u mundua të mbyll sytë. Por, pa dashjen e tij, iu shfaq ngjarja e djeshme të cilën mundohej ta largonte nga truri. Mësoi se rrebelat mbanin edhe një vegël me tela që e quanin lahutë. E kishin të shtrenjtë si armët. Kishin ngritur këngë edhe për të. Talleshin me të kur u kishte kërkuar të dorëzonin armët. Veten e quanin të pamposhtur si Gjergj Elez Alia. Ç’ishte ky emër.? Ia treguan. U tërbua kur i thanë tekstin e këngës. ’’Do të më gjeni kush i ngre këto këngë dhe do t’ma sillni gjallë a vdekur këtu’’- kish urdhëruar. Pasditen e djeshme përballë tij qëndronte një plak i shkurtër dhe i imët. Faqet i ishin rrudhosur. Kish ca mustaqe të bardha si dëbora, të gjata deri te veshet, ca sy të vegjel që i lëviznin plot gjallëri. Vetëm vetullat i kish të zeza. Pantallonat prej shajaku vende-vende ishin ngrenë dhe ishin arnuar. Ky plak nuk i mbushi mendjen për rapsod. Mbante në dorën e tij të thatë një lahutë. Kështu i thoshin. Vuri re se në të ishte gdhendur një zog, atë që kishte parë edhe sot, shqiponjën, ’’Çudi. Shqiponja e gdhendur kishte dy kokë. Të çuditshëm këta arnautët.’’ – kishte menduar Pashai. E pyeti për emrin. -Hajri Lahuta –tha plaku nëpër dhembë. – Çfarë këndon ti , more plak matuf?- iu drejtua Pashai dhe i ra me shkelm lahutës që mbante plaku. Lahuta i iku nga dora dhe u rrokullis tutje duke nxjerrë një tingull vajtues. Plaku çakërriti sytë. Pashai pa në to një dritë të egër. Plaku me mundim u përkul e mori me kujdes sikur ngrinte një djalë të vogël dhe me të dy duart e shtrëngoi në gjoks. Ngriti sytë e pa me urrejtje ushtarakët që e shikonin duke u zgërdhirë. – Çfarë kënge këndon ti, pis arnaut? –thirri përsëri Pashai tashmë duke mos e fshehur nervozizmin. Bacë Hajriu nuk iu përgjigj menjëherë. E pa një herë ngultas dhe u përgjigj prerë: -Ato që më do shpirti. – Pa hë, na këndo ndonjë… Plaku kaq donte. Mori lahutën, e pa me dashuri dhe…’’edhe kënga ime të vras, t’i tërboj’’ Këndoi për Mujin. Për trimin Gjergj Elez Alinë. Pastaj ia nisi atë që ia kushtoi vetë Pashait që rrinte ballë tij. U tërbua Pashai . Nuk e la ta mbaronte deri në fund. Kapi kamxhikun e rojës dhe ia vërviti me terë fuqinë në fytyrë. Një vijë gjaku fillojë të rrjedhë. Ato filluan të pikojnë mbi lahutë duke skuqur shqiponjën. Faqja i përvëlonte dhe sytë iu errën. Instiktivisht filloi t’i binte përsëri. Atëhere Pashai e kapi nga mustaqet dhe i tërhoqi fort. Dhimbja qe e madhe.. Sikur i shkulte zemrën, shpirtin. – Ti e bëre këtë këngë?- i ulëriti. Ia tërhoqi edhe njëherë mustaqet që tashmë ishin përgjakur.dhe pika rreshqisnin në gojë. Edhe dora e Pashait ndjeu pikat e gjakut dhe me neveri kërkoi t’ia fshinin. Plaku nuk duroi më. Hapi gojën dhe pështymën e përgjakur ia hodhi në surrat Pashait. Suita e ushtarakëve dhe rojet e Pashait që ndiqnin këtë skenë, ngelën të habitur dhe ngrinë. U përmendën, iu hodhën plakut përsipër, ndërsa Pashai u tërhoq për të fshirë pështymën e rapsodit. – Bëjeni copa-copa-tha ai duke ikur për në çadër. Lahuta u shkel me mani duke e bërë copa –copa dhe mbi trupin e plakut ranë thikat e para……….. ….Këto i vinin në mendje aty në krevat me vështrimin diku në një pikë të çadrës. Edhe kur piu kafen,edhe kur hëngri mëngjesin, ato vazhdonin ta torturonin pa u larguar nga mendja. Nga vargjet e këngëve filloi të fantazojë Mujin, Gjergjin, Bajlozin që u kërkonte nga një vashë për shtëpi. Pa dale, pa dale… Arnautët e kanë gjë të shenjtë nderin. U gjallërua papritur sikur gjeti zgjidhjen që kërkonte. U lumturua si Arkimedi. Levizi nëpër çadër i gëzuar si një fëmijë. ‘’Duhet t’i shkel rëndë në kallo, të mos ngrenë kokën kurrë. Dhe kalloja e tyre është nderi i vajzës dhe i gruas, i familjes. Doli te dera dhe dha porosi që pas një ore të mblidhet shtabi. Kur erdhën të gjithë, ai me qetësi parashtroi planin e tij për një haraç që duhet të ‘’paguanin’’ banorët e krahinës. Të gjithë e shikonin me kurreshtje Pashanë e tyre. Edhe ai i pa me radhë të gjithë me një nënqeshje: – E mbani mend këngën e arnautit plak kur përmendi Bajlozin? Heshti për pak i kënaqur që i vuri të vështrojnë njeri-tjetrin të habitur. Vazhdoi terë qejf: – Bajlozi u kërkonte një vashë për çdo familje, ne do t’u kërkojmë si kamp treqind vasha. Ky është haraçi që do të paguajën. Në fillim, ata u stepën, pastaj iu duk interesant propozimi i Pashait dhe filluan të diskutojnë të çliruar dhe të kënaqur.e pranuan. Urdhëri u përcoll anë e kënd krahinës. Nëse për 5 ditë nuk dorëzonin 300 robina në kamp, do të digjej e do të shkrumbohej tërë krahina e do t’i digjnin të gjallë me gra, fëmijë e pleq. Pasi dolën, Pashai fërkoi duart me kënaqësi: ’’Ja kështu bëhen punët,— mendoi,- edhe këta i shkel në kallo të mos ngrenë krye kurrë, edhe ushtrisë i ngre moralin , i shtyj frymën e shtazërisë. Ata këtë duan. Të shfryjnë epshet dhe të bëhen të papërmbajtur, të pamëshirshëm’’ Bacë Arifit i kishin thënë se e kërkonin në një kuvend ku do të vinin përfaqësues nga të gjitha fshatrat e krahinës. Ai kishte më shumë se 91 vite që mbante mbi supe, peshë qe ia kishte kërrusur pak ato. Por përsëri mbahej mirë.dhe nuk ankohej. Kur nipi i tij Sula, i kishte sjellë kalin, ai nuk pranoi. ’’Dua të vete me këmbët e mia.’’,- tha. Kërkoi shkopin e tij ku kish gdhendur një gjarpër. Në krye ku mbështetej ishte pikërisht koka e gjarpërit. Në kokë mbante lidhur një shami. Hunda i ishte lakuar si hunda e zhgabonjës, ndërsa sytë si të përhumbur, të mendueshëm. Ishte fjalëpak dhe hijerëndë. Fjala e tij kishte peshë dhe të gjithë e nderonin për urtësinë. Kur i thanë se Pashai u kishte kërkuar robina, ai u ngrit vetëtimthi, sytë iu egërsuan,sikur e pickoi koka e gjarpërit që mbante në shkopin e gdhendur. Ata që ishin afër e panë me habi. -Kurrë nuk do të ndodh kjo! Kaq tha duke u kërrusur me thellë. Djemtë dhe nipërit prisnin ndonjë fjalë tjetër. Ai nuk foli. Drodhi mustaqet ashtu në këmbë, duke i ngulur sytë prushit që digjej në vatër. Mori shkopin, dhe i heshtur filloi të zbres monopatit për në kuvend. Djemtë dhe nipërit që e shoqëronin, nuk guxuan të hapin gojën. E panë që një moment sytë iu gjallëruan. Këmbët iu shkathtësuan si të një djali të ri. E panë ndryshimin te plaku, por prapë s’guxuan ta pyesin përsëri. Në kuvend i hapën vend në krye. Dikush i zgjati qesen me duhan. Ai qetë-qetë mbushi çibukun. Pastaj goditi strallin me copën e çelikut që mbante në një qese prej basme,dhe eshkën e ndezur e ngjeshi në duhanin e çibukut. Disa shtengulla tymi u përhapen , ndërsa era e duhanit dhe e eshkës kundërmoi në gjithë odën. Pasoi një heshtje e rendë. Deda, trimi i dëgjuar që ishte edhe prijësi i zgjedhur prej tyre, pasi u hodhi një vështrim të gjithëve, u ndal te bacë Arifi. E pyeti për shëndetin, hallet dhe kërkoi këshillën e tij. Ai thithi çibukun dhe me qetësi tha: – Unë them t’i çojmë 300 vajzat që na kërkon Pashai. Të gjithë zgurdhulluan sytë. Deda nuk u përmbajt dhe u hodh përpjetë i nxehur: – Le të shkrumbohemi e të vdesim të gjithë! Ne nuk korritemi kurrë! Baca e shikoi shumë gjakftohtë pa i lëvizur asnjë muskul në fytyrë: -Haraçin do ta paguajmë. Ne do t’i çojmë 300 vajza, -vazhdoi ai,- por këto vajza do të jenë burra të veshura si nuse me revole e shpata. Ti, Dedë, organizo në fshehtësi , të ndarë në grupe, burrat e krahinës nga të gjitha anët e kampit. Kur do të nxjerrin shpatat nuset, kampi të sulmohet nga të gjitha drejtimet. Le të bëhet , çfarë të bëhet. Le të bëhet kasaphana. Shpirti njëherë ka për të dalë . Për këtë cipë rrojmë, — dhe tregoi faqen. Kaq foli Baca. Mori shkopin dhe filloi të çapitet monopatit për në kullën e tij. Pashait i thanë se erdhën dy përfaqësues të parisë dhe donin të bisedonin me të. – Sillin,i-u tha. Ata e përshëndetën dhe pa e zgjatur i thanë: – Pasha, të ndriftë shpirti, ki mëshirë për ne, për shtëpitë tona, për njerëzit tanë. Ndërro urdhërin. Ai ngriti kokën sikur donte t’i hante të gjallë. –Kush jini ju që do të thyeni urdhërin tim? Dhe u çua në këmbë. Përfaqësuesit e parive ulën kokat e folën të trembur: – Nesër dilni e pritni haraçin që na kërkuat, 300 robina. Pashai dyshoi për një moment. Pa sytë e tyre. Dukeshin të trembur. Njeri i lëvizi pak me djallëzi. ’’Mos kanë ndonjë hile?’’ Dyshimi u fashit kur ata të dy rrinin me kokën ulur, të penduar dhe të vrarë shpirtërisht. ‘’Jo, jo,- i dha kurajo vetës dhe largoi çdo hamendje—u shtiva tmerrin, u kalla datën,i sakatova në këtë grykë…Pastaj duken ata si rrinë të frikësuar’’. Lajmi u përhap shpejt në kamp: – E shikoni çfarë u punoj unë këtyre arnautëve leckamanë?, – u tha oficereve të tij, –Nesër mbrëma do të flini me arnautka,- dhe qeshi fort:— Ha, ha, ha. Në kamp kish gallëri jo të zakontë. Komandantët euforik e lëshuan pak perin e pijes dhe të këngës. Pati edhe shamatë e sherre që u desh shpesh ndërhyrja e tyre. Pashai u hoqi vërejtje oficereve dhe kërkoi dyfishimin e rojeve dhe tabori i Selimit të ishte në gadishmëri. Kur u gdhi dita tjetër dhe nuk ndodhi gjë, Pashait i iku edhe dyshimi i fundit. Pasdite, në të perënduar dielli u duk një karvan i gjatë me kuaj ku kishin hipur robinat mbuluar me duvak. Në krye dy njerezit e parisë që ishin dje te Pashai. Rojet i lejuan të kalojnë . Përpara vrapuan t’i presin Hajredin beu, Nevzat beu dhe disa komandantë të tjerë. Ushtarët çakërqejf u mblodhen me rëmujë rrotull, thoshnin fjalë të ndyra, hidhnin shishet e shtyheshin për të parë më mirë. Hajredin Beu me një nënqeshje ironike i thoshte Nevzat beut: – Janë ca me naze e të egra këto. Idi unë. Po ama janë pë/r t’i pirë në kupë. –Ha.ha,ha ,–qeshte Nevzat Beu. ‘’Nuset’’ po hynin në thellësi të kampit. Hajredin Beut nuk iu durua. Iu afrua një ‘’nuseje’’: -Pa dale të të shikoj surratin arnautkë e ëmbël,- tha dhe me një dorë u mundua t’i heq duvakun nga fytyra. Një brohoritje entusiazmi nga ushtarët që nuk mbaheshin. Por nuk arriti t’i shikoj surratin se një krismë e shtriu përtokë. Vetetimthi treqind nuset hoqen duvakët dhe u duken treqind kalorës të armatosur. Atëhere ndodhi një kacafytje e egër e panik. Nga të gjitha anët e kampit erdhen thirrje të fuqishme. Kampi u gjet në një kaos të vertetë. Vringellima shpatash, krisma, zjarre, thirrje, renkime. Rreth Pashait u mblodh si mburojë garda e tij e fortë. Ai rrinte si statujë. Iu duk sikur u rrotulluan malet dhe e vunë poshtë. ‘’Pasha, po na rrethojnë’’. Ai u shkund. Duhet të vepronte shpejt. I nxirë në fytyrë filloi të uleriste.. Arriti të mbledhë një pjesë të mirë të ushtrisë dhe të çaj rrethimin duke u tërhequr me shpejtësi. Duke kapërcyer qafen e malit ai hodhi edhe një herë veshtrimin prapa. Lugina ndriste nga flakët e zjarrit në kampin e tij kur ai kishte thurur ambicjet e tij. Tani bashkë me çadrat e gjithshka tjetër, digjeshin edhe ato. ‘’E mora haraçin. Tepër i hidhur ishte’’,- murmuriti dhe i ra kalit si i xhindosur.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s